Qiproja bllokon sanksionet e BE kundër Bjellorusisë
21 Shtator 2020Qiproja vuri veton ndaj përpjekjeve të BE për të vendosur sanksione kundër rreth 40 zyrtarëve bjellorusë, përfshirë Aleksandër Lukashenkon.
Masat u diskutuan në përgjigje të zgjedhjeve, në të cilat Lukashenko u zgjodh për një mandat të gjashtë në detyrë dhe përballë përgjigjes së ashpër të qeverisë së Minskut ndaj protestuesve që kundërshtojnë rezultatin.
Qiproja, e cila ka marrëdhënie të mira me qeverinë ruse mbështetëse të Lukashenkos, deshi që sanksionet të lidhen me sanksionet kundër Turqisë për shkak të një mosmarrëveshjeje rreth kërkimit të gazit në Mesdheun lindor.
Ministri i Jashtëm i Letonisë Edgars Rinkevics i dënoi veprimet e Qipros në në rrjetin e twitterit, duke thënë se "dërgohet një sinjal i gabuar për bjellorusët, shoqëritë tona dhe të gjithë botën".
Çfarë tha opozita e Bjellorusisë
Ministrat e hapën debatin pasi takuan kundërshtaren kryesore të Lukashenkos Sviatlana Tsikanouskaya, e cila bëri thirrje për një përgjigje të guximshme.
Duke folur para gazetarëve pasi u takua me ministrat në mëngjes, Tsikhanouskaya i kërkoi Evropës të ndërpresë çdo mbështetje financiare për qeverinë e Bjellorusisë.
"Ne bëmë shumë për ta përballuar këtë situatë vetë, vetëm me forcën e popullit bjellorus, por tani e kuptoj se kemi nevojë për ndihmë të jashtme," tha ajo.
Tsikhanouskaya tha se e kuptonte që disa ministra ngurronin, por ndihma financiare "do të shkonte vetëm për dhunë, për vrasjen e bjellorusëve".
"Në këtë takim, unë kërkova vetëm të jeni më të guximshëm", tha ajo.
Cila është situata në Bjellorusi?
Rezultati i zgjedhjeve të gushtit tregoi se Tsikanouskaya fitoi vetëm rreth 10% të votave, ndërsa Lukashenko - i cili ka qenë në pushtet për 26 vitet e fundit - mori rreth 80% të votave. Disa njerëz kanë humbur jetën në protesta që nga votimi. Tsikanouskaya u detyrua të largohej nga Bjellorusia për sigurinë e saj pas zgjedhjeve.
Shefi i politikës së jashtme të BE, Josep Borrell tha se ministrat do të diskutonin gjithashtu atë mbështetje që blloku mund të sigurojë për njerëzit bjellorusë. Ai gjithashtu tha se marrëdhëniet me Minskun mund të kenë nevojë të rishikohen përballë faktit se "ne nuk e njohim Lukashenkon si president legjitim të Bjellorusisë".
Ai i hodhi poshtë pretendimet se Bashkimi Evropian po ndërhynte. "Kjo nuk mund të konsiderohet si ndërhyrje në punët e brendshme, sepse demokracia dhe të drejtat e njeriut janë në themel të identitetit të Bashkimit Evropian."
aud (AP, AFP, dpa, Reuters)