230910 Argentinien Erinnerung
7 Tetor 2010Qershor 1978. Bota ka drejtuar sytë tek Argjentina ku zhvillohet kampionati botëror i futbollit. Në të njëjtën kohë regjimi ushtarak organizon atje zhdukjen e opozitarëve, i torturon dhe i vret ata. Mjedisin në të cilin ndodhin këto krime e përshkruan Martin Kohan në romanin e tij "Dy herë qershor", nga këndvështrimi i një ushtari të ri.
Katër vjet më vonë. Forcat e armatosura argjentinase janë në luftë në ishujt Falkland, në Buenos Ajres. Kujdestarja e re Maria Teresa duhet të mbikqyrë disiplinën në një gjimnaz elitar. Këto janë subjektet rreth të cilave ngrihet historia e romanit të Kohanit "Mësim sjelljesh", i cili sapo është publikuar në gjuhën gjermane.
Letërsi e ushqyer nga perceptimet e fëmijërisë
"Kur në vitin 1976 ndodhi puçi ushtarak unë isha 9 vjeç. Gjatë luftës në ishujt Falkland isha 15 vjeç, dhe një vit më vonë, në 1983 mori fund një diktaturë. Si fëmijë isha i rrethuar nga një atmosferë e caktuar shoqërore, në ajër ndihej një lloj shqetësimi. Por prej saj unë nuk krijova një pamje të qartë për situatën politike. Letërsia ime ushqehet më shumë nga perceptimet e mia të atmosferës së asaj kohe se sa nga ngjarje konkrete", thotë Martin Kohan.
Shkrimtar argjentinas, 43 vjeçar vitet e fundit është marrë në mënyrë letrare me kapitullin e errët të diktaturës në vendin e tij.
Fjala "memoria" është në vendin tonë sinonim për kujtimin e sundimit ushtarak, shpjegon Patricia Kolesnikov, shefe e fejtonit në të përditshmen "Clarín".
"Diktatura është shoah-ja jonë. Për pjesën më të madhe të argjentinasve ajo kohë është pjesë e jetës. Është interesante që vitet e fundit kanë shkruar libra mbi diktaturën disa shkrimtarë shumë të rinj, të cilët nuk e kanë përjetuar fare ose shumë pak atë kohë."
Shkrimtarët janë fëmijët e të zhdukurve dhe të përndjekurve
Disa nga këta autorë të rinj përpunojnë megjithatë përvoja personale, të cilat janë të lidhura direkt me diktaturën. Felix Bruzzone, autori i librit me histori të shkurtra titulluar "1976", ka lindur në vitin e puçit ushtarak. Ai është një fëmijë i të zhdukurve, "desaparecidos". Ndërsa prindërit e Laura Alcoba-s, autorja e librit "Shtëpia e lepurit", i përkisnin organizatës së përndjekur guerilase "Montoneros".
Librat mbi diktaturën nuk janë në Argjentinë një fenomen i kohëve të fundit. Qysh nën regjimin ushtarak në mënyrë të koduar shkrimtarët kishin treguar për situatën. Pas rikthimit të demokracisë u bë e mundur të shkruhej pa censurë për terrorizmin shtetëror, përgjegjës për zhdukjen e rreth 30.000 vetëve dhe grabitjen e rreth 500 foshnjeve. Shkrimtari Kohan thotë:
"Fillimish është shkruar mbi përjetimet e viktimave. Mbi shoqërinë si viktimë, për ata të cilët ishin direkt të prekur nga krimet, dhe për të afërmit e të zhdukurve. Pak më vonë u shfaq një tjetër dimension i kujtesës: filloi të shkruhej një letërsi që merrej me lëvizjen revolucionare të viteve '60 dhe '70, e cila i parapriu puçit."
Vështrim i distancuar në të kaluarën e errët
Sot Martin Kohan dhe shkrimtarë të tjerë të brezit të tij hedhin një vështrim të ri, të distancuar në ngjarjet e saj kohe, trajtimi letrar i tyre është më indirekt.
"Për mua nuk është i rëndësishëm pasqyrimi një më një në letërsi i përjetimeve. Në romanet e mia unë distancohem nga dimensioni dokumentues, nga tregimet e dëshmitarëve", thekson Kohan.
Kohan nuk është një autor librash "bestseller", por romanet e tij shiten mirë në Argjentinë. Ekziston nevoja për të kuptuar kohën e dhimbshme të diktaturës, një trajtim letrar mund të ndihmojë në këtë drejtim. Sundimi ushtarak kriminal për argjentinasit nuk është aspak kapitull i mbyllur. Para pak kohësh dolën para gjyqit përgjegjës të krimeve të asaj kohe. Kërkimi i të zhdukurve vazhdon. Pra për diktaturën do të vazhdohet të shkruhet.
Autor: Victoria Eglau / Eliana Xhani
Redaktoi: Esat Ahmeti