1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raporti: Gjermania duhet të bëjë më shumë kundër racizmit

Jennifer Fraczek/Eliana Xhani26 Shkurt 2014

Gjermania nuk vepron sa duhet kundër racizmit dhe intolerancës.Ky është konstatimi i një raporti të Këshillit të Evropës. Deficite ka para së gjithash në regjistrimin e akteve penale dhe në ndjekjen penale.

https://p.dw.com/p/1BFWl
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në luftën kundër racizmit dhe intolerancës Gjermania, sipas vlerësimit të Komisionit Antiracizëm të Këshillit të Evropës, duhet të bëjë më shumë. Në një raport të publikuar të martën (25.02.2014) grupi i ekspertëve ndër të tjera kërkon dënime më të forta dhe një sensibilitet më të madh për aktet penale me sfond racist dhe antihomoseksual.

Problemi është më i madh nga sa tregojnë statistikat zyrtare, thuhet në raport. Këtë konkluzion nxjerr Komisioni nga krahasimi i të dhënave të autoriteteve të ndjekjes penale dhe raporteve të organizatave joqeveritare (OJQ). Një shembull: në 2012 në Gjermani janë regjistruar zyrtarisht 186 raste sulmesh homofobe. Një sondazh i një OJQ-ve në mesin e homoseksualëve dhe bi- e transeksualëve katër vjet më parë ka treguar megjithatë se më shumë se një e treta e rreth 24000 të anketuarve kishte përjetuar një sulm të tillë 12 muajt e fundit. Është e rëndësishme që autoritetet gjermane të reformojnë plotësisht sistemin e tyre për regjistrimin dhe shqyrtimin e mëtejshëm të incidenteve me sfond armiqësinë ndaj homoseksualëve dhe transseksualëve, është përfundimi i Francois Sant'Angelo, njërit prej autorëve të studimit.

Pak besim në ndjekjen penale

Fußball Bundesliga Rechtsradikale Fans
Pamje nga trazirat në stadiume të radikalëve të djathtëFotografi: picture-alliance/dpa

Krahas mangësive në regjistrimin e të dhënave duket se problem është edhe besimi i pamjaftueshëm tek autoritetet hetuese, jo së fundi edhe për shkak të gabimeve në zbardhjen e vrasjeve të celulës terroriste të ekstremit të djathtë, NSU. Shumë nga viktimat e sulmeve me sfond racist nuk e denoncojnë aspak sulmin tek autoritetet, thuhet në raport. Për t'ua bërë më të lehtë të prekurve denoncimin duhet të ngrihen qendra të pavarura ankimimi, është një nga rekomandimet e studimit.

Komisioni dëshëron edhe ndihmë më të mirë ligjore për viktimat e diskriminimit. Një kërkesë të cilën e mbështet drejtorja e Zyrës Federale kundër Diskriminimit, Christine Lüders: "Do të ishte për shembull shumë e rëndësishme për Zyrën kundër Diskriminimit, që të merrte të drejtën e ngritjes së padive."

Raporti sheh mangësi edhe në kodin penal. P.sh. kritikohet fakti që në vitin 2008 dështuan disa inisiativa të Këshillit të Landeve që kërkonin dënime më të ashpra për ushtrues dhune me motive raciste. Atëherë në fokus ishte përcaktimi si rrethanë rënduese i motiveve raciste, në dhënien e masës së dënimit. Neni 130 i kodit penal që merret me demagogjinë që nxit urrejtje në popull, kishte gjithashtu nevojë për përpunim. Sipas nenit në fjalë janë të dënueshme penalisht shprehjet raciste "të cilat bëhen në mënyrë të tillë që prishin rendin e paqes". Por kjo është shpesh e vështirë të provohet dhe ky relativizim duhet të hiqet nga formulimi i ligjit.

Bildergalerie Diskriminierung
Christine LüdersFotografi: picture-alliance/dpa

Lëvdata për Zyrën kundër Diskriminimit

Gjermania merr në raport edhe përgëzimin. Programet e parandalimit me të cilat të rinjtë duhet të mbrohen nga rrëshqitja në skenën e djathtë, vlerësohen pozitivisht. Gjithashtu përshëndeten edhe përpjekjet e kohëve të fundit për ndalimin e partisë ekstremiste të djathtë NPD.

Zyra kundër Diskriminimit lëvdohet në veçanti për projektin e saj pilot të aplikimeve në formë anonime, me të cilat duhet të pengohet që aplikantët për një vend pune të përjashtohen që në fillim nga procesi i kandidimit për shkak të moshës apo origjinës. Zyra kundër Diskriminimit sipas mendimit të Komisionit duhet të marrë më shumë kompetenca. Me mjete shtesë ajo mund të punësonte për shembull më shumë bashkëpunëtorë për këshillimin e të prekurve, thotë Christine Lüders.

Një fenomen evropian

Rekomandimet e Komisionit Antiracizëm të Këshillit të Evropës, që nuk ka të bëjë me BE-në apo institucionet e tij, nuk janë detyruese. Por me raportet e tij Komisioni tërheq vëmendjen të paktën për një farë kohe ndaj mangësive në luftën kundër diskriminimit dhe intolerancës.

Raportet hartohen çdo pesë vjet për secilin nga 47 vendet anëtare të Këshillit të Evropës. Intoleranca në rritje është një fenomen që ndeshet në gjithë Evropën, thotë Francois Sant'Angelo.