Reagon Prishtina pas ujdisë Putin-Vuçiq për gazin rus
30 Maj 2022Serbia dhe Rusia ranë dakord edhe për një marrëveshje tre vjeçare për gazin, në bazë të së cilës Serbia do të furnizohet me gazin rus. Këtë e bëri të ditur Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas një telefonate që zhvilloi me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Sipas presidentit serb, Serbia do të ketë një çmim shumë të favorshëm për gazin rus.
Serbia do të vazhdojë të blejë gazin rus
"Ne do të nënshkruajmë një kontratë trevjeçare dhe nesër apo pasnesër, do të diskutojmë për sasinë e gazit. Serbisë i duhen sasi të mëdha të gazit, por mund të them se ne do të kemi një dimër të sigurt dhe bisedimet e mëtejme do të përcaktojnë se sa do të kushtojë gazi për ne”, deklaroi Vuçiq në një konferencë për medie në Beograd. Ai theksoi se Serbia do të vazhdojë të blejë gazin rus dhe çmimi do të jetë në bazë të formulës ekzistuese, e cila varet nga lëvizjet e çmimeve të naftës në tregun botëror. Aktualisht çmimi i gazit që Serbia blen nga Gazpromi rus është shumë më i ulët sesa çmimi me të cilin e blejnë këtë lëndë shtetet e tjera evropiane. Vuçiq tha se çmimi pritet të jetë 340 deri në 350 dollarë për 1,000 metër kubikë të gazit, por "ky nuk është çmimi final sepse do të varet nga sasia që do të dërgohet”. Ai njoftoi se me presidentin Putin janë pajtuar për çmimin për furnizimin e 2.2 miliard metër kubikë gaz në vit.
"Marrëveshjet mes Putinit dhe Vuçiqit tani arrihen përmes bisedave telefonike”
Pas njoftimit që bëri Vuçiq lidhur me marrëveshjen për furnizim të Serbisë me Gazin rus, reaguan autoritet më të larta të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në Twitter se "Putin e Vuçiq nuk kanë më nevojë të takohen pasi marrëveshjet tani i arrijnë nëpërmjet bisedave telefonike”.
"Ata as nuk duhet të takohen më: marrëveshjet mes Putinit dhe Vuçiqit tani arrihen përmes bisedave telefonike”, shkroi Kurti në Twitter, duke rikujtuar një deklaratë të presidentit Vuçiq në lidhje me Kosovën, pas takimit të tij me Putin në Soçi më 25 nëntor të vitit 2021. Në deklaratë Vuçiq kishte thënë se me Putinin ka biseduar edhe për veriun e Kosovës, duke mos dhënë shumë detaje. "Unë fola për standardet e dyfishta dhe hipokrizitë e shpeshta në marrëdhëniet ndërkombëtare, presidenti Putin i pranoi ato dhe kuptoi mirë se për çfarë isha duke folur, por kërkoi sqarime shtesë, kështu ne folëm për veriun e Kosovës, dhe ia tregova atij në hartë”, citohet të ketë thënë Vuçiq në atë deklaratë.
Lidhur me marrëveshjen Serbi-Rusi, reagoi edhe presidenca e Kosovës përmes shefit të stafit të Presidencës, Blerim Vela. "Putin dhe Vuçiq ranë dakord në një telefonatë, se Rusia do të vazhdojë furnizimin me gaz natyror për Serbinë dhe dy vendet do të forcojnë partneritetin e tyre. Serbia, një vend kandidat për në BE, në vend që të përafrohet me sanksionet e BE-së thellon bashkëpunimin me Rusinë. Deri kur BE-ja do ta tolerojë këtë?”, shkroi Vela në Twitter.
Serbia është ndër vendet e vetme në Evropë që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë. Në konferencën për media të Vuçiq në Beograd, ai tha se në bisedë telefonike i ka prezantuar Putinit qëndrimin e Serbisë për të arritur paqe në Ukrainë sa më shpejt që të jetë e mundur.