1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Radikalizimi përmes rrjeteve sociale?

3 Shtator 2024

Zyra e Gjermanisë për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues flet për "TikTokizimin e Islamizmit". A po përdoren rrjetet sociale si model për sulme si ai në Solingen?

https://p.dw.com/p/4k96t
Arrestimi i Issa al H.
Arrestimi i Issa al H. Fotografi: Heiko Becker/REUTERS

Issa al H., sulmuesi i supozuar nga Solingen, i përshtatet në mënyrë të përkryer grupit të synuar kryesor të organizatës terroriste "Shteti Islamik" (IS) dhe grupeve të tjera ekstremiste si "Muslim Interactive". Islamistët synojnë të rinjtë në rrjetet sociale si TikTok ose Telegram për t'i tërhequr ata në ideologjinë e tyre shpesh vdekjeprurëse.

Për ta, çdo formë demokracie, në të cilën garantohen liritë politike dhe sociale, si barazia midis burrave dhe grave, është armik. Kushdo që i përmbahet dhe jeton sipas këtyre vlerave, kudo në botë, konsiderohet i pafe dhe mund të vritet.

Sipas njohurive të shërbimeve të sigurisë dhe ekspertëve të terrorizmit në Gjermani, xhihadistë ose "luftëtarë të Zotit", individë që, si në Solingen, vrasin njerëz me mjetet më të zakonshme, po rekrutohen gjithnjë e më shumë në internet.

Xhihadizmi në internet
Xhihadizmi në internetFotografi: Andreas Arnold/dpa/picture alliance

Sulmuesi nga Solingeni mund të jetë një "ushtar” i Shtetit Islamik

IS mori përgjegjësinë për sulmin në Solingen. Por ende nuk është vërtetuar përfundimisht nëse Issa al H. ka vepruar si i ashtuquajtur "ushtar” me urdhër të një grupi terrorist. Ndonëse ai i përshtatet profilit të sulmuesve të tillë.

Thomas Mike nga "Violence Prevention Network" (VPN) në Berlin është njohur me këtë lloj grupi njerëzish përmes punës së tij të përditshme Ai e di saktësisht se çfarë roli luajnë rrjetet sociale në radikalizim - ka shumë filma propagandistikë që synojnë të gjitha grupmoshat, për të tërhequr fëmijët dhe të rinjtë. "Ata përpiqen të zgjojnë emocione te të rinjtë dhe të krijojnë një ndjenjë komuniteti”, tha Majk për DW.

Videoklipe me një mesazh të thjeshtë: "Ti je i joni!"

E gjithë kjo nuk është një fenomen i ri, por sipas vëzhgimeve të Mike është duke u intensifikuar. Ata u ofrojnë të rinjve një identitet dhe përpiqen t'i largojnë nga shoqëria me mesazhe të thjeshta: "Ju jeni i yni nëse silleni sipas rregullave të Islamit të vërtetë." Ju duhet të luftoni kundër kësaj bote!

Kjo lloj propagande është bërë edhe më e pranishme që nga fillimi i luftës së Gazës, pas sulmit terrorist të Hamasit islamik mbi Izraelin më 7 tetor 2023. "Ne e shohim shumë qartë se skena ekstremiste përdor konfliktin në territoret palestineze si temë për mobilizim, për të promovuar ideologjinë e saj politike”.

Xhihadizmi në internet - manipulimet janë të mëdha në rrjete
Xhihadizmi në internet - manipulimet janë të mëdha në rrjeteFotografi: Oliver Berg/dpa/picture alliance

Sulmi me thikë si "hakmarrje edhe për atë që po ndodh në Palestinë"

Sulmi terrorist në Solingen është i tmerrshëm, por për fat të keq jo befasues, thotë Mike. "IS e quajti sulmin në Solingen si hakmarrje për atë që po ndodh në Palestinë. Lidhja me konfliktin në Lindjen e Mesme është më se e dukshme”.

Interneti si një vend ku të ashtuquajturit predikues të urrejtjes bëjnë thirrje për sulme? Për ekspertin e terrorizmit Hans-Jakob Schindler, nuk ka asnjë dyshim për këtë. "Ata u drejtohen në mënyrë specifike njerëzve që janë në chats (grupe për bisedime) ku këta predikues janë të pranishëm, dhe më pas kalojnë nga ato grupe të hapura në grupe të mbyllura për radikalizim të mëtejshëm", thotë drejtori i Projektit Ndërkombëtar për Luftimin e Ekstremizmit (CEP).

Shërbimet e sigurisë dhe puna e tyre

Kjo është arsyeja pse vëzhgimi është një pjesë kyçe e zbulimit të hershëm në luftën kundër terrorizmit, thekson Schindler. Megjithatë, shërbimet gjermane të sigurisë shpesh ankohen se nuk kanë autoritet të mjaftueshëm për ta bërë këtë. Ato besojnë se është e nevojshme të ruhen të gjitha komunikimet elektronike. Për këtë, çdo adresë IP individuale duhet të regjistrohet. Kjo nuk është e mundur deri më tani, sepse qeveria gjermane ende nuk ka rënë dakord për këtë çështje, që i përket mbrojtjes së të dhënave.

Përkujtimi i viktimave në Solingen
Përkujtimi i viktimave në SolingenFotografi: Jana Rodenbusch/REUTERS

Ministrja e Brendshme, Nancy Faeser (SPD), e mbështet këtë kërkesë. Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë, Marco Buschmann (FDP), mendon se është e mjaftueshme ruajtja e përkohshme e të dhënave të personave të dyshimtë, e ashtuquajtura "Quick-Freeze”.

Shërbimi i Mbrojtjes së Rendit Kushtetues dhe policia nuk dinin asgjë

Nëse sulmi me thikë në Solingen ka mundur të parandalohet përmes ruatjes së të dhënave, mbetet e diskutueshme. E sigurt është që sulmuesi i dyshuar nuk ka qenë në radarin e policisë apo të Shërbimit për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues. Gjetjet aktuale tregojnë se Issa al H. ishte radikalizuar si individ në internet.

Parandalimi i njerëzve të tillë nga realizimi i planeve të tyre vdekjeprurëse, sipas Thomas Mick i Rrjetit për Parandalimin e Dhunës, është pothuajse i pamundur.

Rrjetet sociale shpesh përdoren për rekrutimin e terroristëve
Rrjetet sociale shpesh përdoren për rekrutimin e terroristëveFotografi: Infinity News Collec/imagebroker/IMAGO

Lufta antiterroriste përmes rrjeteve

Megjithatë, shërbimet e sigurisë shpesh arrijnë të parandalojnë sulmet e planifikuara. Ndonjëherë ata marrin informacion nga shërbimet e huaja të inteligjencës. Ose përgjojnë njerëz të dyshimtë si pjesë e një kërkimi sekret në internet. Me të ashtuquajturin monitorim të burimit të komunikimit, lejohet edhe përgjimi i bisedave të drejtpërdrejta dhe leximi i mesazheve në aplikacionet e mesazheve. Por kjo është e mundur vetëm me urdhër të gjykatës.

Për të luftuar radikalizimin në internet, kanalet e grupeve ekstremiste shpesh fshihen në rrjetet sociale. "Këto masa nuk mund të parandalojnë plotësisht përhapjen e përmbajtjes xhihadiste, por e bëjnë më të vështirë”, thuhet në raportin aktual të Shërbimit për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues.

Deutsche Welle Marcel Fürstenau Kommentarbild ohne Mikrofon
Marcel Fürstenau redaktor dhe autor i DW për politikën dhe historinë bashkëkohore