1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Recesioni dhe frika e falimentimit “brejnë” depozitat e bankave greke

10 Dhjetor 2011

Në Greqi, kriza dhe frika e falimentimit po “brejnë” depozitat e bankave. Depozituesit i tërheqin paratë në mënyrë masive, midis tyre edhe imigrantët shqiptarë. Kjo sprovon fort bankat.

https://p.dw.com/p/13QJ1
Depozituesit i tërheqin paratë në mënyrë masive
Depozituesit i tërheqin paratë në mënyrë masiveFotografi: dapd

Mjafton një shikim i shpejtë i faturave të hedhura në shportën në krah të dy ATM-ve të Bankës Kombëtare të Greqisë në cepin afër sheshit Sintagma, që ditët e protestave janë me qepena të ulura, që të kuptosh se depozitat po shteren. Mbetja e shumicës së llogarive janë më pak se 100 euro ! “U zbrazen plotësisht, arritëm në fund” thotë për DW një kliente me droje, nga “historitë” që ndodhin me hajdutët, por edhe një revoltë të dukshme për skamjen. Një tjetër, Magda, siç mjafton të prezantohet, ofshan që “paratë e subvencionit të ullirit, 320 euro, i morën bankat për kestin e kredisë me të hyrë në llogari”. “Katër muaj pa u paguar në punë”, shpreson mos marrë diçka “për hir të festave të fundvitit”. “Grekët me papunësinë e madhe dhe haraçet e shumta tashmë hanë nga ato që kanë. Ata që kanë, pasi sipas studimeve vetëm gjysma e grekëve kanë llogari bankare” i thotë DW analisti Babis Polikroniadis.

Krise in Griechenland
Krizë në GreqiFotografi: AP

Pasiguria e mbetjes në eurozonë është “brejtësi” më i madh i depozitave

Kjo “hemoragji” apo outflow i madh i parave ka bërë që grekët të përfshihen tashmë në “klubin e të varfërve” të qytetarëve komunitarë për sa i përket depozitave për person. Depozitat sigurisht nuk “brehen” vetëm nga papunësia, shkurtimet drastike të pagave dhe pensioneve, apo haraçet e njëpasnjëshme për mbulimin e defiçitit buxhetor. “Brejtësi” më i madh i parave është pasiguria dhe frika e depozituesve nga një shembje e mundshme e sistemit bankar, që mbahet në këmbë vetëm me subvencionet e Mekanizmit të Jashtëzakonshëm të Ndihmës që funksionon pranë Bankës së Greqisë. “Përsa kohë evropianët do të vazhdojnë të flasin për dalje të Greqisë nga eurozona, njerëzit do të vazhdojnë t'i marrin paratë e tyre në shtëpi për të mos humbur prej eventualitetit të një ekuivalence të re drahmi/euro, që do të jetë më e lartë se ajo e vitit 2001, 345 drahmi/euro, kur vendi hyri në Bashkimin Monetar Evropian” thotë Polikroniadis.

Euro për paketën e ndihmës për Greqinë
Euro për paketën e ndihmës për GreqinëFotografi: Picture-Alliance/dpa

Nga bankat greke në ato të huaja ose nëpër “senduqe

Nëpër sportelet e bankave nëpunësit bëjnë “luftë” të përditshme me klientët e tyre që të mos tërheqin paratë, në shumicën e rasteve pa rezultat. Një mesoburrë pasi priti me durim në radhën e tij në degën e Bankës Kombëtare të rrugës Ipokratus transferoi 25.000 euro në llogarinë që ka hapur në Angli për tarifat e shkollimit të së bijës. Një pensioniste “grindet” që nuk mund të tërheqë të gjitha paratë, pasi banka ka vendosur tashmë limit në një përpjekje të saj për të frenuar fenomenin. As historitë e dhimbshme të vjedhjeve nëpër banesa, me viktima zakonisht pensionistë, mund të frenojnë fenomenin. Kush nuk mund t'i nxjerrë jashtë, i mban nëpër “senduqe” ose vende të ndryshme, ku shpesh kartmonedhat edhe demtohen, siç dëshmon edhe fluksi i qytetarëve që shkojnë për t'i këmbyer në Banken e Greqisë, në bulevardin Panepistimiu. “Kryesisht është çështje kulture dhe vlerash kjo që përjetojmë sot” i thotë DW drejtori i degës së Bankës të rrugës Ipokratus Spiros Karusos, në përpjekjen e tij për të shpjeguar krizën në përgjithësi por edhe fenomenin në degën e tij, për të cilin dëshiron të flasë vetëm off the record. Por fenomeni u publikua nga vetë guvernatori i Bankës së Greqisë Jorgos Provopullos, i cili i tha Komisionit të Çështjeve Ekonomike të Parlamentit se vetëm për dymujorin shtator-tetor janë tërhequr 13-14 miliardë euro duke e rritur shumën nga viti 2010 në 60 miliardë euro.

Babis Polichroniadis
Babis PolichroniadisFotografi: DW

“Hemoragji” e madhe dhe nga depozituesit imigrantë

Kriza, me klimën e saj të pasigurisë së theksuar ekonomike por edhe politike, u ka privuar bankave dhe depozituesit imigrantë, me rreth 10 miliardë euro deri para krizës. “I kam hequr dhe i kam çuar në Shqipëri. Gjithë shqiptarët i kanë marrë dhe i kanë çuar në Shqipëri” i thotë DW Irakliu nga Fieri, i cili gjeti edhe mënyrën për t'i shpëtuar ankthit të kursit të monedhës. “Nuk i kam investuar, në bankë i kam edhe në lekë edhe në euro, gjysëm për gjysëm, se mund të shkatërrohet edhe leku por edhe euroja”. Këtë do të bëjë edhe Stefani, këpucar që kursimet e tij prej 30.000 euro i çoi në Shqipëri por i bëri gjysma euro dhe gjysma dollarë. “Ne jetojmë me frikën e falimentimit të Greqisë, se mund të falimentojnë bankat ashtu siç falimentojnë përditë ndërmarrjet. Por edhe në Shqipëri nuk kemi siguri, pavarësisht se çthonë bankat, interesi i tyre lëviz përditë” thotë Aleks Balla, sipas të cilit shqiptarët në qoftë se nuk i kanë kthyer në mall paratë në Greqi ose Shqipëri i kanë çuar në Bankën e Qipros, ose në banka të tjera të huaja, por edhe në Bankën Kombëtare Shqiptare.

Aleks Balla
Aleks BallaFotografi: DW

Zgjidhja e vetme është rifitimi i besimit te depozituesve tek bankat

“Shqiptarët janë djegur prej qullit i fryjnë edhe kosit tani. Kjo më ka ndodhur dhe mua dhe unë prej kohësh nuk i kam lenë lekët në Greqi, nuk kam besim me krizën” i thotë DW imigranti Astrit Korbi, i cili mendon se në Greqi “paraja ka dalë nga kanelet qarkulluese dhe është hedhur e tëra në informalitet”. Për ndryshim të kahut të gjerave me fqinjët shqiptarë flet edhe Polikroniadis duke shënuar se “ndryhe nga para 15 vjetesh qe shqiptarët me historinë e piramidave i sillnin paratë në Greqi, tani për shkak të krizës i marrin i çojnë nga Greqia në Shqipëri”. “Me sa duket asgjë nuk mund të bëhet që të ndalohet ky fluks i tërheqjes së parave”, sipas tij, me gjithë përpjekjet dëshpëruese të bankave që kanë adoptuar sërish kamata joshëse deri 6.5% duke akorduar totalin e tyre vjetor që me depozitimin e parave. Zgjidhjen do ta japë vetëm rifitimi i besimit, që kërkon kohë dhe eklipsimin e krizës.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Aida Cama