Reagime pozitive pas zgjedhjeve në Greqi
18 Qershor 2012Presidenti i Këshillit të BE-së. Herman Van Rompuy dhe Presidenti i Komisionit të BE-së, José Manuel Barroso deklaruan se shpresojnë që rezultati i zgjedhjeve të bëjë të mundur sa më shpejt formimin e një qeverie.
Van Rompuy nga ana e tij i premtoi popullit grek mbështetjen e BE-së për kapërcimin e krizës. "Ne kemi thënë gjithmonë që Greqia i takon familjes europiane, Bashkimit Europian dhe Eurozonës. Ne jemi shumë të lumtur me rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Tani ne duhet të zbatojmë programin rregullues. Dhe për këtë ne duhet të punojmë për të nxitur rritjen e ekonomike, punësimin dhe mirëqenien për popullin grek. Ne, si Bashkim Europian jemi të gatshëm t'iu ndihmojmë juve për të arritur këto synime", tha Rompuy në një deklaratë për mediat.
Mbështetje për ekonominë greke
Ndërsa presidenti i Komisionit të BE-së, José Manuel Barroso foli për rritjen e bashkëpunimit me Greqinë, në mënyrë që vendit t'i rikthehet zhvillimi ekonomik. "Ne jemi me ju. Ne e konsiderojmë Greqinë si anëtare të eurozonës dhe familjes europiane dhe ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju dhe t'iu mbështesim juve me të gjitha mjetet e nevojshme në mënyrë që ne të rikthejmë në Greqi rritjen ekonomike dhe hapjen e vendeve të punës".
Kancelarja gjermane Angela Merkel përshëndeti fitoren e partisë motër të CDU-së, por paralajmëroi në të njëjtën kohë respektimin e "detyrimeve europiane". Tregu aziatik i bursave në Tokio rezultoi të Hënën në mëngjes pas rezultateve të zgjedhjeve në vendin e përfshirë nga kriza me fitime të konsiderueshme.
Autor: afp,dapd,rtr/Kelmendi
Redaktoi: Lindita Arapi