1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përplasja për shkak të emërimit të Junckerit e paevitueshme

Bernd Riegert / Ina Verbica26 Qershor 2014

Një samit në dy vende. BE përkujton fillimisht në Ypres viktimat e luftës së parë Botërore. Pastaj dita e dytë në Bruksel është më pak festive. Priten debate për emërimet.

https://p.dw.com/p/1CQeJ
Ypern Gedenken Ausbruch Erster Weltkrieg Angela Merkel 26.06.2014
Fotografi: picture-alliance/AP Photo

Pjesën e parë të takimit të BE-së Presidenti i Këshillit Herman Van Rompuy, vetë flamand, e ka vendosur me qëllim në Flandër, në pjesën veriore të Belgjikës. Në Ypres, të 28 krerët e shteteve dhe qeverive përkujtojnë këtë të enjte (26.06) shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, 100 vjet më parë. Ypres ka qenë në vitet 1914-1918 fushëbeteja e luftës ndërmjet sulmuesve gjermanë dhe mbrojtësve kryesisht britanikë. Qyteti i vogël u shkatërrua pothuajse krejtësisht dhe e rindërtua pas luftës.

Rreth një gjysmë milioni ushtarë vdiqën në fushat e betejës dhe në llogore, të cilat janë pjesërisht të hapura për vizitorët. Edhe 100 vjet pas shpërthimit të luftës çdo vit vijnë mijëra turistë. Sidomos britanikë vijnë në Ypres për të përkujtuar me kryqe të vogla prej druri dhe lulëkuqe të afërmit dhe bashkatdhetarët e tyre. Në Ypres ushtria gjermane përdori për herë të parë në vitin 1915 gazin helmues si armë. Në rrjedhën e luftës pastaj të dyja palët luftuan njëra-tjetrën me gaze helmuese.

Kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE do të organizojnë edhe në Ypres një darkë tradicionale pune në mbrëmje, por këtë herë për shkak të afërsisë me fushëbetejat dhe varrezat nuk do të debatohet, por do të bisedohet solemnisht në lidhje me detyrat e BE-së në pesë vitet e ardhshme, pra për mandatin e ardhshëm të Komisionit Evropian. Për këtë Herman Van Rompuy, kryetari në largim i Këshillit, ka paraqitur një dokument. Ai përfshin fjalët e njohura, si lufta kundër papunësinë, shtimi i inovacioneve dhe përmirësimi i politikave ekonomike dhe energjetike. BE duhet të kujdeset për të domosdoshmet dhe jo të rregullojë çdo gjë thuhet në dokument. Van Rompuy kërkon edhe një trajtim më "fleksibël" të paktit evropian të Stabilitetit dhe Zhvillimit.

Me fjalë të tjera: Vendet si Franca dhe Italia do të mund të bëjnë më shumë borxhe, por baza ligjore nuk duhet të ndryshohet. Për këtë këmbëngul kryesisht Gjermania. "Ne jemi të bindur se pakti i stabilitetit duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi, si një nga pjesët më të rëndësishme të kapërcimit të eurokrizës, se nuk duhet të ndryshohet", tha Angela Merkel në javën para samitit. Kryeminsitrat socialistë dhe social-demokratë, në rradhë të parë Francois Hollande (Francë) dhe Matteo Renzi (Itali) kishin kërkuar një Pakt Stabiliteti më fleksibël si çmim për dhënien e pëlqimit për çështje personeli.

Kryeministri Cameron kundërshton

Çështjet e diskutueshme të emërimeve do të trajtohen të premten (27.06), kur samiti sërish do të mblidhet si zakonisht në Bruksel. Në sallë do të ketë përplasje, sepse disa diplomatë të BE-së janë të sigurtë, se kryeministri britanik David Cameron do që të votohet hapur për Presidentin e Komisionit të BE-së. Kjo është e re në rrethin e 28 krerëve të shteteve të BE. Cameron e refuzon fituesin e zgjedhjeve europiane, konservatorin Jean-Claude Juncker, si president të ri të Komisionit Evropian. Kandidati kryesor i grupit më të fortë parlamentar nuk ka automatikisht të drejtë të marrë postin drejtues në BE, kömböngul prej javësh Cameron. "Ne, udhëheqësit e zgjedhur në mënyrë demokratike të Evropës, duhet të jemi ata, që zgjedhin se kush drejton institucionet, dhe jo të pranojmë se është një procedurë e re, për të cilën kurrë nuk është rënë dakord. Kjo është e rëndësishme, mendoj unë."

Merkel und Cameron Archiv 06.03.2014
Angela Merkel dhe David CameronFotografi: picture-alliance/dpa

Megjithatë David Cameron ka pak aleatë në mesin e homologöve të tij. Ai nuk do të jetë në gjendje të pengojë një shumicë për Junkerin. Kancelarja gjermane me influencë Angela Merkel pas hezitimit fillestar e ka bërë tani të qartë se mbështet Jean-Claude Juncker, kandidatin e Partisë së saj konservatore Popullore Evropiane (EPP). "Ne kemi kandidatë kryesorë dhe Gjermania mbështet si president të Komisionit Jean-Claude Juncker, pasi EPP është bërë grupi më i fortë."

Merkel do të qetësojë gjakrat

Angela Merkel do ta mbështesë britanikun në çështje të tjera të personelit. Janë për t'u ndarë edhe postet e presidentit të Këshillit Evropian dhe të përfaqësuesit të lartë për politikën e jashtme, si dhe poste të tjera të larta në komisionin e ri të BE. "Kjo nuk do të thotë, se mund të përmbushen të gjitha dëshirat, por kjo do të thotë që mund të merret në konsideratë, se çfarë është shumë e rëndësishme për Mbretërinë e Madhe diku tjetër", tha Merkel pas një telefonate me kryeministrin danez Helle Thorning-Schmidt në Berlin. "Çfarë i takon Evropës, e çfarë i përket shteteve kombe? Unë jam e gatshme për të folur për këto gjëra në mënyrë shumë konstruktive me Britaninë e Madhe", tha Merkel.

Kryeministri britanik David Cameron e di se në refuzimin e Junkerit ka me vete të gjitha partitë në Mbretërinë e Bashkuar. Edhe shytpi britanik e refuzon Junckerin, që konsiderohet si shumë pro-europian. Cameron ka kërcënuar se Britania e Madhe i afrohet daljes nga BE, sikur Juncker të zgjidhet.

Emërimet e tjera shtyhen

Kreu i deputetëve konservatorë gjermanë, Herbert Reul, beson se pavarësisht rezistencës britanike Juncker, për vite me rradhë kryeministër i Luksemburgut, do të emërohet nga shumica e kryetarëve të shteteve. Parlamenti Evropian do ta zgjedhë atë brenda dy javëve. Të gjitha emërimet e tjera do të shtyhen, tha Reul.

Ndoshta do të jetë i nevojshëm një samit i posaçëm i kryetarëve të shteteve dhe qeverive të BE në verë, për të vendosur për emërimet e tjera. Kandidat për president të këshillit është socialdemokrati danez Helle Thorning-Schmidt. Për postin e shefit të politikës së jashtme ngre pretendime Italia. Socialdemokrati gjerman Martin Schulz do të zgjidhet javën e ardhshme sërish kryetar i Parlamentit. Si kompensim socialistët në parlament mbështesin konservatorin Jean-Claude Juncker si kryetar të Komisionit. Kështu në parlament krijohet një koalicion i madh joformal ndërmjet konservatorëve dhe socialdemokratëve.