1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reforma e imigracionit kalon pengesën e parë

(ape, afp, dpa) / Esat Ahmeti22 Maj 2013

Ka vite që ata luftojnë për ndryshimin e statusit të tyre dhe legalizimin e qëndrimit të tyre. Tani ëndrra e mbi 11.5 milionë të huajëve që jetojnë pa dokumente në SHBA po realizohet ngadalë.

https://p.dw.com/p/18bvl
Fotografi: Getty Images

Riorganizimi i ligjeve të imigracionit ishte shpallur nga presidenti amerikan Barack Obama si një nga prioritetet e mandatit të tij të dytë presidencial. Tani projekti ka kaluar pengesën e parë të rëndësishme. Komisioni i drejtësisë në senatin amerikan në Uashingon dha dritën jeshile për një projekt-ligj i cili do t'i hapte një shteg miliona emigrantëve të paligjshëm që të fitojnë të drejtën e qëndrimit dhe përfundimisht edhe marrjen e shtetësisë amerikane. Pas nje debati që zgjati disa javë dhe kërkesave për ndryshimin e mbi 200 amandamenteve, për reformën kanë votuar tre republikanë të opozitës dhe dhjetë demokratë, pesë senatorë votuan kundër saj.

Reforma prek rreth 11.5 milionë njerëz, kryesisht meksikanë që jetojnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara. Kushte për marrjen e një leje qëndrimi ndër të tjera janë edhe mosvarja nga ndihmat sociale dhe një kontroll policor. Pas 13 vitesh është e mundur të bëhet kërkesa për marrjen e nënshtetësisë.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: Reuters

Gjithashtu pritet që përmes ligjit të ri të reformohet praktika e dhënies së vizave dhe lejeve të punës. Skema e re duhet të tërheqë më shumë punëtorë të kualifikuar, por në varësi të situatës së tregut të punës edhe punëtorë të thjeshtë që mund të kontribuojnë në fushën e bujqësisë apo sektorin e ndërtimit.

Kontrolle më të forta kufitare

Republikanët angazhohen ndër të tjera që paralelisht me reformën të ashpërsohet edhe vëzhgimi i kufirit me Meksikën. Bëhet fjalë për shtimin e objekteve për sigurinë kufitare dhe rekrutimi i më shumë rojeve kufitare. Përveç kësaj kërkohet edhe përdorimi i teknologjive të reja për identifikimin e vizitorëve të cilëve u ka skaduar afati i vizës. Nga ana tjetër me ndihmën e një banke të të dhënave punëdhënësit duhet të sigurohen që në të ardhmen të mos angazhojnë punonjësit ilegalë në Shtetet e Bashkuara.

Obama është i kënaqur

Projekt-ligji u hartua nga politikanët republikanë dhe demokratë. Obama përshëndeti votimin në komisionin bipartizan dhe i bëri thirrje Senatit të miratojë reformën edhe në seancën plenare. "Asnjë nga anëtarët e komisionit nuk mori tërësisht atë që donte, e as unë", tha presidenti. Ai iu referua dëshirës së kampit demokratik, që edhe çiftet e homoseksualëve me një partner të huaj të kenë të drejtat e bashkimit familjar njëjtë si heteroseksualët. Demokratët kishin tërhequr kërkesën e tyre për shkak se ajo kishte hasur në kundërshtim te pjesa më e madhe e republikanëve.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: Getty Images

Në fillim të qershorit në senat do të fillojë debati për reformën e imigracionit. Atje, demokratët e Obamës kanë  shumicën. Për miratimin e tekstit nevojiten votat e 60 nga 100 deputetëve sa ka senati amerikan. Pastaj reforma kalon për miratim në Dhomën e Përfaqësusëve të dominuar nga republikanët.