Fëmijët, humbësit në qytete
29 Shkurt 2012Uji i pijshëm, shkolla, kujdesi mjekësor, infrastruktura e mirë dhe vende pune në të ardhmen: Qytetet premtojnë mundësi, shanse dhe të ardhme. Por ofertat dhe shanset janë zakonisht vetëm për ato, që mund t'i paguajnë. Fëmijët në lagjet e varfëra dhe në shumë vendbanime të ngritura pa leje në periferi të pasurisë zakonisht dalin duarbosh, njofton raporti i ri i UNICEF-it, i cili shqyrton kushtet e jetesës së fëmijëve në qytete.
“Tradicionalisht ne e kemi parë varfërinë gjithnjë si diçka, që i takon fshatit, por situata sot ka ndryshuar. Varfëri ka edhe në fshat, por ekziston edhe fytyra e fshehur e varfërisë së qytetit. Çfarë bëjmë ne, çfarë themi ne dhe si veprojmë në lidhje me të. Me këtë raport duhet të shqyrtojmë këto çështje", thotë zëdhënësja e UNICEF-it, Sarah Crowe.
UNICEF: Së shpejti një ndër dy fëmijë do të jetojë në qytete
Nuk ka shifra të sakta, se sa fëmijë rriten në qytete. UNICEF-i ka llogaritur se së shpejti do të jenë një ndër dy fëmijë në botë. Shumë prej fëmijëve, që kanë lindur në qytete dhe janë rritur atje, nuk janë regjistruar nga autoritetet. Dhe kush nuk ekziston zyrtarisht, nuk mund të pretendojë as për shërbime, si arsimi, apo shëndetësia.
Ne shohim nga ky raport se qytetet i lënë fëmijët pas dore. Qytetet mund të ofrojnë përfitime të shumta për fëmijët, ata kanë infrastrukturën dhe shërbimet. Dhe paradoksi i tmerrshëm është se megjithëse është e drejtë e fëmijëve të marrin pjesë, fëmijët e varfër përjashtohen. Kjo varfëri është në mesin tonë, në qytetet e mëdha dhe të vogla, kudo në botë."
Tabllo e zymtë
Raporti i sivjetëm i UNICEF-it për gjendjen e fëmijëve në qytete sjell një tablo të zymtë. Sot një ndër tre banorë në qytete jeton në një lagje të varfër të mbipopulluar. Edhe gjithnjë e më shumë fëmijë lindin në qytete, por nuk merren parasysh në planifikimin urban dhe në shpërndarjen e resurseve.
Në gjendjen më të keqe janë fëmijët në lagjet e varfëra dhe në vendbanimet joformale në periferi të qyteteve të mëdha të vendeve në zhvillim. Aty vdekshmëria e foshnjave është e lartë: Në shumicën e rasteve nuk ka ujë të pijshëm, sëmundjet si kolera, tuberkulozi dhe fruthi kthehen shpejt në epidemi.
Në shumicën e rasteve familjet jetojnë ilegalisht, mund të dëbohen në çdo kohë, kur përdoren buldozerët kundër varfërisë. Kriminaliteti është i lartë: UNICEF-i njofton se mosha e hyrjes në bandat e të rinjve është 13 vjeç. Dhuna është këtu pjesë e të përditshmes, po ashtu si prostitucioni i detyruar dhe dhunimet.
Situata e fëmijëve të rrugës
Edhe situata e fëmijëve të rrugës trajtohet nga raporti i UNICEF-it. Fëmijët e rrugës janë një fenomen i qyteteve, për të cilin deri tani kujdeset vetëm pak kush. Shpesh ata ndiqen nga policia apo grupet paramilitare, ose vriten.
„Ky është një grup me të vertetë në rritje i fëmijëve dhe të rinjve, që margjinalizohen, që bëhen të paligjshëm, që bien nën varësinë e drogave dhe kriminalitetit dhe të cilëve nuk u ofrohen perspektiva mbijetese, apo zhvillimi në qytete", e përshkruan Albert Recknagel situatën e fëmijëve të rrugës
Ai është drejtues i sektorit të të drejtave të fëmijëve të organizatës për mbrojtjen e fëmijëve Terre des Hommes, që menaxhon në mbarë botën edhe projekte për fëmijët e rrugës. Recknagel mirëpret raportin e ri të UNICEF-it dhe shpreson, që kushteve të fëmijëve në qytetet në rritje t'u kushtohet gjithnjë e më shumë vemendje. Në vendet në zhvillim fëmijët dhe familjet e tyre luftojnë vetëm për mbijetesë, thekson ai dhe kërkon të tërheqë vemendjen lidhur me abuzimet në vendet më të pasura.
Fëmijët e varfër në vendet e zhvilluara
Edhe te ne thotë Albert Recknagel fëmijët në qytete lihen në shumicën e rasteve pas dore. Në planifikimin urban është fjala në shumicën e rasteve për të ashtuquajturat „Soft Issues“ si lojërat dhe sporti dhe aktivitete të tjera të kohës së lirë.
„Konventa për të drejtat e fëmijëve kërkon fare qartë përfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve në të gjitha çështjet dhe planifikimet përkatëse. Kjo nuk zbatohet si duhet në komunat dhe qytetet tona, kritikon Albert Recknagel i Terre des Hommes dhe thekson:
„Nuk është fjala për të zbatuar sloganin ‚fëmijët në pushtet'. Jo, fjala është që të njihen fëmijët me mundësitë e tyre dhe të lihen për të marrë pjesë në formësimin e së ardhmes. Fëmijët do të jenë së shpejti përgjegjës për zhvillimin në këtë planet dhe prandaj ata duhen përfshirë sa më parë të jetë e mundur në këto diskutime dhe vendime."
Autor: Helle Jeppssen/Angjelina Verbica
Redaktoi: Bahri Cani