1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Refugjatët në Ballkan

Nemanja Rujevic27 Tetor 2015

Takimi i Brukselit për krizën e refugjatëve bëri të qartë: Vendet e Ballkanit duhet të ngadalësojnë lëvizjen e tyre. Ekspertët nga rajoni nuk janë të një mendimi nëse me këtë hap do të vendosej rregulli.

https://p.dw.com/p/1Gunt
Slowenien Österreich Flüchtlinge bei Sentilj
Refugjatë në SlloveniFotografi: Reuters/L. Foeger

Kushte humane për refugjatët, komunikim më i mirë i vendeve të tranzitit dhe sidomos ndalimi i fluksit të "pakontrolluar". Plani 17 pikësh për të cilin BE, Gjermania dhe vendet e itinerarit ballkanik ranë dakord në Bruksel lexohet më shumë si një deklaratë e vullnetit të mirë. Megjithatë aty i gjen edhe disa shifra: 400 policë nga BE do të ndihmojnë Slloveninë, punonjës të Agjencisë Europiane të Mbrojtjes së Kufijve, Frontex do të ndihmojnë në Greqi dhe përgjatë kufirit serbo-kroat. 100.000 vende strehimi do të ngrihen përgjatë këtij itinerari për të akomoduar refugjatët përkohësisht.

Plani është ngritur me presionin e Berlinit, thotë eksperti serb dhe blogeri, Mihailo Tesic. Mes deklarimit të Gjermanisë për pranimin e njerëzve dhe trajtimit të kërkesave të azilit e kapaciteteve të kufizuara të vendit ka një hendek të madh. "Tani po fillon politika e vonimit. Vendet e Ballkanit po këshillohen nga Berlini dhe Brukseli të ngadalësojnë lëvizjen e fluksit."

Në mënyrë kronike të papërgatitur

Qindra mijëra vetë kanë kaluar ndërkohë nëpër itinerarin e Ballkanit. Shtetet e Ballkanit janë të papërgatitura për këtë, megjithëse duhet ta kuptonin herët se çfarë vale po vinte drejt tyre, mendon Lidija Cehulic Vukadinovic nga Fakulteti i Zagrebit për Shkencat Politike: "Ne nuk jemi gati, apo nuk e kemi pritur këtë...këto janë justifikime që i bëjnë qesharakë në Bruksel", thotë politologja që kujton përpjekjen e politikanëve në Ballkan t'ia kalonin fajin njëri-tjetrit. "Serbia ka dashur të tregohet më humane se Maqedonia, Kroacia më europiane se Serbia, Sllovenia më e rregullt se Kroacia. Por gjithkund janë para skena të papëlqyera. Sipas ekspertes "u bë e qartë se asnjë nga këto vende nuk e menaxhon dot situatën i vetëm. Prandaj nevojitet bashkëpunimi në nivel europian."

Por Svetlana Slapsak e kishte menduar ndryshe bashkëpunimin europian. Antropologja e njohur filloi në verë organizimin e një peticioni për hapjen e një korridori të sigurtë nga Greqia në Gjermani - pa ndalesa dhe burokraci të panevojshme. Këta njerëz kanë nevojë për ndihmë tani. "Në Ballkan po përjetojmë skena mesjetare, shohim njerëz që bëjnë mijëra kilometra në këmbë, kjo vetëm i forcon paragjykimet që qarkullojnë për Ballkanin."

Pikë politike me armiqësinë

Plani i Brukselit kërkon shprehimisht komunikim më të mirë mes vendeve ballkanike. Por qeveritë deri më tani fajësojnë njëra-tjetrën. Sllovenia pretendon se Kroacia vepron si një qendër e madhe transporti që vetëm i përcjell njerëzit që vijnë më tej. Tingëllon cinike por kjo është akuza e Kroacisë për Serbinë. Si pasojë e grindjes të dy vendet mbyllën pikat e kalimit për importet ditë me radhë.

Griechenland Zelte Flüchtlinge Kos
Refugjatë në ishullin grek, KosFotografi: Annette Groth

"Janë vende të vogla me një të shkuar të përgjakshme", thotë Vukadinovic. Armiqësia përforcohet qëllimisht nga politika tani, kjo sepse në Kroaci zhvillohen zgjedhje parlamentare pas dy javësh. "Prandaj në Zagreb përdoret karta serbe për të mbledhur pikë tek votuesit e pakënaqur e të papunë. Beogradi vepron po kështu, atje përdoret karta kroate."

Gardhet në modë

Për shkak të krizës ekspertët shohin rrezikun e forcimit të forcave ekstremiste në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Politikanët serbë nga spektri i djathtë kanë bërë prognozat -sipas tyre BE do të ngrejë kampe afatgjatë në Ballkan për të ndalur emigrantët. Profesorja Slapsak nuk e sheh me habi faktin që refugjatët po refuzohen gjithnjë e më shumë: "25 vite pas shkatërrimit të Jugosllavisë po përjetojmë një ndryshim të madh të cilësisë së jetesës, rritjen e padrejtësisë sociale dhe mungesën e shpresës."

Gjithnjë e më shpesh dëgjohen thirrje për mbylljen e kufijve. Me këtë ide luan kryeministri bullgar. Edhe nga ana e qeverisë sllovene është përmendur si mundësi, ndërsa presidentja kroate do të dërgonte me dëshirë ushtrinë në kufirin me Serbinë. Për blogerin serb, Tesic një zhvillim prezent po i pa vënë re. Në fillim gardhi hungarez u pa si aniteuropian dhe armiqësor ndaj të huajve, tani gardhet po hyjnë në modë. Shqetësimet e ballkanasve për refugjatët janë të pabaza, mendon blogeri. "Kush ka bërë gjithë atë rrugë të vështirë dhe ia ka dalë të vijë deri këtu, nuk lejon më ta ndalin."