1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përkthimet letrare, "ura lidhëse" Gjermani-Turqi

22 Gusht 2012

Libra nga e gjithë bota janë publikuar rregullisht dhe specifikisht për lexuesin gjerman. Por dukej se autorët turq mbetën të neglizhuar deri në momentin kur dy motra në Berlin vendosën të marrin në duar situatën.

https://p.dw.com/p/15uAI
Turqia në Panarin e Librit të Frankfurtit 2008
Turqia në Panarin e Librit të Frankfurtit 2008Fotografi: AP

Inci Burhaniye, praktikante në avokaturë dhe motra e saj Selma Wels, e cila punon në administrim biznesi, ishin të reja në fushën e botimeve kur vendosën të kishin shtypshkronjën e tyre. Duke e quajtur Binooki, e ngjashme me fjalën turke binoki që do të thotë monokël, qëllimi i tyre ishte që t´u jepnin autorëve turq shansin për t´u njohur në Gjermani.

"Aktualisht po fitojmë përvojë," qesh Selma, "Ne po mësojmë rreth kësaj pune. Në familjen tonë nuk është marrë kurrë dikush me botime." Statistikat e tanishme thonë se aktualisht në Gjermani jetojë 4 milionë turq, duke i bërë ata grupimin minoritar etnik më të madh në këtë shtet. Në vitet 1960, vala e parë e punëtorëve emigrantë mbërriti në Gjermani, veçanërisht për t´i shpëtuar papunësisë në rritje në Turqi dhe gjithashtu për të plotësuar kërkesat e tregut të punës, i cili asokohe kërkonte punëtorë të kualifikuar në ndërtim për të rindërtuar objektet e shkatërruara nga lufta në qytetet gjermane. Por ndërkohë që kjo lidhje kulturore u hulumtua diku tjetër, ajo u reflektua shumë rrallë në letërsi.

"Binooki kishte funksionin e një ure lidhëse," shpjegon Burhaniye. Marrëdhëniet gjermano-turke u diskutuan në një nivel politik dhe në media, por ishin gjithmonë shumë pak të përfaqësuara në libra. Libra nga e gjithë bota shfaqen në përkthimet gjermane, por Turqia duket se është neglizhuar gjithmonë. Mbase ata po na prisnin ne!"

Burhaniye and Wels vendosën të bënin diçka vetë për të rivendosur balancat; ata ndërmorën iniciativën dhe hapën shtëpinë e tyre botuese, duke nisur me një listë të përzgjedhur me rreth 15 tituj, me të cilët Binooki do të dilte në treg.

Ata janë gjithmonë në kërkim të një materiali të ri, në panairet e librit ose në udhëtime të zakonshme pune në Stamboll.

"Fokusi ynë kryesor është letërsia turke kontemporane, libra të cilët janë të famshëm për momentin në Turqi," shpjegon Wels. "Kjo është shumë e rëndësishme. Ne duam që t´i tregojmë lexuesit, qoftë ai turk apo gjerman, jetën, kulturën dhe shoqërinë turke."

Dera drejt një bote të re

Të dyja motrat habiten kur pyeten se pse vendosën t´i publikojnë librat në gjermanisht dhe jo në turqisht. Për to përgjigjja është e qartë: sepse ato jetojnë në Gjermani. Nuk është ideja që lexuesit me origjinë turke të përmirësojnë gjermanishten e tyre, por që të thellohen në të kuptuarit e trashëgimisë së tyre kulturore.

Inci Bürhaniye dhe Selma Wels - themelueset e Binooki
Inci Bürhaniye dhe Selma Wels - themelueset e BinookiFotografi: Barbara Dietl

"Do të zbuloni se brezi i dytë dhe i tretë i emigrantëve turq, gjithsesi flasin shumë më mirë gjuhën gjermane se atë turke," thotë Burhaniye. "Nuk ka asgjë për t´u bërë që të inkurajosh ata për përmirësimin e gjuhës së tyre. Përkundrazi, kjo është një mënyrë që t´u prezantosh kulturën e tyre. Edhe për lexuesit gjermanë, kjo hap një portë drejt një bote të re."

Hapja e dyerve drejt një bote të re është diçka me të cilën Ercan Karakuyan është tepër i familjarizuar. Si drejtor menaxhimi në Forumin e Dialogut Ndërkulturor, Agjenci për Nxitjen e Diversitetit Kulturor me qendër në Berlin, ai ka qenë i përfshirë në shumë projekte që kanë hulumtuar lidhjet mes gjermanëve dhe turqve.

"Emigrantët që erdhën nga Turqia kanë një kulturë, të ngrirë në gjendjen e 50 viteve më parë" thotë ai, "Ndërsa në Turqi kultura gjithmonë ka ndryshuar dhe është zhvilluar. Mendoj se është e rëndësishme që t'i `shkrijmë` njerëzit në mënyrë që ata të përshtaten me ndryshimet, të cilat po ndodhin aktualisht në Turqi. Gjithashtu është e rëndësishme për gjermanët të mësojnë se çfarë mendojnë emigrantët turq. Inkurajon një situatë më harmonike bashkëjetese."

Një nga titujt më të njohur në stendën e Binooki është "Verschütt gegangen" (I zhdukuri) nga autori 31-vjeçar Emreh Serbes. Ky është ndër librat më të fundit të tij që flet për vrasjen e detektivit Behzat C, i cili ishte i alkoolizuar dhe duhanpirës prej vitesh, ende një figurë shumë popullore dhe e diskutueshme në Turqi.

Drejt digjitalizimit

Në një nga snack-baret e panumërta turke të cilat janë të përqendruara rreth distriktit të Kreuzbergut në Berlin, 20-vjeçari Burak Bülbül sapo ka mbaruar së lexuari një libër dhe mendon se Binooki ofron një lidhje të rëndësishme mes tij dhe historisë së tij kulturore.

"Është e rëndësishme për mua që të jem në gjendje të lexoj libra si këto," thotë ai, "Vij nga një familje turke, por linda dhe rrita në Gjermani. Nuk kam mundësi që të shkoj shpesh në Turqi kështu që kjo është një mënyrë e mirë që të mësoj më tepër rreth kulturës time."

Reagimet për të zgjeruar gamën e titujve të Binooki-t kanë qenë pozitive si nga lexuesit gjermanë, ashtu dhe nga ata turq. Ndërsa Burhaniye dhe Wels kanë prezantuar tashmë botimet dhe shtypshkronjën e tyre në tregtinë e madhe të letërsisë, gjëja për të cilën ato janë më të ngazëllyera tashmë janë ofrimi i titujve Binooki në rrugë digjitale.

"Do të dalim në publikim digjital brenda pak javëve dhe të gjithë titujt tonë do të ofrohen si e-books," thotë Wels, "Mendoj se kjo është gjëja më tërheqëse për momentin."

Autor: Gavin Blackburn/ Elona Elezi

Redaktoi: Auron Dodi