1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Për Kosovën ia vlen të bësh diçka"

Anila Shuka25 Korrik 2006

Intervistë ekskluzive me Gjeneralmajor Roland Kather, komandantin e ardhshëm të KFOR-it

https://p.dw.com/p/Are2
Kfori në Kosovë
Kfori në KosovëFotografi: AP

"Po kthehem në atdhe", kështu më thotë Gjeneralmajor Roland Kather, kur unë hyj në zyrën e tij në Lajpcig. Deri në fund të gushtit ai është aty komandant i Divizionit të 13/të të Këmbësorisë me Tanke të ushtrisë gjermane. Më 1. Shtator 57 vjeçari nga Hanoveri do të marrë në dorë komandon e trupave paqeruajtëse të KFOR/it, që aktualisht drejtohen nga italiani Xhiuzepe Valoto.

Mbas Klaus Rajnhardt dhe Holger Kamerhofit, Kather do të jetë gjermani i tretë që udhëheq misionin paqeruajtës në Kosovë. Një fotografi nga qendra e Prizrenit varet në njërin nga muret e zyrës së tij. Në vitin 1999/2000 ai ka shërbyer aty si komandant i Brigadës së Jugut. Në tavolinën e punës ka përpara një fletore të formatit A4 me listat e udhëheqësve kryesorë të politikës dhe administratës në Kosovë. Shumë prej tyre gjenerali gjerman ka pasur rastin t'i njohë personalisht. Detyra e re, si komandant i 17.000 ushtarëve të NATO/s pikërisht në periudhën më vendimtare për Kosovën, është për të sfidë por edhe kënaqësi.

DW: Zoti Kather, ju po thoni që po shkoni në atdhe, çfarë mbresash ju ka lënë Kosova në vitet 1999/2000?

Kather: "Më ka lënë mbresa jashtëzakonisht të thella. Ishte shërbimi im i dytë në Ballkan. Në vitin 1996 kisha qenë në Bosnjë-Hercegovinë. Në Kosovë shkova si komandant i Brigadës Shumëkombëshe të Jugut. Nuk kisha parë më parë kaq shumë mjerim dhe vuajtje, por edhe pashë se si mund t'u ndihmohej njerëzve me mjete shumë të thjeshta. Ishte një ndjenjë e veçantë, të përjetoje se si çdo ditë mund të krijoje miqësi të reja me njerzit dhe mirëbseim."

DW: Ju keni qenë edhe gjatë viteve të mëparshme në Kosovë. Si e vlerësoni zhvillimin e deritanishëm?

Kather: "Kam qenë para dy vjetësh edhe njëherë dhe kam parë përmirësime të dukshme. Për fat të keq pasuan trazirat e marsit 2004, ku u shkatërruan shumë nga ato objkete, që ruanin ushtarët e mi, dhe shumëçka, për të cilën kisha shkuar në vitin 1999. Më vjen shumë keq dhe kjo është shumë e trishtueshme. Tani, mbas dy vjetësh kam shkuar përsëri në Kosovë me aeroplan dhe u befasova pozitivisht. Po të mos shohësh me vëmendje të madhe, duket sikur po ulesh në një vend të zakonshëm evropian, kjo më gëzoi pa masë. Dhe kur je pastaj në terren, e kupton që ka filluar një zhvillim i mbarë, i cili duhet të vazhdojë. Ne tani duhet të kujdesemi, që kjo pamje që duket nga jashtë, e një Kosove të qetë, moderne, të një shteti të orientuar drejt së ardhmes, të realizohet edhe në mendjet dhe zemrat e njerzve."

DW: Kosova është në një fazë vendimtare. Detyra juaj është të garantoni sigurinë. Si mendoni ta realizoni atë?

Kather: "Në këtë fazë politikisht mjaft të ngarkuar detyra jonë është t'i japim mundësi politikës të marrë vendimet e saj të rëndsishme. Unë kam për detyrë të kujdesem për siguri dhe rend së bashku me UNMIK/un, dhe këtë detyrë do ta bëj me mirësjelje, por vendosmëri. Besoj, se tani në këtë gjysmëviti kemi të bëjmë me një fazë vendimtare. Dhe është shumë e rëndësishme që të ketë siguri dhe stabilitet. Kështu që këshilla ime ndaj të gjitha etnive është që problemet t'i zgjidhin me mjete politike dhe jo me dhunën e armëve. Kjo nuk na çon përpara, por përkundrazi, na kthen vite prapa."

DW: Si mendoni se mund të evitohen ngjarje të tilla si ato të marsit 2004?

Kather: "Nuk mund ta gjykoj prej këndej atë çka ndodhi në vitin 2004. Por mund të them vetëm, që gjëra të tilla duhen shmangur. Trazira, konfrontime me armë nuk të çojnë më tej. Këtë e them edhe nga përvoja ime si ushtar i vjetër. Kështu që unë do të flas paraprakisht me përfaqësues të qeverisë provizore, serbëve dhe pakicave të tjera, dhe do t'ua bëj të qartë se çfarë është në gjendje të bëj KFOR/i në rast nevoje. Dhunë nuk do të lejoj. Dhe në qoftë se do të ketë shenja për të, ne do ta mbysim që në embrion. Kemi hartuar një sërë planesh se si do të veprojmë në raste të tilla, do të kemi edhe përforcime në terren, në mënyrë që ta bëjmë të qartë: Dhuna nuk do të tolerohet kurrsesi!"

DW: Çfarë roli mendoni që do të luajnë në këtë mes Trupat Mbrojtje të Kosovës?

Kather: "Kjo është një pyetje e vështirë, por jo akute. TMK-ja është aktualisht një organizatë ndihmëse kombëtare, si shumë të tjera, me detyra shumë të rëndësishme. Ne do të japim ndihmesën tonë përmes programeve të kualifikimit që ky spektër detyrash të konsolidohet. Sa i përket të ardhmes së saj, kjo do të duhet të vendoset në kuadër të negociatave për statusin. Por aktualisht TMK/ja luan një rol shumë të rëndësishëm në stabilitetin e Kosovës. E dimë se nga rrjedh, mendoj, se UÇK/ja ka meritat e saj, dhe mendoj, se tashmë njerzit e kanë kuptuar që kemi të bëjmë me një situatë të re, një Kosovë të re."

DW: Shtatë vjet pas luftës ende nuk shihet ndonjë përmirësim i dukshëm në afrimin e etnive me njëra/tjetrën. Si mendoni se mund të jepni ju kontributin tuaj në këtë drejtim?

Kather: "Dua të theksoj fillimisht se në vitin 1999 kam kuptuar diçka: Në Ballkan kemi të bëjmë me një strukturë tjetër, aty sundojnë familjet e mëdha dhe klanet. Unë besoj, se urrejtja ka lindur edhe për faktin se çdo klan ka qenë i prekur në një mënyrë apo në tjetrën. Kjo urrejtje duhet të shuhet. Unë kam mirëkëputim, që kur ke përjetuar kaq shumë vuajtje, nuk je i gatshëm të hysh në dialog me atë që mendon se mban përgjegjësinë. Prandaj edhe ne duhet të orientohemi nga e ardhmja. Qysh atëherë e kam filluar diçka dhe do ta vazhdojë edhe tani. Ne duhet të bëjmë më shumë për fëmijët, t'u sigurojmë atyre të ardhme, pra të ndërtojmë edhe më tej kopshte, shkolla, t'u japim fëmijëve mundësi për arsimim, me shpresën që kjo urrejtje me kalimin e kohës dhe ndërrimin e brezave do të vijë duke u shuar."

DW: Pakica serbe është e pakënaqur për situatën e saj në Kosovë, për të cilën fajëson pjesërisht edhe bashkësinë ndërkombëtare. Si mendoni se do t'ju presin ju, si gjeneral gjerman?

Kather: "Se si do të më presin, nuk e di ende. Por unë do të ruaj neutralitetin. Kam patur kënaqësinë të takohesha me disa zonja dhe zotërinj. Dhe unë do të them gjithmonë të njëjtën gjë: Ejani të bisedojmë me njëri-tjetrin. Për këtë do të ushtroj gjithë ndikimin tim. Dhe këtë e them me gjithë shpirt, sepse tani që kam qenë disa herë radhazi në Kosovë, e kam parë që është një vend i mrekullueshëm, mjaft i bukur, dhe ia vlen të bësh diçka për të ardhmen e tij. Jam i bindur që 90 për qind e njerëzve, pavarësisht se ç'janë, shqiptarë të Kosovës, apo serbë të Kosovës, apo pakica të tjera, si romë e myslimanë, të gjithë duan në thelb një jetë të qetë në këtë vend të mrekullueshëm. Unë dua të jap kontributin tim në këtë drejtim. E kam thënë edhe më parë: Ne jemi mysafirë dhe jo pushtues, dhe sillemi si mysafirë. Ne duam të ndihmojmë në rindërtimin e vendit, për t'ia dorëzuar pastaj gjithë përgjegjësinë banorëve të tij."

DW: Pas një viti ju do të largoheni nga Kosova. Në ç'gjendje shpresoni ta lini atë?

Kather: "Shpresoj, që kur të largohem nga Kosova të jenë marrë disa vendime politike për të ardhmen. Shpresoj, që gjithçka të ketë kaluar në mënyrë paqësore dhe që unë të kthehem në vendin tim me ndjenjën: Ti ke lëvizur këtu diçka, e ke ndërtuar një pjesë të këtij vendi dhe e ke ndihmuar të zhvillohet e të bëhet një vend mik evropian. Ky është qëllimi im."