Reforma e administratës në vend numëro
8 Korrik 2013Që në vjeshtë 2012, qeveria greke e koalicionit nën drejtimin e kryeministrit konservator Antonis Samaras premtoi se deri në fund të vitit 2014 do të bëjë 15.000 pushime nga puna në shërbimin publik. Veç kësaj, të paktën 12.000 nëpunës shtetërorë do të transferohen këtë vit në vende, ku kanë nevojë më urgjente për ta. Për trojkën e përbërë nga BE, FMN, dhe BQE hapa të tillë reformues janë parakusht që Greqia të marrë paketën tjetër prej 8.1 miliardë euro nga paketa tashmë e miratuar e ndihmës.
Presion i trojkës
Por vënia në jetë e reformave administrative ka ngecur në vend. Mediet greke raportuan ditët e fundit për një ultimatum të trojkës në Athinë, që deri të hënën (08.07.) të vihen në rrugë pushimet nga puna ose transferimet e detyrueshme. Si qeveria Samaras, ashtu edhe Komisioni Evropian në Bruksel nuk e konfirmojnë ultimatumin. Por ministri grek i reformës, Kyriakos Mitsotakis thotë se ndoshta të hënën ai do të paraqesë në Parlament një projektligj, që i plotëson të gjitha kërkesat e troikës.
"Reformat e administrative të synuara janë të nevojshme, por të vështira për t'i zbatuar", thotë Napoleon Marajevas, profesor për shkencat politike dhe administrative në Universitetin e Athinës. Parakusht për reformën e vërtetë do të ishte që rezultatet e punës së nëpunësve civilë të vlerësoheshin në mënyrë kritike. Por kjo në Greqi është e vështirë, sepse të prekurit në Greqi do të kishin pak besim në organet shtetërore, dhe së dyti, sistemi i klientelës vazhdon të jetë i gjithëfuqishëm në vend, kujton Marajevas.
Politikë pa "fill të kuq"
Shkencëtari i shkencave politike, që titullin e profesorit e ka marrë në Francë, e di për se flet: si ministër i Çështjeve Agrare në qeverinë tranzitore nën kryegjykatësin Panajotis Pikramenos, Marajevas pati mundësi në vitin 2012 që të krijonte përshtypje personale nga puna në ministritë e Athinës. Sot ai e di që dëshira politike për reforma të vërteta në shërbimin publik është e vogël. Ky është edhe shkaku, se pse në nivel politik dëgjon vetëm propozime të pjesshme dhe spekullime, por jo një plan afatgjatë, shpjegon Marajevas. Një fill i kuq nuk shihet gjëkundi.
Mungon kontrolli
Vetëm në vitin 2010 e konstatoi qeveria e atëhershme socialiste numrin e përgjithshëm të nëpunësve civilë në Greqi. Që atëherë, pra tri vjet më parë ne dimë se në Greqi kanë punuar për shtetin 768.000 vetë; megjithatë, në këtë shifër nuk përfshiheshin nëpunësit e ndërmarrjeve komunale dhe të uzinave të mëdha shtetërore. Një numërim i plotë i të gjithë atyre që punojnë dhe paguhen me para publike mungon edhe sot. Edhe në ministritë dhe zyrat e numëruara vazhdojnë të mungojnë organigramat. Shkaku është se ndërmarrjet shtetërore i kanë shërbyer tradicionalisht furnizimit me mbështetës të partive politike dhe ky mentalitet vazhdon të jetë i gjithëpranishëm, megjithë presionin e trojkës. Me fjalë të tjera: ka ushtarë të partisë në pozicione qendrore, të cilëve nuk do t'u pëlqente që ta dinë të gjithë se çfarë bën njëri e tjetri - sepse atëherë do të binte në sy, se ka shumë vetë, që nuk bëjnë asgjë.