1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Regjistri i hyrjeve: kontroll inteligjent i kufirit?

Wolfgang Dick / Eliana Xhani17 Shkurt 2013

Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich kërkon një regjistër qendror në BE për hyrjet dhe daljet në territorin e unionit. Në këmbim regjimi i vizave me Gjermaninë mund të hiqej për një numër vendesh.

https://p.dw.com/p/17fMj
Fotografi: picture alliance/dpa

Rasti i fundit i shkundi autoritetet gjermane të sigurisë: islamisti i klasifikuar si radikal, Mohamad Arifi, ia doli të hyjë në Gjermani megjithë ndalimin e hyrjes. I papenguar Arifi mundi të fliste në xhami në Heidelberg dhe Berlin megjithëse është i dyshuar se mbështet islamistë në Siri dhe se bën thirrje për luftë të armatosur. Mënyra se si arriti të hynte në Gjermani nuk është sqaruar ende.

Por ky nuk është rast i izoluar. Numri i hyrjeve të paligjshme në territorin gjerman është rritur me 18 për qind në krahasim me vitin e kaluar për të arritur shifrën e 21.000 rasteve. Këtyre u shtohen edhe rreth 5.000 raste në të cilat leja e qendrimit prej tre muajsh në Gjermani shkelet në heshtje pa të drejtë nga udhëtarët në Republikën Federale. Për të gjitha këto raste duket se mungon një sistem alarmi.

Në BE nuk ka më kontrolle në kufijtë e brendshëm. Gjermania shtrihet gjeografikisht në qendër dhe për këtë arsye varet nga kontrollet efikase të vendeve të tjera në kufijtë e jashtëm të BE-së.

Plani: ngritja e një sistemi alarmi

Schleuserjagd an der Kabinentür
Kontrolle kufitare në aeroportin e FrankfurtitFotografi: picture alliance/dpa

Sipas përfytyrimeve të ministrit të Brendshëm gjerman Friedrich, mbikqyrja e qendrimit në Gjermani dhe BE duhet të bëhet më e rreptë. Në fokus janë dy grupe: shtetas të vendeve që deri tani kanë nevojë për vizë për të hyrë në Gjermani, p.sh. njerëz nga SHBA, Afrika apo Rusia dhe shtetas të vendeve që aktualisht mund të hyjnë pa vizë në Gjermani, pra gjithë qytetarët nga BE-ja dhe nga vende si Malta, Irlanda e Veriut apo Costa Rica. Për udhëtarët me detyrim për vizë vlen ende sot: ambasadat dhe konsullatat duhet të kontrollojnë rreptë në vendet përkatëse se cili është qëllimi i vizitës në Gjermani, si financohen shpenzimet e jetesës dhe udhëtimit dhe si do të bëhet largimi pas përfundimit të qendrimit në Gjermani.

Kontrollet megjithë një numër skandalesh në të cilat vizat ishin dhënë kundrejt parave, duket se ka funksionuar relativisht mirë nga viti 2000 deri 2004. Vetëm gjatë 2012 nga përfaqësitë diplomatike gjermane janë refuzuar 138.000 nga dy milionë kërkesa për vizë. Arsyeja më shpeshtë: rezerva lidhur me sigurinë. Rusia dhe Turqia kërkojnë megjithatë të zbusin ose të heqin krejt këtë regjim të rreptë vizash për shtetasit e tyre. Qeveria gjermane dëshëron t'i përgjigjet dëshirës së këtyre dy shteteve dhe shteteve të tjera, por vetëm nëse krijohet një sistem zëvendësues për vizat. Ndryshe rrezikon të humbasë në masë të madhe kontrolli, thuhet nga Ministria e Brendshme gjermane.

Në regjistrin e planifikuar të hyrjeve dhe daljeve duhet të regjistrohen të gjithë personat që gëzojnë lirinë e lëvizjes pa vizë dhe pra një leje qendrimi prej 90 ditësh. Para hyrjes ata duhet të regjistrohen online dhe të shpjegojnë qartë se përse do të udhëtojnë në BE ose Gjermani.


Përparësitë e regjistrit të hyrjeve

Deutschland Visum
Fotografi: Klaus Eppele - Fotolia.com

Aktualisht ekzistojnë ende mjaft boshllëqe që mundësojnë anashkalimin e rregullave për vizat, thonë politikanë që merren intensivisht me këtë temë në Berlin. Shumë rusë për shembull udhëtojnë fillimisht nga Shën Petërburgu për në Finlandë e pastaj në Gjermani. "Ne nuk e dimë as kur vijnë e as kur largohen", thotë Michael Hartmann, nga Partia Socialdemokrate, i cili angazhohet në komisionin e Bundestagut për sigurinë, për një sistem të njësuar kontrolli në BE. "Konfuzioni që mbizotëron aktualisht duhet të marrë fund. Për momendin askush nuk ka një pamje të përgjithshme të asaj çfarë ndodh."

Reinhard Grindel, i cili përfaqëson në komisionin për sigurinë Partinë qeverisëse Kristiandemokrate (CDU), thekson atë që ai e konsideron përparësinë më të rëndësishme të regjistrit të hyrjeve dhe daljeve: "Kush nuk largohet pas tre muajsh mund të vihet në shënjestër të hetimeve." Por sipas Grindel realizimi i këtij regjistri do të bëhet më e herëta pas dy deri tre vitesh.

Kritikë nga opozita

Kritika ndaj planeve për regjistrin e hyrjeve dhe daljeve ka pasur ndërkohë nga partneri i CDU-së në koalicion, demokratët e lirë (FDP) të cilët kërkojnë garantimin e mbrojtjes së të dhënave. Ndërsa ekologjistët dhe E Majta në opozitë i druhen një kontrolli të tepruar shtetëror.

Mbështetje nga Brukseli

Metallgatter mit Schild Schengen
Fotografi: picture alliance/Romain Fellens

Që në vitin 2008 ish komisioneri për sigurinë Franco Frattini ishte angazhuar për një sistem qendror evropian të mbikqyrjes së kufijve, i cili madje do të funksiononte përmes satelitëve me avionë të telekomanduar pa pilotë, në kufijtë jugorë dhe lindorë të BE-së. Por planet nuk avancuan. Kjo tani mund të ndryshojë. Deri në fund të shkurtit Komisioni i BE-së do të paraqesë propozime për një regjistër për gjithë BE-në. Kjo mund t'u jepte hov të ri edhe planeve gjermane.