Putini shpall të dështuara Marrëveshjet e Minskut
21 Shkurt 2022Presidenti rus Vladimir Putin mendon se marrëveshja e paqes për Ukrainën lindore nuk ka më asnjë shans për t'u zbatuar. Pas një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Moskë, ai deklaroi se nuk kishte më perspektivë për marrëveshjen e Minskut.
"Na është krijuar bindja se nuk ka perspektivë" për marrëveshjet, tha Putini. Në Marrëveshjet e Minskut, të negociuara nga Gjermania dhe Franca në 2014 dhe 2015 dhe të rëna dakord bashkërisht me Ukrainën dhe Rusinë, palët në konflikt në Ukrainën lindore u zotuan të ndërmarrin disa hapa për të arritur një zgjidhje paqësore të konfliktit.
Ministri rus i Mbrojtjes Schoigu tha se Ukraina kishte mbledhur trupa të konsiderueshme në linjën e kontaktit. Ai dyshon se Kievi dëshiron të ripushtojë territoret e pushtuara nga separatistët prorusë.
Më parë, Rusia kishte raportuar për disa incidente ushtarake. Kishte folur për shkatërrimin e një poste kufitare nga granatat ukrainase. Përveç kësaj, thuhet se janë vrarë pesë "diversantë" ukrainas. Kievi i ka mohuar të dyja incidentet.
Veç kësaj, sipas informacioneve të disa mediave, Presidenti rus Vladimir Putin planifikon të njohë pavarësinë e rajoneve ukrainase të Donjeckut dhe Luhanskut. Kreu i Kremlinit ia bëri të ditur këtë të hënën këshillit të tij të sigurisë. Ai do të marrë një vendim për këtë sot. Vladimir Putini tha të hënën se Rusia po shqyrtonte njohjen e pavarësisë së dy rajoneve të Ukrainës, por jo duke i aneksuar dhe duke i shtuar ato zyrtarisht në territor.
Në takimin e gjatë televiziv të Këshillit të Sigurisë së Rusisë, pjesëmarrësit mbështetën njohjen e pavarësisë së të vetëshpallurve Republika Popullore e Donjeckut dhe Republika Popullore e Luhanskut.
Separatistët bëjnë thirrje për ndihmë
Këtij vendimi i parapriu një apel nga separatistët prorusë në Ukrainën lindore. "Unë ju lutem që të njihni sovranitetin dhe pavarësinë e Republikës Popullore të Luhanskut", tha të hënën lideri rebel i Luhanskuit, Leonid Paseçnik në një video-mesazh të transmetuar nga televizioni rus. Kësaj kërkese i është bashkuar edhe lideri separatist i Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskut, Denis Pushilin. Më tej ai i bëri thirrje Moskës që të lidhë një traktat miqësie dhe ndihmë ushtarake me "Republikën Popullore".
Kështu Rusia mund të vendosë mijëra ushtarë atje, si në rajonet e veçanta të Gjeorgjisë, Osetisë Jugore dhe Abkazisë.
Në Ukrainën lindore, miliciët prorusë luftojnë kundër ushtrisë ukrainase që nga viti 2014.
Të premten, separatistët e republikave të vetëshpallura popullore të Donetskut dhe Luhanskut u bënë thirrje civilëve nga zonat që ata kontrollojnë të shkojnë në Rusi. Të shtunën në mëngjes, ata urdhëruan një "mobilizim të përgjithshëm".
aud (br, rtr, spie)