Qeveria e re e Papandreut: Votë besimi në parlament, votë mosbesimi jashtë tij
22 Qershor 2011Pak para orës një sot në të gdhirë qeveria e kryeministrit grek Jorgos Papandreu mori siç pritej votëbesimin në parlamentin grek. “Qeverisë i dhanë votëbesim 155 deputetë nga 298 që votuan gjithsej”, deklaroi kryetari i parlamentit Filipos Pecalnikos. Votimi u karakterizua nga ballafaqimi i ashpër politik midis krerëve partiakë për kursin e ndjekur por dhe largimin e përkohshëm të opozitës së djathtë pas deklaratës së nënkryetarit Teodoros Pangallos se demokracia u vendos në Greqi në vitin 1981, me qeverinë e parë të socialistëve të Andreas Papandreut dhe jo më 1974 me rënien e juntës fashiste dhe kthimin nga Parisi të liderit historik të së djathtës Konstandinos Karamanlis.
U desh ndërhyrja “korigjuese” dhe qetësuese e kryeministrit Papandreu dhe apeli i tij dramatik për evitimin e çdo “imazhi negativ në një moment kritik për vendin” që të rivendoset normaliteti në sallë.
Papandreu: Votëbesimi është një kontratë me popullin
“Votëbesimi i sotëm është një kontratë besimi me popullin grek se çfarë mund t'i premtojmë dhe çfarë nuk mund t'i premtojmë” deklaroi kryeministri Papandreu, i cili e cilësoi krizën “si të vetmin shans për ndryshimin e Greqisë”. Papandreu shprehu besimin e tij “se Greqia do ia dalë mbanë” dhe se është në “dorën e vetë grekëve që të qendrojnë në këmbë” dhe të vazhdojnë pa ndihmën e forcave kredituese. Papandreu shprehu me forcë edhe vendosmërinë e qeverisë së tij për mbajtjen e referendumit në vjeshtë si “kurorëzim të unitetit të popullit”, që refuzohet ndërkohë nga opozita e djathtë si “truk qeveritar” dhe nga opozita e majtë si “manovër çtensionimi” e revoltës popullore.
Samaras: “Greqia rrezikohet të vdesë e shëruar”
Në fjalën e tij kryetari i opozitës Andonis Samaras tha se jep konsensus vetëm për ndryshimin e kursit të ndjekur dhe kërkoi rishikim të memorandumit por edhe mbajtjen e zgjedhjeve si të vetmen rrugëzgjidhje. “Greqia rrezikon të shërohet nga mëkatet e veta por të vdesë e shëruar” deklaroi Samaras, i cili e cilësoi edhe njëherë memorandumin si “ilaçin e papërshtatshëm” që zhyt ekonominë në recesion gjithnjë e më të thellë. Kreu i së djathtës tha se do të votojë ndërkohë ligjin zbatues të programit afatmesëm, që pas presionit të troikës vjen për aprovim në parlament para datës 30 qershor dhe samitit evropian që do të ndezë “dritën jeshile” për transhin e 5-të të ndihmës prej 12 miliardë eurosh por edhe paketën e re të kreditimit.
Venizellos: Masa që do t'i japin fund padrejtësisë
Në fjalën e tij para se të marrin fjalën krerët e partive ministri i ri i Financave Evangjellos Venizellos, e përshkroi si imperativ rivendosjen e ekuilibrit moral të masave shtrenguese dhe u angazhua për masa të tilla, që do t'i japin fund padrejtësisë.
“Iu ftoj dhe iu lutem që të pajisni në radhë të parë kryeministrin që përgatitet për samitin por edhe mua si ministër të Financave me mbështetjen e duhur... se çdo dështim ekonomik dhe politik përmban kosto që e paguan qytetari grek”, deklaroi Venizellos. Duke përshendetur kthimin e deputetëve të opozitës në sallë ai foli edhe një herë për “mungesë fiktive konsensusi”.
Kreu i opozitës së majtë Aleksis Cipras u shpreh kundër programit afatmesëm si një “akt sekuestrues i pronës publike”, kurse kryetarja e Partisë Komuniste Alega Papariga kërkoi mosnjohjen e borxhit dhe ftoi për front popullor antiqeveritar.
Protestuesit: i vetmi parlament i ligjshëm është “sheshi i të revoltuarve”
Por në qoftë se brenda parlamentit qeveria siç pritej mori votëbesim vetëm me votën e deputetëve të saj, jashtë parlamentit ajo mori votë mosbesimi nga mijëra të revoltuar, që e rrethuan në mënyrë simbolike për orë të tëra dhe krijuan për të 25-ten ditë me radhë një atmosferë të nxehtë. Protesta mbeti paqësore megjithëse pak pas mesnates, nuk munguan edhe konfrontimet me policinë që përdori edhe gazin lotshellës për të siguruar largimin e deputetëve të mbrojtur dhe nga gardhi rrethues, të cilët u disaprovuan me forcë nga protestuesit.
“Në parlament çfarëdo që të bëhet nuk na intereson, pasi nuk na përfaqëson” - i tha Deutsche Welle-s protestuesi Jorgos Picikaris. Për ata i vetmi parlament i ligjshëm është ai i “sheshit të të revoltuarve”, ose “Dhoma e Poshtme” sipas shprehjes domëthënëse të kreut të së majtës Aleksis Cipras. “Vaj halli në qoftë se nuk do të vijë ndryshimi” thotë Arqileas, siç prezantohet me emrin e shkurtër, i revoltuari pensionist që nuk mund të ndjehet mirë kur “më të shumtët nuk ndjehen mirë”. “Do të luftojmë edhe ditët në vazhdim që të mos kalojë programi afatmesëm dhe të gjitha ato që do të bëjnë skëterrë jetën tonë dhe sidomos brezit të ri” - i tha Deutsche Welle-s mësuesi protestues dhe sindikalist Thanasis Agapitos nga Selaniku, që u gjend në Athinë për një konferencë mbarëkombëtare të mësuesve dhe së bashku me një grup kolegësh të tij përfunduan në sheshin e protestës.
Qeveria do ta ketë përballë saj “sheshin” ditët në vazhdim, kur do të kalojë si programin afatmesëm po kështu edhe ligjin zbatues, që përmban në mënyrë të detajuar masat e reja shtrenguese fiskale për një periudhë 3-vjeçare dhe deri në vitin 2015.
Autor: Niko Anagnosti / Athinë
Redaktoi: E.Xhani