Reagime pas përleshjeve fizike në parlamentin e Kosovës
13 Korrik 2023Reagime të shumta pasuan pas përleshjeve fizike që ndodhën të enjten pasdite ndërmjet deputetëve në Kuvendin e Kosovës, me ҫ'rast u ndërpre edhe fjalimi i kryeministrit të Kosovës. Përleshjet shpërthyen mes deputetëve të PDK-së në opozitë dhe kabinetit qeveritar, derisa kryeministri Albin Kurti po fliste në kuvend për situatën në veri të Kosovës dhe pajtimin që është arritur me Bashkimin Evropian për hapat e parë brenda dy javësh drejt uljes së tensioneve në katër komunat e banuara me shumicë serbe. Fjalimi i kryeministrit disa herë u ndërpre nga thirrjet e opozitës, të cilët kryeministrin e cilësuan “gënjeshtar”. U desh ndërhyrja e sigurimit të kryeministrit për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa, kryetari i Parlamentit, Glauk Konjufca, kërkoi ndërhyrjen e policisë brenda seancës së Kuvendit.
Debatet e ashpra pas publikimit të bisedave të Mimoza Kusari-Lilës
Tensionet në Kuvendin e Kosovës dhe debatet e ashpra disa ditë më parë, nisën pasi portali kosovar Nacionale, publikoi disa biseda të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me përfaqësues të Listës Serbe, përfshirë nënkryetarin e kësaj partie, Milan Radojçiq, i cili ka urdhër arrest nga Kosova dhe është në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion”.
Vetëvendosja dhe PDK akuzojnë njëra-tjetrën
Lëvizja Vetëvendosje pas përleshjeve fizike në kuvend, akuzoi PDK-në në opozitë për sulm ndaj kabinetit qeveritar. “Deputetë të PDK-së sulmuan me grushta, si një bandë rrugaçësh, kryeministrin dhe ministrat e Kosovës. Ky sulm po bëhet ndaj qeverisë së parë të Kosovës, e cila nuk e ka asnjë ministër apo zëvendësministër të kontrolluar nga Beogradi. Ky sulm po bëhet pikërisht në një moment të rëndësishëm të ballafaqimit diplomatik e jo vetëm të Kosovës me Serbinë”, thuhet në reagimin e lëvizjes Vetëvendosje.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës, tha se ishte zëvendëskryeministri Besnik Bislimi “i cili i pari e goditi me mjete të forta, shishe, deputetin Mërgim Lushtaku nga PDK. “Kryetari i Kuvendit u desh që të reagojë dhe të mos e lejojë atë që të ndodhë, ai u bëri thirrje Policisë së Kosovës që të ndërhyjnë dhe të arrestojnë deputetët e opozitës. Futja e Policisë së Kosovës në Kuvend nuk është lejuar të ndodhë as në momentin më të errët në historinë e Kuvendit të Kosovës, kur Lëvizja Vetëvendosje hidhte gaz lotsjellës dhe rrezikonte jetën e deputetëve”, thuhet në reagim të PDK-së.
Vjosa Osmani: Dhuna nuk ka vend në tempulllin e demokracisë
Përleshjet fizike ndërmjet deputetëve të kuvendit të Kosovës, u dënuan nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se “përdorimi i dhunës si mjet për të trajtuar pakënaqësitë e mospajtimet politike, është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë”. “Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t'i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik”, shkroi në reagimin e saj, presidentja Osmani.
Reagon ambasdaori amerikan Jeff Hovenier
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke dënuar përleshjet e së enjtes në parlament, tha se “dallimet nuk mund të zgjidhen përmes dhunës”. “Është për keqardhje çfarë ndodhi sot në parlamentin e Kosovës. Do të dëshiroja të mos e thosha këtë. Dhuna kurrë nuk është mjet i pranueshëm për të shprehur pakënaqësi. Në çdo demokraci shpesh ka dallime të forta, por, dallimet duhen të zgjidhen përmes diskutimit, një qëllim themelor i legjislaturës së çdo demokracie”, shkroi ambasadori amerikan Hovenier.
Sidoqoftë, pas përleshjeve të sotme në Kuvendin e Kosovës, Prokuroria Themelore në Prishtinë, njoftoi se ka nisur hetimet për këtë rast. Sipas njoftimit, “prokurori i shtetit ka iniciuar hetime për veprën penale të “sulmit” dhe ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast”.