1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Që Gjermania të mbetet Gjermani"

8 Janar 2017

Qeveria e landit të Bavarisë do të vendosë të martën për një koncept që synon të ndikojë politikën ndaj refugjatëve në Gjermani.

https://p.dw.com/p/2VRmE
Deutschland Tradition in Bayern Symbolbild
Fotografi: picture alliance/dpa/R. Peters

Kryeministri bavarez Horst Seehofer e ka formuluar personalisht "qarkoren" me titull "Që Gjermania të mbetet Gjermani", gjë që gazeta "Münchner Merkur" e quan si një proces mjaft të pazakontë. Sipas kësaj gazete, e cila e ka marrë paraprakisht dokumentin në fjalë, Seehofer-i ka kërkuar pas sulmit të Berlinit një përshtatje të politikës së azilit. Qarkorja sipas gazetës "Münchner Merkur" pritet të plotësohet me shumë propozime të veçanta që kanë përpiluar ministrat bavarezë përgjegjës për sigurinë me deputetë të Bundestagut dhe të parlamentit të landit.

Po pranimit të refugjatëve

Një ndër pikat themelore të qarkores së Seehofer-it është sipas gazetës pranimi i refugjatëve në Gjermani, sepse "pranimi i atyre që kanë nevojë për mbrojtje është një imperativ i përgjegjësisë së krishterë dhe humanitare". Shteti duhet të veprojë me "zero tolerancë ndaj ksenofobisë, racizmit dhe antisemitizmit". Por në qarkore ngulet këmbë për një kufi maksimal prej 200,000 refugjatësh në vit që mund të pranohen në Gjermani. Kjo mund të zgjidhet me anë të këtij sistemit të kuotave në të gjithë Evropën.

CSU Winterklausur  Seehofer
Horst Seehofer: Ata që nuk respektojnë ligjet gjermane, duhet të dëbohen. Fotografi: picture-alliance/dpa/T. Hase

Shefi i CSU-së do ta kufizojë edhe më tej në mënyrë rigoroze bashkimin familjar për refugjatët, shkruan gazeta "Münchner Merkur" dhe ta bëjë atë të varur  prej faktit nëse refugjatët janë në gjendje për ta përballuar vetë jetesën e tyre në Gjermani.

Më tepër kufizime

Për ta bërë në përgjithësi më pak tërheqëse përfshirjen në sistemet sociale në Gjermani propozohet që për migrantët e moshuar të kufizohet të kufizohet sigurimi bazë, nëse ata nuk e kanë kaluar periudhën e madhe të jetës së tyre si të punësuar në Gjermani.

Ata që nuk respektojnë ligjet gjermane, duhet të dëbohen nga vendi, kërkon Seehofer-i sipas gazetës "Münchner Merkur".

Kryeministri bavarez synon ta kufizojë edhe ardhjen e punonjësve të kualifikuar në Gjermani përmes një ligji për "Kufizimin e Emigracionit".

Më shumë marrëveshje me vendet e treta

Seehofer-i bën gjithashtu thirrje për marrëveshje të mëtejshme me vendet e treta, ku ka qendra refugjatësh, shkruan "Münchner Merkur". Vetëm marrëveshja BE-Turqi çoi në lehtësimin kufirit të jashtëm të BE-së me Greqinë, shkruan Seehofer-i. Megjithatë këto marrëveshje me vendet e treta nuk duhet "të shoqërohen me çështje që nuk kanë lidhje me to" si anëtarësimi në BE ose heqja e regjimit të vizave.

Po ashtu Seehofer-i bën thirrje edhe për zgjerimin e ndihmës së Bashkimit Europian për vendet në zhvillim, veçanërisht në Afrikë. Programet e ndihmës nuk duhet të shkurtohen dhe "për këtë arsye të shtohet mjerimi dhe vuajtjet në kampet e refugjatëve," citon gazeta nga qarkorja e tij.

(dw, afp, dpa, kna)