Qeveria gjermane ul TVSH-në për gazin
18 Gusht 2022Gazi dhe energjia elektrike do të kushtojnë më shumë në Gjermani. Shumë më të shtrenjta, kjo është e sigurt. Arsyeja është e qartë: varësia gjermane nga furnizimet me gaz nga Rusia është e lartë, Rusia tashmë ka reduktuar furnizimet e saj në minimum si rezultat i luftës në Ukrainë. Gjermanët po përgatiten për një dimër të vështirë dhe të kushtueshëm.
Kancelari Olaf Scholz (SPD) ka theksuar vazhdimisht se qeveria nuk do t'i lërë vetëm qytetarët në këtë situatë të vështirë. "Rritja e çmimeve të energjisë është një barrë e rëndë për shumë qytetarë," tha Scholzi të enjten në Berlin. "Qeveria Federale është e të njëjtit mendim që klientët e gazit nuk duhet të paguajnë shtesë si rezultat i mbledhjes së detyrueshme të TVSH-së për taksat e gazit". Prandaj, TVSH-ja e gazit do të ulet nga 19% në 7%. Kjo masë do të zbatohet deri në mars 2024, domethënë për sa kohë që taksa e gazit do të rëndojë mbi klientët.
Taksa e gazit jo aq e lartë sa mendohej
Në fillim të kësaj jave, kompania përgjegjëse Trading Hub Europe (THE) GmbH njoftoi se qytetarët gjermanë duhet të paguajnë një taksë prej 2,419 cent për kilovat orë gaz nga 1 tetori. Kjo masë synon të mbështesë kompanitë e gazit, të cilat për shkak të ndalimit të furnizimeve të gazit nga Rusia, duhet të kërkojnë alternativa të shtrenjta dhe komplekse. Kësaj i shtohet edhe taksa e zakonshme për energjinë dhe taksa për depozitimin e gazit, të cilat THE i vendosi të enjten me 0,57 cent dhe 0,059 cent për kilovat orë.
Për një familje të zakonshme, një familje me dy fëmijë dhe një apartament rreth 100 metra katrorë, kjo paraqet një kosto shtesë prej rreth 575 euro në vit. Dhe kjo është vetëm taksa, kostot shtesë për konsumin faktik nuk dihen ende, por ato mund të jenë jashtëzakonisht të larta. Dhe ato do t'i godasin njerëzit në pranverë, kur furnizuesit e gazit përcaktojnë konsumin faktik. Lajmi i vetëm i mirë: Ministri Federal i Ekonomisë Robert Habeck (Të Gjelbrit) kohët e fundit tha se taksa mund të arrijë edhe në 5 cent euro për kilovat orë. Në fund, gjërat nuk shkuan aq keq.
Klientët - shumë më të lehtësuar se sa do të rëndohen nga taksa e gazit
Me uljen e TVSH-së, klientët e gazit në përgjithësi do të jenë shumë më të lehtësuar se sa do të rëndohen nga taksa e gazit, tha Scholzi. Ai pret që bizneset ta kalojnë uljen e taksave plotësisht tek konsumatorët. Fillimisht, qeveria federale deshi ta hiqte TVSH-në për taksën e gazit.
Por ligji evropian nuk e parashikon këtë. Kuadri ligjor nuk lejon përjashtime, tha Komisioneri i Çështjeve Ekonomike të BE-së, Paolo Gentiloni në një letër drejtuar ministrit të Financave të Gjermanisë, Christian Lindner. Megjithatë, qeveria gjermane ka mundësi ta ulë TVSH-në aktuale në normën minimale evropiane prej 5 për qind. Koalicioni në pushtet në Gjermani nuk shkoi aq larg. Ai thjesht e uli TVSH-në në normën e reduktuar prej 7 për qind.
Ministri i Ekonomisë dhe Zëvendëskancelari Robert Habeck (Të Gjelbrit) e kishte quajtur më parë taksën e gazit një "tabletë të hidhur", por në të njëjtën kohë formën më të mirë të ndarjes së drejtë të barrës shtesë midis popullatës. Sipas Habeckut, po të mos kishte vepruar qeveria, tregu i energjisë do të kishte pësuar kolaps.
Jo të gjitha kompanitë e duan taksën e gazit
Ndërkohë disa grupe kanë bërë të ditur se heqin dorë nga taksa e gazit. Në të vërtetë, disa kompani po shënojnë fitime pavarësisht nga situata e tensionuar. Kështu, grupi RWE ka bërë të ditur se nuk dëshiron të përdorë taksën e gazit. Nga ana tjetër, 12 importues të gazit deklaruan kostot e furnizimit.
Sipas ekonomistëve, taksa e gazit do të çojë në një rritje të normës së inflacionit. Kështu, Instituti i Makroekonomisë dhe Kërkimeve Ekonomike i Fondacionit Hans Böckler, i afërt me sindikatat, vlerëson se një normë inflacioni prej rreth dhjetë për qind është e mundur në tremujorin e katërt. Ekspertët e Commerzbank-ës presin që inflacioni të rritet në mbi nëntë për qind deri në fund të vitit.
Perspektiva e një situate dramatike në dimër
Sido që të jetë, çmimet e gazit në Gjermani - pavarësisht taksës dhe TVSH-së - me siguri do të rriten në mënyrë dramatike. Më shumë se një në dy shtëpi në Gjermani ngrohen me gaz. Vitin e kaluar, kilovat ora e gazit kushtonte rreth gjashtë cent. Furnizimet e lira të gazit nga Rusia ishin të garantuara, gjermanët ishin mësuar me kosto të moderuara. Sot gjithçka ka ndryshuar. Çmimi sot është rreth 13 cent euro, por mund të jetë shumë më i lartë në disa zona. Grupi energjetik Vattenfall në Berlin, për shembull, u kërkon klientëve të rinj rreth 25 cent.
Është ende verë, ngrohësit me gaz ende janë të fikur. Por vjeshta dhe dimri po vijnë në Gjermani - dhe bashkë me to kosto në përmasa krejt të reja.