1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Putini: Qëllimet e Rusisë në Ukrainë “të pandryshuara”

14 Dhjetor 2023

Më shumë se një milion pyetje thuhet se janë bërë, ndërsa Vladimir Putini mban konferencën e tij maratonë për shtyp të fundvitit, për herë të parë që kur Rusia nisi sulmin masiv kundër Ukrainës.

https://p.dw.com/p/4aA8j
Putini ne konferencen e shtypit
Fotografi: ALEXANDER ZEMLIANICHENKO/AFP/Getty Images

Për herë të parë që nga fillimi i sulmit ndaj Ukrainës,kreu i Kremlinit Putin organizoi një konferencë të madhe vjetore për shtyp. Ai ishte i qartë në këtë rast: nuk do të ketë paqe derisa Rusia të arrijë objektivat e saj.

Sipas presidentit Vladimir Putin, Rusia u përmbahet objektivave të saj në luftën në Ukrainë. Në konferencën e tij vjetore për shtyp, Putini nuk tha se do të tërhiqej. Objektivat e "operacionit special ushtarak” – siç e quan Rusia luftën kundër Ukrainës – mbeten të pandryshuara, tha Putin. "Paqja do të mbretërojë kur të arrijmë qëllimet tona”, tha ai.

"Do të ketë paqe kur t'i arrijmë qëllimet tona. Le t'u kthehemi këtyre qëllimeve: ato nuk kanë ndryshuar. Ju kujtoj për çfarë folëm në atë kohë: denazifikimin e Ukrainës, çmilitarizimin e saj, statusin e neutralitetit të saj", tha ai. Sipas tij, paqja do të jetë e mundur vetëm pas çmilitarizimit.

Putini ne konferencen e shtypit - gjestikulon me gishtat tregues te te dy duarve
Fotografi: Alexander Zemlianichenko/AP Photo/picture alliance

"Nëse ata nuk duan të arrijnë marrëveshje, ne do të detyrohemi të marrim masa të tjera, përfshirë ato ushtarake. Ose do të biem dakord për disa kushte. Ka mundësi të tjera: ose të arrihet një marrëveshje, ose të zgjidhet problemi me forcë. Kjo është ajo që ne do të përpiqemi të bëjmë”.

Kusht për paqen do të ishte edhe statusi neutral i Ukrainës – pra heqja dorë nga anëtarësimi në NATO. Vëzhguesit e panë këtë si një ofertë për Perëndimin, duke e ftuar Ukrainën të kapitullonte në luftë. Ukraina nuk është e gatshme të negociojë çmilitarizimin, tha Putin. Prandaj Rusia është "e detyruar të marrë masa të mëtejshme, duke përfshirë masat ushtarake”.

Nuk ka nevojë për mobilizim shtesë

Kreu i Kremlinit tha në lidhje me situatën në front se ushtria ruse po përmirësonte pozicionet e saj "praktikisht në të gjithë gjatësinë e linjës së kontaktit". Ukraina nisi një kundërofensivë në qershor, por ajo nuk dha rezultatet që priste Kievi. Linja e frontit pothuajse nuk ka ndryshuar këtë vit.

Sipas Putinit, ushtria ruse nuk ka nevojë të mobilizojë më shumë rezervistë. Deri tani ushtrisë i janë bashkua rreth 486.000 vullnetarë, përveç 300.000 ushtarëve të regjistruar vitin e kaluar gjatë mobilizimit të pjesshëm. "Ata luftojnë në mënyrë perfekte," tha 71-vjeçari. Dhe "fluksi nuk po zvogëlohet". Aktualisht, në Ukrainë janë të angazhuar 617.000 ushtarë rusë, tha Putini.

Nga këndvështrimi i Putinit, entuziazmi perëndimor për rezistencën e Ukrainës është zbehur. Arsyeja themelore e konfliktit është zgjerimi i NATO-s deri në kufijtë e Rusisë, theksoi ai. Ukraina tani është gjithashtu një objektiv i aleancës transatlantike për anëtarësim.

Putini njofton rritje ekonomike pavarësisht sanksioneve

Putini foli edhe për ekonominë ruse. Sipas tij, ajo ka përparuar pavarësisht sanksioneve perëndimore. Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) pritet të rritet me 3.5 përqind këtë vit, tha ai.

Sigurisht, pranoi Putini, inflacioni, midis 7.5 dhe 8 për qind, ishte më i lartë se objektivi që i kishte vendosur vetes. Por udhëheqësi i Kremlinit ishte optimist se rritjet e çmimeve do të ishin më të vogla vitin e ardhshëm. Sipas Putinit, pagat reale janë rritur gjithashtu me tetë për qind pavarësisht inflacionit. Ekonomia ruse, sipas tij, ka treguar aftësi të papritur rezistuese, që i mundëson Rusisë të mbetet në rrugën e rritjes, pavarësisht presioneve perëndimore, shpjegoi ai.

Putini rruges per konferencen e shtypit
Fotografi: ALEXANDER ZEMLIANICHENKO/AFP/Getty Images

Putini nuk përmendi se rritja ndodhte veçanërisht për shkak të ekonomisë së luftës dhe prodhimit të armëve. Ekspertët kanë theksuar vazhdimisht se kjo nuk është rritje natyrale apo e shëndetshme.

Spektakël mediatik i televizionit shtetëror

Konferenca vjetore e shtypit e Putinit, ku marrin pjesë qindra gazetarë rusë dhe të huaj, zakonisht zgjat me orë të tëra. Gjatë saj, kreu i shtetit rus u përgjigjet drejtpërdrejt pyetjeve për tema nga më të ndryshmet.

Sesioni me pyetje-përgjigje për gazetarët u ndërlidh, si një spektakël mediatik i televizionit shtetëror, me programin televiziv "Linja e drejtpërdrejtë", në të cilin qytetarët mund të paraqesin problemet e tyre, për të formuar programin "Rezultatet e vitit". Pyetjet janë paraqitur prej dy javësh.

Lideri i Kremlinit gjithashtu synon të zgjidhet president për herë të pestë më 17 mars. Për ta bërë këtë, ai ka ndryshuar Kushtetutën.