1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përplasje Kosovë-Serbi për kufijtë

Bekim Shehu
17 Maj 2021

Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit nuk arritën që të pajtohen për të gjitha konkluzionet e takimit, ngase Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuciq, u largua para përfundimit të Samitit të Bërdo-Brijunit.

https://p.dw.com/p/3tWGU
Slowenien | Brdo-Brijuni Gipfel
Fotografi: Office of the Kosovo presidency

Vuçiq u tha gazetarëve serbë se "nuk ka pranuar që në konkluzionet e takimit të përmendet mosndryshimi i kufijve në rajon, pa u përfshirë edhe kërkesa e Serbisë, që kjo të nënkuptojë "mosndryshimin e kufijve të njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara”, që sipas tij, nuk është pranuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

"Serbia gjithmonë ka mbështetur parimin e respektimit të mosndryshimit të kufijve të njohur nga Kombet e Bashkuara. Disa mendojnë se kufijtë nuk duhet të ndryshohen ashtu si u atyre pëlqen, kurse ne mendojmë se kufijtë nuk duhet të ndryshohen, gjë që është në përputhje me rregullat e vendosura nga Kombet e Bashkuara”, tha Vuçiq, pas takimit. Ai insistoi se “Kosova është pjesë e Serbisë” dhe se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës po ashtu nuk është respektuar parimi i mosndryshimit të kufijve”.

Slowenien | Brdo-Brijuni Gipfel
Fotografi: Office of the Kosovo presidency

Ndërkohë, njëri nga nikoqirët e takimit, Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor tha se formulimi për deklaratën përfundimtare që kërkoi Presidenti i Serbisë, do të nënkuptonte, që disa shtete, përfshirë edhe Slloveninë dhe Kroacinë, të tërhiqnin njohjen e Kosovës.

"Presidenti Vuçiq nuk ishte kundër që të diskutohej për ndalimin e ndryshimit të kufijve kombëtarë, por ai propozoi një formulim të tillë që do t'i ndalonte të gjitha shtetet që ta njohin Kosovën, sepse Kroacia e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, Sllovenia dhe disa shtete të tjera e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Jo të gjitha shtetet e BE-së e kanë njohur. Ishte e qartë se ne mund të nisnim diskutimet për këtë temë, por ato nuk do të përfundonin kurrë", tha Borut Pahor. Kurse Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, tha se "Samiti i Bërdo-Brionit  kishte për qëllim për të ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor që të përafrohen me BE-në, dhe jo për të komplikuar edhe më tej gjërat".

Slowenien | Brdo-Brijuni Gipfel
Fotografi: Office of the Kosovo presidency

Në Bërdo të Sllovenisë, mori pjesë edhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e cila para të pranishmëve tha se "krimet e kryera nga Serbia në Kosovë gjatë luftës përbëjnë gjenocid”. Sipas saj "pa pranimin e të vërtetës, rajoni nuk mund të ecë përpara”.

"Krimet e kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit t'i quajmë me emrin e tyre të vërtetë: Krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Dhe, më e rëndësishmja është të kërkojmë nga fqinji ynë verior, Serbia, të sjellë para drejtësisë autorët e këtyre krimeve të tmerrshme kundër civilëve të pafajshëm”, tha Vjosa Osmani.

Sidoqoftë, Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, tha pas takimit të Bërdo-Brionit se gjatë diskutimeve të presidentëve të shteteve kishte tone të larta, mirëpo, në fund është arritur pajtueshmëri për t'iu drejtuar Bashkimit Evropian se "shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të shihen si një, e jo veç e veç në procesin e zgjerimit të BE.

"Ne bëmë një punë të mirë. Ishte një nga takimet më të vështira, ku të gjithë thanë gjithçka dhe në fund duhej bërë shumë për të arritur një kompromis. Ky nuk është një kompromis bosh. Pra shkurtimisht, ne i bëjmë thirrje BE-së të shohë Ballkanin Perëndimor si një tërësi, jo vetëm si vende individuale me të cilat Komisioni Evropian po negocion. Kjo nuk ka ndodhur deri më tash”, tha Borut Pahor.

Në Samitin e Bërdo-Brijunit morën pjesë Presidentët e vendeve të rajonit të Ballkanit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, ai i Malit të Zi Millo Gjukanoviq, Stevo Pendarovski President i Maqedonisë së Veriut, Aleksandër Vuçiq, President i Serbisë dhe nga Bosnja e Hercegvoina, tre anëtarë të presidencës kolektive të këtij shteti, Shefik Xhaferoviq, Zheljko Komshiq dhe Millorad Dodik. Samiti i Bërdo-Brionit është nismë e përbashkët e Sllovenisë dhe Kroacisë, që ka për qëllim të ndihmojë vendet e rajonit të Ballkanit në procesin e integrimeve evropiane. Takimi i sotën në Slloveni shënon 10 vjetorin e kësaj nisme.