1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria e Kosovës me projektligj për vazhdimin e mandatit të EULEX-it

Bekim Shehu19 Prill 2014

Të merkurën e javës së ardhshme me 23.04. Parlamenti i Kosovës voton për vazhdimin e mandatit të misionit EULEX. Në këtë seancë me gjasë votohet edhe për themelimin e gjykatës speciale.

https://p.dw.com/p/1BkzY
Atifete Jahjaga Hashim Thaci 18.04.2014
Fotografi: DW/B. Shehu

Kuvendi i Kosovës javën e ardhshme, me datën 23 prill, do të diskutojë për vazhdimin e mandatit të misionit EULEX dhe me gjasë edhe për gjykatën speciale, e cila do të gjykojë krimet e supozuara të UÇK-së të përmendura në raportin e senatorit zviceran Dick Marty. Për zhvillimet e fundit rreth mandatit të misonit EULEX diskutuan të premten në një takim presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaci. Të dy krerët e shtetit, siç thuhet në një njoftim te presidencës, “theksuan nevojën për arritjen e konsensusit shoqëror dhe politik për proceset e rënda, por të domosdoshme për të siguruar që Kosova i përmbush obligimet e saj në fushën e drejtësisë dhe vazhdimit të mandatit të misionit të EULEX-it në Kosovë, të përshkruar në letërkëmbimin e diskutuar dhe pajtuar paraprakisht ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian”.

“Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaçi vlerësuan se sado i rëndë të jetë i gjithë ky proces do të përqendrohet në individë dhe veprime individuale dhe nuk është gjykim i përpjekjeve kolektive të popullit për çlirim dhe pavarësi”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Mirëpo, që të vazhdohet mandati i misionit EULEX deri në vitin 2016 duhen amandamentuar një serë ligjesh në Kuvendin e Kosovës. Për këtë qëllim qeveria e Kosovës të premten me datën 18.04. miratoi projektligjin, që i parasheh këto ndryshime.

Është ligji për prokurorinë speciale të Republikës së Kosovës, ligji mbi kompetencat për zgjedhjen e lëndëve dhe caktimin e lëndëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it në Republikën e Kosovës, kodi penal i Republikës së Kosovës, kodi i procedurës penale të Republikës së Kosovës, ligji për dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ligji për Departamentin e Mjekësisë Ligjore, Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe kodi doganor dhe i akcizës të Republikës së Kosovës.

Ky projektligj përcakton qartë që të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës në fushën e rendit dhe sundimit të ligjit do të udhëhiqen nga institucionet apo përfaqësuesit vendorë.

Sipas qeverisë nga data 15 prill e këtij viti nuk do të ketë raste, të cilat do t'i marrin prokurorët e EULEX-it pa autorizim të prokurorëve vendorë, respektivisht Prokurorisë Speciale dhe Prokurorit të Shtetit.

Gjithashtu në njoftimin e qeverisë thuhet se “është precizuar qartë se edhe emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it do të kalojë përmes një propozimi në Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor të Republikës së Kosovës dhe do të dekretohen nga presidentja e Republikës së Kosovës.

Sidoqoftë tashmë pothuaj të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, me përjashtim të Lëvizjes Vetvendosja, janë pajtuar që ta votojnë vazhdimin e mandatit të misionit EULEX në Kosovë deri në vitin 2016 dhe po ashtu themelimin e Gjykatës Speciale. Mirëpo të dyja këto procese ndonëse përmenden si të ndara, duhet të marrin votat e dy të tretave të deputetëve të kuvendit të Kosovës.