1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qiproja përgatitet për evakuime nga Lindja e Mesme

Lyritsas Loucianos
11 Gusht 2024

Pas përshkallëzimit të gjendjes në Lindjen e Mesme, shoqëritë e fluturimit i ndërprenë fluturimet në Izrael. Qiproja është kthyer në një pikë të rëndësishme tranziti për udhëtimet, por mund të presë edhe të evakuuarit.

https://p.dw.com/p/4jJi9
Ministri i Jashtëm qipriot, Konstantinos Kombos, me syze dhe kostum blu, pas flamuj
Ministri i Jashtëm qipriot, Konstantinos KombosFotografi: Geert Vanden Wijngaert/AP/picture alliance

Që nga shkallëzimi i gjendjes në Lindjen e Mesme, Qiproja vend anëtar i BE është vënë gjithnjë e më shumë në fokus. Ajo filloi të luante një rol të rëndësishëm që me furnizimin e popullsisë civile në Rripin e Gazës si vend nga niseshin ndihmat. Tani Qiproja mund të kthehet në një bazë, ku mund të strehohen të evakuuar dhe refugjatë nga rajoni i krizës. Që tani ka shumë vetë që duhet të qëndrojnë aty, megjithëse destinacioni i tyre është Izraeli.

Javën e kaluar gati 20 shoqëri fluturimi ndërprenë fluturimet e drejtpërdrejta për në Aeroportin Ben-Gurion në Izrael ose i shtynë ato. Qiproja u kthye në një stacion të rëndësishëm të ndërmjetëm pas kësaj. Pasagjerëve izraelitë që nuk kanë mbërritur në vend i është rekomanduar të udhëtojnë në Greqi ose Qipro, dhe prej aty do të merren nga shoqëritë e fluturimit e të kthehen në Izrael. Aeroporti në Larnaka është një pikë e rëndësishme tranziti për pasagjerët e prekur nga ndërprerja e fluturimeve. Ministri qipriot i Transportit, Aleksis Vafeades siguroi këto ditë, se "lidhjet e fluturimit mes Qipros dhe Izraelit do të vazhdojnë të qëndrojnë", sipas agjencisë së lajmeve në Qipro, CNA. Ministri qipriot theksoi, se do të ruajë stabilitetin e udhëtimeve dhe angazhimin e Qipros megjithë tensionet rajonale.

Aeroporti Larnaka, Qipro, njerëz duke hyrë në aeroport
Aeroporti Larnaka, QiproFotografi: Ivan Tykhyi/Zoonar/picture alliance

Nga Qipro në shtëpi

Aktualisht nga Larnaka kryhen 14 fluturime në ditë, që u mundësojnë rreth 4000 pasagjerëve udhëtimin nga Qipro dhe Izraeli. Para përshkallëzimit të gjendjes ishin 10 shoqëri fluturimi aktive në këtë itinerar, dy prej tyre ndërkohë kanë ndalur fluturimet. Për shkak të rritjes së tensioneve dhe rrezikut të një shkallëzimi të ri, autoritetet qipriote janë në gjendje të lartë gatishmërie. Qiproja ka deklaruar të jetë edhe vend pritjeje i sigurtë për evakuimin e qytetarëve nga zonat e luftës në Lindjen e Mesme. Gjermania dhe Polonia ndërkohë kanë deklaruar, se në rast nevoje do të sjellin në shtëpi qytetarët e tyre nga Izraeli apo Libani përmes Qipros.

Koordinim i ngushtë me Gjermaninë

Në një deklaratë të dhënë në maj, ministri i Jashtëm qipriot, Konstantinos Kombos, konfirmoi planet për zbatimin e të ashtuquajturit Plani ESTIA, në rast se do duhet të vihet në veprim. Ky plan që ka hyrë në fuqi në tetor 2023, përcakton procedurat për pranimin, strehimin dhe kthimin e shtetasve nga vende të treta që largohen nga zonat e luftimeve.

Qiproja ka aktivizuar edhe një plan të dytë me emrin NAFKRATIS, që parashikon evakuimin e qytetarëve të BE apo nga vende të treta nga Libani apo nga Qiproja apo menaxhimin e një vale refugjatësh nga rruga detare. Ndërsa në lidhje me Libanin, Qiproja bashkëpunon me Gjermaninë dhe Kanadanë, pasi shumë qytetarë nga dy vendet gjenden në Liban. Në portin e Larnakas, qëndrojnë të gatshëm punonjës të shtabeve të krizës nga Ministria e Jashtme kanadeze dhe gjermane për të organizuar evakuime në përmasa të mëdha në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës. Edhe aviacioni luftarak gjerman është i gatshëm të ndihmojë.

Anije amerikane e "World Central Kitchen" me ndihma për Gazën në Larnaka, prill 2024
Anije amerikane e "World Central Kitchen" me ndihma për Gazën në Larnaka, prill 2024Fotografi: Getty Images/AFP/Hasan Mroue

Kërcënimet e Nazrallahut

Afërsia gjeografike e Qipros me Lindjen e Mesme ka bërë që ky vend të kthehet në një objektiv potencial sulmi. Më 19 qershor, kreu i Hizbollahut, Hasan Nazrallah kërcënoi Qipron se do të shohë Qipron si "pjesë të luftës", nëse Izraeli përdor portet apo bazat qipriote për të organizuar sulme kundër Libanit. Që atëherë qeveria qipriote thekson, se as në të shkuarën asnjëherë nuk ka vënë në dispozicion  baza për veprime armiqësore kundër një vendi dhe nuk do ta bëjë këtë as në të ardhmen. Ministri i Jashtëm qipriot, Kombos në korrik 2024 në Bruksel deklaroi, se "Qiproja asnjëherë nuk ka qenë pjesë e krizës, si dihet botërisht, po pjesë e zgjidhjes."

Së fundmi qeveria qipriote korrigjoi deklaratat e ministrit izraelit të Transportit, Miri Regev, për mbështetje të mundshme të Greqisë dhe Qipros në evakuimin e qytetarëve izraelitë. Regev kishte lenë të kuptohet, se Izraeli mund të kërkojë ndihmë "anijeve nga Athina në Greqi apo Larnaka në Qipro" për të transportuar izraelitët e mbetur në aeroporte për shkak të ndërprerjes së fluturimeve. Zëdhënësi i qeverisë, Konstantinos Letymbiotis e korrigjoi këtë në fillim të javës duke theksuar, se një aksion i tillë prek anije që merren në përdorim nga Izraeli dhe jo Qiproja, dhe se kjo nuk ka të bëjë me planin ESTIA për evakuimin e qytetarëve nga zonat e rrezikut.

Mision i vështirë - Ndihmat për Gazën nga ajri