1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

QUINT: Të pezullohet vendimi i Bankës për dinarin serb

29 Janar 2024

Zbatimi i rregullores së Bankës Qendore të Kosovës, që pritet të hyjë në fuqi më 1 Shkurt e përjashton në mënyrë automatike përdorimin e valutës së Serbisë në territorin e Kosovës.

https://p.dw.com/p/4bmk3
Kartëmonedha në dinarë
Fotografi: Bekim Shehu/DW

Ambasadorët e vendeve më të industrializuara në Kosovë, QUINT i kërkuan autoriteteve kosovare që ta pezullojnë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore BQK, e cila përcakton Euros si të vetmen monedhë në Kosovë, me të cilën mund të kryhen pagesa me para të gatshme. Zbatimi i kësaj rregulloreje e cila pritet të hyjë  në fuqi nga data (01.02), e përjashton në mënyrë automatike përdorimin e valutës së Serbisë, Dinarin që të kryhen pagesa në territorin e Kosovës.

QUINT shpreh shqetësim për pasojat e rregullores në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës

Ambasadorët e QUINT, ku bëjnë pjesë SHBA, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe me një komunikatë të përbashkët, thanë se "pezullimi do të mundësonte një periudhë të mjaftueshme tranzicioni për komunikim të qartë dhe efektiv publik” dhe shtuan se "çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. "Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa apo ndihma financiare nga Serbia”, thuhet në komunikatën e QUINT.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ulur në tavolinë
Fotografi: EU/Claudio Centonze

Gjatë fundjavës ambasadorët e QUINT-tit takuan kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi që njëherësh është edhe kryenegociator i Kosovës në dialog me Serbinë. Në një njoftim të qeverisë, thuhet se "në këtë takim kryeministri ka theksuar rëndësinë e respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë respektimit të autoriteteve të pavarura, në këtë rast të Bankës Qendrore, BQK”. Më tej autoritetet kosovare thonë se "Banka Qendrore është autoriteti i vetëm që zbaton politikat monetare në vend dhe çdo trysni ndaj vendimeve të kësaj banke paraqet ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni”.

I ngarkuari për dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me syze dhe kostum të zi
I ngarkuari për dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav LajçakFotografi: Darko Vojinovic/AP Photo/picture-alliance

Lajçak shpreson të gjendet zgjidhje

Ditë më parë, Banka Qendrore e Kosovës, e miratoi  një rregullore për operacionet me para të gatshme që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e transaksioneve, ndonëse, në rregullore nuk përmendet  specifikisht ndalimi i dinarit serb. Ky vendim hyn në fuqi me datën 1 shkurt, gjë që ka nxitur reagime të ashpra nga Serbia. Bashkimi Evropian, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë, që të shmangin veprimet e pakoordinuara, të cilat nuk janë në frymën e normalizimit të raporteve, vendime këto që mund të ndikojnë negativisht në situatën në terren.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha nga ana e tij, se ai "shpreson që të gjendet një zgjidhje, në mënyrë që të mos ketë pasoja negative”. Lajçak tha se "informacionet që i ka marrë nga Kosova për këtë çështje, i ka përcjellë në Bruksel”. Vetë Lajçak gjatë ditës së martë do të qëndrojë në Kosovë.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, me syze dhe kostum blu
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar PetkoviqFotografi: John Thys/AFP/Getty Images

Kundër vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës u shprehen menjëherë autoritetet e Serbisë. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se "pret që të realizohet ajo çfarë ka deklaruar Lajçak, pra që të gjendet një zgjidhje që nuk do të përfundojë me pasoja negative”. Në të gjitha vendbanimet në Kosovë ku shumicë janë serbët, qytetarët e përdorin dinarin serb për të kryer pagesa. Po ashtu serbët që punojnë për institucionet paralele serbe në Kosovë, pagat i marrin me dinarë. Me dinarë të Serbisë paguhen edhe pensionet, shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale. Po ashtu dinari i Serbisë përdoret edhe në objektet tregtare në zonat e banuara me serbë. Valuta e Serbisë, dinari është sjellë në Kosovë përmes Bankës Kombëtare të Serbisë.