1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria miraton pikat kyçe për legalizimin e kanabisit

26 Tetor 2022

Qeveria gjermane ka miratuar pikat kyçe për legalizimin e kanabisit në Gjermani. Megjithatë, rezervat ligjore të BE ende duhet të trajtohen dhe paralajmërimet për projektin po shtohen.

https://p.dw.com/p/4Ii8W
Bime kanabisi
Fotografi: TNS via ZUMA Wire/dpa/picture alliance

Kabineti qeveritar i Gjermanisë ka miratuar planet e Ministrit të Shëndetësisë Karl Lauterbach për legalizimin e kanabisit. Standardet e tij për ligjin e planifikuar përfshijnë dekriminalizimin e blerjes dhe posedimit "deri në një sasi maksimale prej 20 deri në 30 gram kanabis të kohës së lirë për konsum personal në hapësirën private dhe publike". Kultivimi personal privat do të lejohet në një masë të kufizuar.

"Prodhimi, shpërndarja dhe shpërndarja e kanabisit rekreativ do të autorizohet brenda një kuadri të kontrolluar nga shteti”, vijon teksti i referencës. Nuk do të ketë kufi të sipërm për përmbajtjen e THC në shpërndarjen e kanabisit për njerëzit e moshës 21 vjeç e lart, ndërsa një masë e tillë është në shqyrtim për të rinjtë.

E drejta ndërkombëtare mund ta rrëzojë projektin

Me këtë projekt, ministri i Shëndetësisë Lauterbach zbaton një projekt të marrëveshjes së koalicionit të qeverisë në pushtet. Pas vendimit të kabinetit, duhet të fillojë procedura legjislative. Por ende nuk dihet nëse kjo do të ndodhë vërtet. Rregullat ndërkombëtare dhe evropiane për kanabisin mund të pengojnë legalizimin në Gjermani.

Kuadri ligjor ofron "opsione të kufizuara për zbatimin e projektit të koalicionit”, shkruhet edhe në dokumentin referencë të miratuar nga kabineti. Veçanërisht në këtë kontekst përmendet konventa për zbatimin e Marrëveshjes së Shengenit. Prandaj, një projektligj konkret do të paraqitet vetëm kur të duket se nuk ka kundërshtime ligjore nga ana e BE për liberalizimin e planifikuar të kanabisit.

Bime kanabis
Fotografi: Katerina Solovyeva/Zoonar/picture alliance

Kritika nga Bavaria

Qeveria bavareze përsëriti kritikën e saj ndaj projektit. "Planet e legalizimit të qeverisë federale janë një sinjal i rrezikshëm jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për të gjithë Evropën”, tha ministri bavarez i Shëndetësisë Klaus Holetschek (CSU) për gazetën "Augsburger Allgemeine”. Përdorimi i kanabisit mbart "rreziqe të rëndësishme dhe pjesërisht të pakthyeshme shëndetësore dhe sociale". Holetschek-u paralajmëroi më tej për rrezikun e "turizmit të drogës në Gjermani".

Paralajmërim nga Shoqata e Farmacistëve të Rinit Verior-Vestfalisë

Shoqata e farmacistëve të landit federal të Rinit Verior-Vestfalisë e kritikoi projektin e Lauterbach-ut. "Komisioni gjerman i medikamentit të farmacistëve është shprehur qartë kundër legalizimit të kanabisit për qëllime rekreative dhe ka paralajmëruar për rreziqet shëndetësore të përdorimit të kanabisit", tha presidenti i shoqatës Thomas Preis në "Rheinische Post".

Farmacitë e shohin veten në një mosmarrëveshje profesionale, tha Preis. Sigurisht, për shkak të ekspertizës së tyre profesionale, ato janë të përshtatshme për të përmbushur standardet e cilësisë së lartë të kërkuara për shitje dhe këshillim. Nga ana tjetër, farmacistët janë profesionistë shëndetësorë”, tha kreu i shoqatës. Prandaj, një "situatë e mundshme konkurruese me furnizuesit thjesht komercialë konsiderohet veçanërisht kritike".

aud (dpa, tgsch)