Qeveria gjermane ndalon IS në Gjermani
12 Shtator 2014Reklama për grupimet sunite dhe paraqitja e simboleve të tyre ndiqet penalisht, deklaroi ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere të premten (12.09) në Berlin. "Organizata terroriste IS përbën kërcënim për sigurinë publike në Gjermani", paralajmëroi politikani kristiandemokrat. Përderisa IS nuk është e organizuar si shoqatë në Gjermani, ndalimi drejtohet kundër mbështetësve të këtij grupimi. Ata këtej e tutje i presin dënime me gjobë ose me burgim deri në dy vjet në rast se paraqesin në publik simbole të IS. "Gjermania është një demokraci difensive, këtu nuk ka vend për organizata terroriste si Shteti Islamik, që drejtohen kundër rendit të shtetit tonë."
Ministri de Maiziere e cilësoi "ndalimin e IS një hap të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, një hap të rëndësishëm për lirinë dhe sigurinë në Gjermani. Ndalimi drejtohet vetëm kundër terroristëve, që abuzojnë me religjonin për qëllimet e tyre kriminale. Myslimanët në të gjithë botën janë kundër terrorit barbar të organizatës terroriste Shteti Islamik. Ata e dënojnë abuzimin me fenë, që dëmton imazhin e besimit Islam."
Deri më sot ithtarët e IS në Gjermanin lirshëm mund të tregonin flamujt dhe simbolet e kësaj organizate. Tani kjo ka ndryshuar me vendimin për ndalimin e tyre. Por me këtë vendim IS ende nuk është klasifikuar si një organizatë e huaj terroriste në Gjermani - për këtë do të duhej një vendim gjyqësor. Sipa svlerësimit të qeverisë në trupat e milicëve IS janë aktivë edhe disa qindra luftëtarë gjermanë.
CIA: deri në 31.500 luftëtarë IS janë aktivë
Ndalimi i IS është pjesë e një serie masash të qeverisë në luftë kundër terroristëve, që janë aktivë kryesisht në Irak dhe në Siri. Kësisoj krahas ndihmës humanitare për refugjatët në Irak, qeveria ka vendosur edhe furnizimin me armë të kurdëve në veri të Irakut, ku ata luftojnë kundër IS. Sipas të dhënave të Shëbrimit Sekret të SHBA-së, CIA, IS ndërkohë ka rreth 20.000 deri në 31.500 pasues në Irak dhe në Siri. Numri i tyre është rritur përmes intensifikimit të rekrutimeve që nga qershori, njofton televizioni CNN duke iu referuar një zëdhënësi të CIA-s.
Kërkesa për ndalimin e IS në Gjermani u parashtrua në Bundestag nga politikanë të të gjitha partive.