1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përkthyesi i Titos - Si letrar në pulsin e politikës

Anila Shuka26 Qershor 2008

Diplomati, gazetari dhe shkrimtari jugosllav, Ivan Ivanji, prezanton në Berlin botimin gjerman të librit të tij "Përkthyesi i Titos - një letrar në pulsin e politikës".

https://p.dw.com/p/EQsg
Josif Brioz Tito ish-presidenti i Jugosllavisë, fotografi e padatuarFotografi: AP

26 qershor 1974. Ndeshja Jugosllavi-RFGJ në Kampionatin Botëror të Futbollit. Josip Broz Tito, i cili më parë u kishte dhënë uratën lojtarëve të kombëtares së vet në Dyseldorf, nuk lejohej ta ndiqte ndeshjen në stadium, për shkaqe sigurie. Mysafiri zyrtar e ndjek transmetimin e drejtpërderjtë në vagonin-sallon të trenit të posaçëm gjatë rrugës për në Bon. Bashkë me të është edhe e shoqja, Jovanka, si edhe përkthyesi Ivan Ivanji: "Kur për një moment jugosllavët humbin topin sërish, Tito thërret i inatosur: 'U thashë që të mos triblojnë shumë!' Jovanka ia kthen me zë të lartë: "E përse nuk merr përsipër edhe postin e trajnerit federal, kur e ditke kaq mirë edhe këtë". Kjo ishte njëra nga anekdotat, që Ivanji do të lexonte të martën në mbrëmje (24.06.) në Berlin gjatë prezantimit të librit të tij "Përkthyesi i Titos - Si letrar në pulsin e politikës".


15 vjet me radhë e ka shoqëruar Ivanji udhëheqësin jugosllav në takimet e tij me politikanë gjermanoperëndimor dhe ka përkthyer për të. Ishte koha e Luftës së Ftohtë, ku divergjenca të vogla gjuhësore kishin motive politike. Ivanji, sot 79-vjeçar, kujton një rast në vitin 1976 gjatë një konference në Berlinin Lindor, kur gjermanolindorët nuk pranuan ta shumëfishonin fjalimin e Titos: "Kështu për shembull, fjala e thjeshtë angleze "relacione" në gjuhën e gjermanoperëndimorëve "lidhje", në atë të lindorëve ishte kthyer në "marrëdhënie". E para nënkuptonte lidhjen politike që Gjermania Perëndimore donte të kishte me Berlinin Perëndimor, ndërsa e dyta nënkuptonte marrëdhënie teknike, si transporti, telefonia dhe posta."


Ivanji, i cili kishte përdorur variantin gjermano-perëndimor së fundi do të kërcënonte se "...në se keni vështirësi teknike për të kopjuar fjalimin, atëheherë na e thoni, se mund ta bëjmë vetë në Berlinin perëndimor." Hebreu i lindur në Vojvodinë e kishte mësuar gjermanishten nga dadoja austriake. Megjithëse një vit të jetës së tij e kaloi në kampe përqendrimi si Aushvic dhe Buhenvald, mbas luftës vendos të studiojë gjermanishten. Në periudhën e Jugosllavisë ai ishte një personalitet i njohur jo vetëm si përkthyes, por edhe si diplomat, gazetar dhe shkrimtar. Ishte periudha më e mirë e jetes sime, konkludon ai, dhe ilustron me një thënie të një miku të vet: "Kush nuk e di se sa mirë ka jetuar në periudhën e Titos, atij nuk kam ç't'i bëj."


Ai ishte i bindur në projektin jugosllav dhe nuk është në gjendje ta shpjegojë dështimin e shtetit shumëetnik në vitet 90-të. "Nuk e di, dhe kjo për mua është një pyetje jetike. Përse dështoi sistemi, në të cilin unë kisha besuar dhe për realizimin e të cilit dhashë ndihmesën time me aq sa munda?"

Në librin e tij Ivanji e thërret edhe një herë në kujtesë atë që ka përjetuar atëherë. Rezultati është një përmbledhje me anekdota me politikanë që pinë uiski dhe diplomatë që mjatohen me ujë mineral. Vëzhguesi i tyre është një letrar, "një trup i huaj në botën diplomatike", siç e përshkruan ai veten. Por ai i ka shërbyer kësaj bote me shumë zell dhe e ka humbur distancën për reflektimin e duhur. Ashtu siç premton dhe vetë titulli i librit, në të njihesh me një "Përkthyes të Titos", përfaqësuesin e - ta themi në gjuhën e tij - "atij brezi komunistësh jugosllavë (theksi bie më shumë tek jugosllavë se tek komunist), që e dinin se çfarë ishte sekreti dhe si duhej ruajtur ai."