1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria afgane dhe talibanët të gatshëm për bisedime

Christoph Heinzle13 Shtator 2007

Këshilltari për çështjet e sigurimit i presidentit afgan Karsai: Me një pjesë të talibanëve mund të bisedohet në bazë të kushtetutës.

https://p.dw.com/p/BfbY
Presidenti afgan Hamid KarzaiFotografi: AP
undefined

Ndërsa politikanët evropianë dhe përfaqësuesit e NATO-s po diskutojnë për mënyrën se si do të vazhdojë angazhimi i tyre në Afganistan, qeveria afgane është e mendimit se mund të hyjë në bisedime me një pjesë të talibanëve.

Edhe pse ende nuk ka kontakte zyrtare apo ndonjë ftesë të tillë për bisedime mes talibanëve dhe qeverisë afgane, ideja e këtyre bisedimeve po merr formë. Presidenti Karzai dhe këshilltarët e tij nuk dyshojnë në seriozitetin e ofertës së talibanëve për bisedimeve.
Salmaj Rasuli, këshilltar për çështjet e sigurimit dhe person i besuar i presidentit Hamid Karsai thotë ndër të tjera se kjo gatishmëri lidhet me humbjet e talibanëve gjatë vitit të kaluar dhe me pakënaqësinë e popullsisë ndaj tyre për shkak të vrasjes së civilëve gjatë sulmeve të radikalëve islamikë.

“Ka talibanë që po e marrin vesh dalëngadalë se nuk është mirë të shkatërrosh vendin tënd. Ne duhet që të dallojmë mes një bërthame, e cila është në anë të Al Kaidës dhe ndjek pozicione ideologjike ekstreme dhe atyre talibanëve që e kanë kuptuar se ndoshta po zhvillojnë një luftë të gabuar." - tha Rasuli.

Zëdhënësi i talibanëve Ahmadi deklaroi të hënën (10.09) se talibanët janë të gatshëm për bisedime me qeverinë afgane. Sipas të dhënave të Rasulit krerët e talibanëve nuk kërkojnë si më parë tërheqjen e trupave të huaja nga vendi. Ata kërkojnë vetëm që SHBA-të t'i heqin nga lista e organizatave terroriste që kanë lidhje me Al Kaidën.
Por pas kësaj deklarate zëdhënësi i talibanëve Ahmadi bëri nhjë korrigjim, duke kërkuar fillimisht tërheqjen e trupave të huaja dhe pastaj fillimin e bisedimeve.

Qeveria afgane mendon se në parim bisedimet janë të mundshme, por jo në formën e një konference zyrtare si ajo e vitit 2001 në kështjellën Petersberg pranë Boni. Një ide të tillë kishte hedhur gjatë vizitës së tij në Kabul kryetari i SPD-së, Kurt Bek (Kurt Beck).

"Një konferencë si ajo e Petersbergut do të thoshte njohjen politike të talibanëve. Talibanët e refuzojnë aktualisht gjithçka që kemi bërë ne, dhe për këtë ata nuk mund të ulen në një tryezë bisedimesh me ne. Në rast se talibanët themelojnë një parti politike në kuadrin e kushtetutës sonë, gjë për të cilën ka edhe rregulla, atëhere pse jo? Por jo me talibanët si një organizatë politiko-ushtarake, e cila synon të diskutojë sërish të gjitha ato që ne kemi arritur gjatë gjashtë viteve të fundit." - thekson Rasuli.

Sipas mendimit të Rasulit talibanët mund të jenë madje edhe pjesëmarrës në qeveri. Një gjë e tillë gjithësesi nuk mund të bëhet në përfundim të bisedimeve për paqe dhe si rezultat i tyre, por vetëm në rast se talibanët si parti konkurrojnë dhe fitojnë në zgjedhjet e ardhshme në Afganistan.

Ende është e paqartë nëse qeveria afgane është e gatshme të bisedojë edhe me drejtuesit e lartë të talibanëve, Mullah Omarit dhe njerëzve të tij të afërm, të cilët gjithashtu kanë sinjalizuar gatishmëri për bisedime. Sipas Rasulit qeveria afgane është e gatshme të bisedojë me të gjithë ata që nuk shkatërrojnë vendin dhe duan të punojnë për të ardhmen e tij, por jo me terroristët.

Pra me gjithë gatishmërinë e të dyja palëve për bisedime ende ka shumë pikëpyetje dhe nga deklaratat deri në realizimin konkret të tyre mbetet ende një rrugë e gjatë.