1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raporti i KE 2022: Korrupsioni shqetësim serioz në Shqipëri

Ani Ruci'
13 Tetor 2022

Jo vetëm korrupsioni në Shqipëri mbetet një shqetësim serioz, sipas Komisionit Europian. Ai kërkon që Shqipëria të heqë dorë edhe nga pasaportat e arta për shkak të rreziqeve që lidhen me sigurinë e pastrimin e parave.

https://p.dw.com/p/4I71e
Organisierte Kriminalität und Drogenschmuggel in Albanien
Fotografi: Marina Strauß/DW

Komisioni Europian, (KE) në Raport Progresin - Shqipëria 2022, të publikuar të mërkurën, (12.10) konstaton që korrupsioni vazhdon të jetë një shqetësim serioz. Për nismat legjislative të qeverisë Rama lidhur me amnistinë fiskale dhe të ashtuquaturat "pasaporta të arta” KE tëheq vëmendjen se ato ”rrezikojnë të bien ndesh me normat e Bashkimit Europian.”

Raporti në fjalë vë në dukje që ”Shqipëria është në listën gri për rezultatet e luftës kundër financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parave. Miratimi i një amnistie fiskale dhe penale në kundërshtim me këshillat e BE dhe Moneyval mund të rrezikojë përparimin në këto fusha”.

Lidhur me të ashtuquajturat "pasaporta të arta” KE thekson se "Shqipëria duhet të heqë dorë nga skema e dhënies së nënshtetësisë investitorëve të huaj pasi kjo paraqet rreziqe lidhur me sigurinë, pastrimin e parave, evazionin fiskal, financimin e terrorizmit, korrupsionin dhe infiltrimin e krimit të organizuar,” theksohet në raport. Autoritetet në Shqipëri kanë mbrojtur nismëm legjislative të „pasaportave të arta” dhe kanë deklaruar se nuk ka asgjë për t'u shqetësuar, pasi dhënia e nënshtesisë të huajve të pasur do të bëhet përmes kontrollesh të sigurisë dhe juridiksionit shtetëror.

Albanien  | Charles Michel in Tirana
Charles Michel në TiranëFotografi: Ani RuciDW

Zbatimi i kriterit politik në procesin e hyrjes në BE

Reforma në administratën publike, sistemin gjyqësor, rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë fokuset kryesore lidhur me zbatimin nga Shqipëria të kriterit politik në procesin e hyrjes në BE. KE e vlerëson Shqipërinë "mesatarisht të përgatitur” në administratën publike dhe me një "përparim të kufizuar në forcimin e kapaciteteve të ministrive të linjës për konsultime publike”."Rekrutimi i bazuar në merita, sipas ligjit të shërbimit civil, mbetet për t'u zbatuar plotësisht, veçanërisht për pozitat e nivelit të lartë në administratën publike” vëren raporti.

Reforma në drejtësi

Raporti i KE vlerëson nivelin e përgatitjes së sistemit gjyqësor si "të moderuar, me një përparim përgjithësisht të mirë”. KE konstaton që "procedurat e gjata dhe numri i madh i çështjeve të prapambetura vazhdojnë të ndikojnë negativisht në efikasitetin e sistemit gjyqësor”.

Për ecurinë e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve raportii KE thekson "vazhdimin e përparimit në mënyrë të qëndrueshme”. "Deri më 12 shtator, institucionet e vettingut kishin përfunduar 554 çështje të shkallës së parë. Rreth 64% e dosjeve të vettingut të përpunuara deri më tani kanë rezultuar me shkarkime, dorëheqje ose përfundimin e mandatit të magjistratëve të verifikuar,” theksohet në raport. Sipas Komisionit "institucionet e vettingut duhet të vazhdojnë t'u referojnë organeve të prokurorisë rastet kur ka të dhëna për vepra penale”.

Lufta kundër korrupsionit

Lidhur me luftën kundër korrupsionit raporti vëren që rritja e numrit të dënimeve përfundimtare të zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të ꞔmontuar më tej kulturën e pandëshkueshmërisë. "Bashkëpunimi i fortë dhe i frytshëm me shtetet anëtare të BE-së, Europol-in dhe Eurojust-in ka çuar në rezultate të prekshme. Shqipëria vazhdoi të tregojë angazhim për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit. Progres i mirë është arritur në sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve të lidhura me krimin e organizuar,” thekson raporti.

Drogen Drogenschmuggel Albanien
Progres në luftimin e drogësFotografi: Hektor Pustina/AP Photo/picture alliance

Liria e shprehjes dhe media

KE ka arritur në përfundimin që Shqipëria "nuk ka bërë përparim” në fushën e lirisë së shprehjes. "Ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës vazhdoi të pengonte pavarësinë e medias dhe cilësinë e gazetarisë. Dezinformatat duke përfshirë fushatat e shpifjeve janë të përsëritura, veçanërisht në mediat online, vetërregullimi i të cilave duhet të sigurohet. Atmosfera e sulmeve verbale, fushatave shpifëse dhe akteve të frikësimit ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar”, thekson rapori.

Lidhur me nismën „Ballkani i Hapur" ku merr pjesë Shqipëia, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, KE shpreh rezervat e tij sidomos për mungesën e gjithëpërfshirjes. "Për sa kohë që nisma e "Ballkanit të hapur” është në përputhje me kuadrin e Tregut të Përbashkët Rajonal, përputhet me standardet e BE-së, është plotësisht e hapur dhe gjithëpërfshirëse, është një hap i dobishëm drejt zhvillimit të një tregu të përbashkët midis gjashtë ekonomive të rajonit”, theksohet në raport.

Albanien Journalisten Protest
Protestë e gazetarëve në TiranëFotografi: Ani Ruci/DW

Paketa e zgjerimit të BE  

Krahas publikimit të Progres Raportit - Shqipëria 2022, të mërkurën, (12.10) u prezantua edhe Paketa e zgjerimit të BE drejt Ballkanit Perëndimor, (BE) nga Komisionioneri  për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. "Politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian është një investim gjeostrategjik në paqen, stabilitetin, sigurinë dhe rritjen socio-ekonomike të kontinentit evropian. Nuk ka alternativë dhe është në interesin tonë të përbashkët të përshpejtojmë procesin e integrimit, duke filluar nga Ballkani Perëndimor, ku ne kemi investuar prej shumë vitesh për ta afruar me BE-në”, citohet të ketë thënë Komisionioneri  për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Ai ka theksuar se hapja e negociatave të anëtarësimit me BE më 18 korrik të këtij viti "është një fazë e re e marrëdhënieve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në. "Të dyja vendet duhet të intensifikojnë më tej përpjekjet në fushat kyçe të sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar. Shqipëria gjithashtu duhet të trajtojë të drejtat e pronës, çështjet e pakicave dhe lirinë e shprehjes”, ka thënë komisioneri për zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Rreshtimi krah vendeve të Bashkimit Europain ndaj agresionit rus në Ukrainë shihet si një vendim që gëzon mbështetjen e plotë të shteteve anëtare  ndaj Shqipërisë. "Shqipëria ka përdorur pozicionin e saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuar për t'iu përgjigjur luftës së Rusisë së bashku me aktorët e tjerë, duke sjellë propozime” theksohet në raport.