1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përse Mynihu?

11 Mars 2012

Mynihu ndërton qendrën e dokumentacionit të periudhës naziste. Metropoli ndeshet me historinë e tij si qendër e lëvizjes naziste.

https://p.dw.com/p/14Iwk
Me 9 mars u vendos guri i themelit
Me 9 mars u vendos guri i themelitFotografi: 2011 Portal München

Emrin "Palais Barlow" vështirë se e njeh akoma dikush sot në Mynih. Megjithatë ky është një vend historik. NSDAP kishte këtu gjatë Rajhut të Tretë selinë e partisë dhe kështu pallati shumë shpejt u quajt "Pallati i kaftë". Ndërtesa vetë u shkatërrua gjatë luftës.

Që nga viti 2011 këtu kryhen ndërtime për ngritjen e qëndrës së dokumentacionit nazist. Ajo krijohet për të ndriçuar pjesën e errët të historisë gjermane. Në një vend real historik, nga ku dikur u organizua terrori, tani do të krijohet një hapësirë për formimin historiko-politik, për të ndërgjegjësuar më fort brezat e ardhshëm për demokracinë e sundimin e ligjit.

Rrugë për kapërcimin e së kaluarës

Shtëpia e kaftë në Mynih, selia e partisë NSDAP
Shtëpia e kaftë në Mynih, selia e partisë NSDAPFotografi: picture-alliance

Një grup pune me ekspertë, historianë dhe arkitektë me emër zhvilluan konceptin për prezantimin e qendrës së dokumentacionit nazist. Wilfried Nerdinger është drejtor i muzeut të arkitekturës në Mynih dhe anëtar i grupit të ekspertëve: "Ideja në bazë të konceptit është që në paraqitje të përfshihet autenticiteti i vendit. "Sepse me të vertetë nga ndërtesa e muzeut deri tek ndërtesat naziste janë vetëm 100 metra në vijë ajrore. Kështu duhet të arrihet vendosja e urës ndërmjet së kaluarës dhe të tashmes. Hans-Georg Küppers, referenti për kulturën i qytetit thotë se vizitorët duhet të inkurajohen për të bërë pyetje të tilla, si: "'Përse Mynihu?' dhe 'çfarë ka të bëjë kjo sot me mua?'"

Mynihu ka rëndësi qendrore për krijimin dhe përhapjen e nacionalsocializmit. Këtu u themelua NSDAP, këtu ishte qendra e partisë, këtu ndodhi puçi Hitler-Ludendorff, me anë të të cilit kancelari i mëvonshëm i Rajhut u përpoq të vinte në pushtet në vitin 1923. Hitleri vetë e quajti Mynihun "kryeqytetin e lëvizjes" dhe u përpoq ta formësonte sipas ideve të tij estetike.

Marshim i nazistëve në Mynih, 1935
Marshim i nazistëve në Mynih, 1935Fotografi: picture-alliance/dpa

"Qendra e dokumentimit të nazismit" në Mynih, në qoftë se do të hapet siç është planifikuar në vitin 2014, do të hedhë dritë mbi shkaqet dhe do të tregojë rrethanat, që çuan, që një qytet dhe banorët e tij u rrëmbyen nga nazistët. Përveç kësaj krijuesit e qendrës kanë për qëllim që të bëjnë të kapshme edhe mekanizmat e propagandës dhe terrorit, përndjekjen e atyre, që mendojnë ndryshe, por edhe rezistencën. Në sipërfaqen prej gati 1000 metër katrorë në katër kate do të dokumentohen periudha para dhe pasojat e kohës naziste, si dhe vitet ndërmjet 1933 dhe 1945.

Dinamikë e re për një proces të gjatë

Në Berlin, Këln, apo Nuremberg ka prej kohësh projekte të ngjashme. Që nga viti 2001 ishte e qartë se edhe në Mynih do të ndërtohet një qendër e dokumentacionit të periudhës naziste. Idetë e para kanë qenë që pas përfundimit të luftës, por u shtynë vazhdimisht. Pati shumë debate për vendin, pastaj financimin dhe në fund emrin e qendrës. Në nënstor 2011 drejtoresha u desh të largohej, sepse me sa dukej nuk mund të paraqiste një koncept koherent për ndërtimin. Pastaj gjithçka shkoi shumë shpejt përpara.

Ceremonia e fillimit të punimeve

Adolf Hitleri në Mynih, 1941
Adolf Hitleri në Mynih, 1941Fotografi: picture-alliance/Judaica-Sammlung

Me 9 mars u vendos guri i themelit, direkt pranë shkollës së lartë të muzikës në Mynih, ndërtesës së dikurshme të fyrerit dhe fare pranë ndërtesave neoklasike të muzeve në sheshin mbretëror. Aty nazistët dogjën librat në vitin 1933, fare pranë ndodhet universiteti, ku motër dhe vëlla Scholl dhe bashkëluftëtarët e tyre të lëvizjes së rezistencës studentore "Trendafili i bardhë" shpërndanë traktet e tyre.

Muzeu i ri do të ketë pamje kret tjetër nga ndërtesat përreth. Një kub i thjeshtë me hapje të mëdha, që lejojnë të hedhesh sytë në të kaluarën. Një ndërtesë krejt tjetër nga "shtëpia e kaftë", që ndodhej një herë këtu. Por shtëpia e bardhë do të jetë e dukshme për të gjithë.

Autorin: Renate Heilmeier/Angjelina Verbica

Redaktoi. Aida Cama