Referendumi në Qipro -temë qendrore e takimit të Ministrave të Jashtëm të B.E-së
26 Prill 2004
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit evropian diskutojnë sot në takimin e tyre të radhës, planin B, i cili u përgatit në mars nga Komisioni evropian. Si duhet të veprojë Evropa ndaj ishullit të ndarë të Qipros, tanimë kur përpjekja për ribashkim dështoi nga refuzimi që i bënë kësaj qipriotët grekë të pjesës jugore të ishullit?
Në strategjinë që kanë përpara Ministrat e jashtëm thuhet se: linja e demarkacionit mes pjesës veriore dhe jugore të ishullit qipriot nuk do të shihet si kufi i jashtëm i Bashkimit evropian. Qytetarët e Bashkimit evropian mund të udhëtojnë edhe në të ardhmen përmes Turqisë dhe Qipros veriore për të shkuar në jug. Megjithatë postblloku kufitar mes veriut dhe jugut do të ekzistojë edhe në të ardhmen.
De fakto hyn në Bashkimin evropian më 1 Maj vetëm pjesa jugore e ishullit të ndarë, - de jure pranohet i gjithë ishulli, pasi ndarja e Qipros pas pushtimit turk nuk u pranua asnjëherë nga Bashkimi veropian. Dihet që qëndrimi i përbashkët i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit evropian është shprehja e keqardhjes se qipriotët grekë e humbën shansin historik të ribashkimit të vendit. I ngarkuari për politikën e jashtmë të Bashkimit evropian Havier Solana u shpreh:
"Unë shpreh keqardhjen time të thellë, që më 1 Maj në Bashkimin evropian nuk do të hyjë një Qipro e bashkuar."Në të njëjtën kohë Solana u shpreh se pjesës turke, e cila ishte e gatshme për bashkimin i duhet ofruar më tepër ndihmë financiare, me qëllim të zvogëlimit të diferencës në zhvillimin e të dyja pjesëve të ishullit. Se sa i lartë do të jetë ky dëmshpërblim, Solana nuk u shpreh me shifra: "Më duhet të pranoj se pjesa veriore votoi pro dhe u tregua shumë e guximshme. Turqit e veriut treguan vullnetin e tyre, që ky vend të hynte i bashkuar në Bashkimin evropian. Këtë gjë do të duhet që në t'a marrim parasysh."
Komisari i Bashkimit evropian për zgjerimin e BE-së Gynter Vërhojgen është shprehur, se nuk mund të derdhen aq thjesht para në veri, pasi pjesa veriore e Qipros nuk njihet si shtet. Gjithashtu edhe marrëveshjet përkatëse me Kombet e Bashkuara i pengojnë ndihmat direkte në veriun e Qipros. Në rast se ishulli do të ishte ribashkuar para 1 Majit, atëherë BE-ja do të kishte ofruar 250. milionë euro ndihmë ndaj shtetit Qipro. Britania e madhe mban qëndrim pritës, burime të qeverisë angleze bëjnë të ditur se duhet akoma të presim përsa i përket ndihmës financiare.
Në qarqet e Bashkimit evropian flitet se disa ministra dhe komisari i Bashkimit evropian për zgjerimin e tij Vërhojgen janë të zhgënjyer nga qeveria e Republikës së Qipros. Ekziston madje ndjenja e të qenurit i gënjyer, pasi qeveria në Qipro gjithmonë krijonte përshtypjen në Bashkimin evropian se ajo e do ribashkimin. Në të njëjtën kohë shanset e Turqisë për të hyrë në Bashkimin evropian janë përmirësuar. Ministrat e jashtëm të Bashkimit evropian kanë pranuar se qeveria e Ankarasë nuk u përpoq të pengojë ribashkimin e Qipros, ky ishte edhe një nga kushtet e Bashkimit evropian për fillimin e bisedimeve të pranimit.
Disa diplomatë madje shprehen të shqetësuar se Qiproja e cila në dhjetor do të bëhët anëtare e plotë e Bashkimit evropian mund të pengojë përmes vetos së saj fillimin e bisedimeve të pranimit të Turqisë në B.E.
Përsa i përket Rusisë, të 25 ministrat e Bashkimit evropian kanë rënë dakort, që të përpilohet një deklaratë e përbashkët për zgjerimin e Bashkimit evropian. Shqetësimet e Rusisë mund të mënjanohen deri në disa pika të mënyrës së formulimit të deklaratës. Rusia u shpreh kundër pranimit të shteteve balltike në B.E, pasi ajo i trembej humbjeve në tregti si edhe injorimit të interesave të pakicave ruse në këto shtete.
Ministrat e jashtëm të Bashkimit evropian vendosën që të diskutojnë sërish në 17 dhe 18 maj për kushtetutën. Në këto bisedime synohet të arrihet gjetja e zgjidhjes për pikat e diskutueshme të kushtetutës evropiane.