Reagon BE pas dënimit të Kolesnikovës në Bjellorusi
7 Shtator 2021Lajmi nga Minsku nuk erdhi aq papritur. Një gjykatë në kryeqytetin bjellorus, Minsk dënoi të hënën, më 6 shtator opozitaren bjelloruse, Maria Kolesnikova me 11 vite burg. Edhe kolegu i saj i akuzuar, i cili ishte pjesë e Këshillit të Koordinimit të opozitës ruse, avokati Maksim Snak u dënua me 10 vite burg. Reagimet në Gjermani dhe BE ishin të ashpra. "Dënimet janë për ne simbol i veprimit të paskrupullt dhe represioneve e frikësimit të regjimit bjellorus kundër politikanëve të opozitës dhe shoqërisë civile", u shpreh Andrea Sasse, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme në Berlin. Kolesnikova u kthye verën e kaluar në figurën e njohur të opozitës, që protestoi gjerësisht kundër zgjedhjeve presidenciale në Bjellorusi. Pas një përpjekjeje të dështuar për ta nxjerrë Kolesnikovën jashtë vendit, pasi ajo grisi pasaportën, 39 vjeçarja u arrestua.
Gjermania: Solidaritet të pakufizuar me Kolesnikovën dhe të burgosurit politikë në Bjellorusi
"Si dy nga figurat më të guximshme tëlëvizjes protestuese pas zgjedhjeve të manipuluara presidenciale, Kolesnikova dhe Maksim Snak u ngritën për demokracinë dhe të drejtat e njeriut", tha Sasse. Qeveria gjermane i dënon "dënimet e pajustifikuara" kundër tyre dhe "instrumentalizimin e drejtësisë për përndjekjen politike në Bjellorusi." Sipas Sasse, "Gjermania i siguron Maria Kolesnikovës, Maksim Snak dhe të gjithë të tjerëve të burgosur për arsye politike solidaritet të pakufizuar." Berlini kërkoi lirimin e të gjithë të burgosurve politikë në Bjellorusi.
Edhe Bashkimi Europian e dënoi të hënën "mungesën e respektit nga ana e regjimit ndaj të drejtave të njeriut dhe lirive fundamentale" si edhe mënyrën e veprimit "të drejtësisë kundër figurave simbolike të lëvizjes demokratike bjelloruse". Eurodeputetja sllovake, Miriam Lexmann i tha Deutsche Welles se "mendimet e lutjet e mia janë me Maria Kolesnikovën dhe Maksim Snak si edhe me 659 të burgosurit politikë që regjimi i mban në kushte të padurueshme." Kurse organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International e quajti dënimin "arbitrar".
Nga ana e saj, zëvendëspresidentja e Bundestagut, Claudia Roth (Aleanca90/Të Gjelbrit) kritikoi Berlinin dhe Brukselin për pasivitet dhe kërkoi më shumë sanksione. "Ajo që nevojitet tani është angazhimi i qeverisë gjermane për lirimin e menjëhershëm të Maria Kolesnikovës dhe të gjithë të burgosurve politikë në Bjellorusi", tha Roth. "Të dy të dënuarit janë halë në sy për diktatorin Lukashenko." Edhe kryetarja e Partisë Socialdemokrate gjermane, Saskia Esken u shpreh e zemëruar. "Tek diktaturat, ku të drejtat e njeriut shkelen me këmbë, duhet të shtohet presioni me mjete diplomatike dhe sanksione." Kurse deputetja gjermane liberale, Renata Alt u shpreh se "dënimi i Maria Kolesnikovës dhe Maksim Snak me dënime 11 apo 10 vjet burg është një keqësim i ri i të drejtave të njeriut dhe opozitës demokratike në Bjellorusi".
Dënimi kundër Maria Kolesnikovës filloi më 4 gusht duke përjashtuar publikun dhe me fajësime të rënda kundër opozitarëve: përgatitje e një komploti për marrjen e pushtetit në mënyrë antikushtetuese, rrezikim i sigurisë kombëtare, themelim i një organizate ekstremiste. Më parë ishte dënuar me 14 vjet burg edhe kandidati për president, Viktor Babariko, shtabin zgjedhor të të cilit e drejtonte Maria Kolesnikova. Kolesnikova dhe Snak u treguan për pak kohë në televizionin bjellorus gjatë shqiptimit të dënimit: Kolesnikova me simbolin e saj, duart bashkuar në formë zemre. Në sallën e gjyqit u lejuan vetëm pak avokatë dhe të afërm, përkrahësit dhe diplomatët perëndimorë nuk u lejuan. Babai i Kolesnikovës, Aleksandr Kolesnikov e quajti dënimin "le të themi të padrejtë". "Maksim dhe Masha nuk ndjeheshin si të akuzuar, ata ndjenin, se nuk kishte për t'i prekur kjo. Shqetësimi i madh që kishin ata ishte për ne si prindër, se si do ta përballojmë", tha babai i opozitares.