1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qindra të vdekur në Sumatra - Tërmet i ri në Indonezi

1 Tetor 2009

Pamjet që ofron Padangu janë të tmerrshme. Qyteti bregdetar i ishullit indonezian Sumatra, u trondit të enjten në mëngjes nga një tërmet i dytë. Autoritetet druajnë, se nën gërmadha ndodhen më shumë se 1.000 vetë.

https://p.dw.com/p/JvVX
Harta e Indonezisë
Harta e IndonezisëFotografi: AP Graphics/DW Fotomontage

Zyrtarisht numri i viktimave deri tani është 500 vetë. Megjithatë është e vështirë të llogariten përmasat e pasojave nga tërmeti i dytë.

Ende pa ndodhur tërmeti i dytë, autoritetet druheshin, se numri i viktimave mund të ishte shumë më i madh. Ne duhet të llogarisim që përmasat e pasojave mund të jenë më të mëdha se ato të tërmetit në Xhakarta para tre vitesh, tha ministrja e Shëndetësisë, Sita Fadila Supari. Atëherë patën humbur jetën rreth 3.000 njerëz.

Në foto: një makinë mes ndërtesave të rrënuara në Padang, Sumatra.
Pamje të shkatërrimit në qytetin Padang, pas tërmetit të rëndë në Sumatra të Indonezisë.Fotografi: AP

Rreshjet e pandërprera të shiut dhe ndërprerja e rrymës po e vështirösojnë punën e ekipeve të shpëtimit në Padang. Nga rrëshqitjet e dheut janë bllokuar edhe disa rrugë, që shpien në kryeqytet. Furnizimi me energji dhe rrjeti telefonik nuk funksionojnë. Edhe aeroporti është mbyllur .

Afër ishullit Sumatra e ka patur epiqendrën edhe tërmeti, i cili në ditën e kërshendellave në vitin 2004, pat shkaktuar cunamin në Oqeanin Indian. Atëherë patën humbur jetën më shumë se 230.000 njerëz, 160.000 vetëm në ishullin Sumatra. Dy tërmetet e fundit para bregut të Padangut nuk kanë shkaktuar ndonjë cunam. Ndryshe nga Paqësori Jugor, ku pas një tërmeti të rëndë afër Samoas, një cunam shkaktoi vdekjen e të paktën 113 njerëzve. gjeologët nuk janë të një mendjeje, nëse tërmeti në Samoa ka ndonjë lidhje me tërmetin në Sumatra. Eksperti Simon Boxall tha në televizionin australian: "Natyrisht që mund të ketë qenë një rastësi që dy tërmetet ndodhen në të njëjtën ditë. Por është gjithashtu e mundur, që tërmeti në Paqësorin Jugor të ketë shkaktuar tërmetin në Sumatra. Por tërmeti në Padang kishte të ngjarë të ndodhte së shpejti".

Gjeologët kanë paralajmëruar vazhdimisht, se Padangu, për shkak të pozitës së tij gjeografike në buzë të së ashtuquajturës "unaza e zjarrtë e Paqësorit", mund të shkatërrohej nga tërmetet brenda një dite të vetme.

Autor: Bernd Musch-Borowska / Esat Ahmeti

Redaktoi: Eliana Xhani