1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Putini mysafir i Macronit

29 Maj 2017

Macron dhe Putin takohen papritur, por secili prej tyre ndjek qëllime të ndryshme - edhe personale. Ndonëse vizita nuk është zyrtare, takimi mes Vladimir Putin dhe Emmanuel Macron mund të jetë shumë i rëndësishëm.

https://p.dw.com/p/2dkYl
Emmanuel Macron und Wladimir Putin Bildkombo Kombi-Bild
Fotografi: picture-alliance/dpa/Liewig/Klimentyev

Zyrtarisht thuhet se Presidenti i Rusisë Vlladimir Putin do të shkojë në Paris për të hapur një ekspozitë, kushtuar Pjetrit të Madh, që ka sunduar para 300 vitesh. Por në fakt do të jetë ky rasti i parë për një takim kokë më kokë me Presidentin e ri të Francës Emmanuel Macron, që është takimi i parë në nivelin e presidentëve në pesë vitet e fundit. Raportet e Macronit me Putinin janë të tensionuara jo vetëm për shkak të mbështetjes nga Rusia të rivales së tij, Marine Le Pen, gjatë fushatës parazgjedhore.

Pozicionimi i Macronit

Në takim do të bisedohet për raportet bilaterale, por edhe për konflitket në Siri dhe Ukrainë, si dhe luftën kundër terrorizmit. Megjithatë ekspertët nuk presin ndonjë përparim esencial. Drejtori i zyrës në Paris të European Council on Foreign Relations (ECFR) Manuel Lafont Rapnouil, thotë se presidentët do të theksojnë pozicionet e tyre. Takimi do të shërbejë më shumë për t'u njohur mes tyre, pa çështje protokolare, të cilat i ngarkojnë pritjet në Pallatin Elysée.

"Macroni do të pozicionohet si Presidenti i ri i Francës, si dikush që i përket një klubi të liderëve të rëndësishëm në Evropë." Ai ka pasur një vizitë në Berlin, ku është takuar me Angela Merkel, por ishte edhe në samitet e NATO-s dhe G7-ës.

Putini do të njihet me qendrimet e Macronit

Ndërsa Presidenti Putin do që të theksojë edhe njëherë pozicionet e Rusisë, mendon Tatyana Stanovaya, nga think-tank "Center for Political Technologies" (CPT). Putini synon edhe diçka tjetër: "Ai do të shikojë në sy Macronin dhe të bëjë një profil psikologjik të tij, të shohë se çfarë njeriu është Macroni dhe me çfarë gjuhe mund të flasë me të." Po kështu mendon edhe analisti Rapnouil: "Putini është i interesuar për këtë takim, sepse ai ka një qasje shumë personale në politikën e jashtme."

Prej aneksimit të Krimesë në mars të vitit 2914 Putini ka qenë shumë rrallë mysafir në vendet perëndimore. Vizita në Francë i jep shansin që të tregojë se është i gatshëm të bisedojë për çështjet më të rëndësishme ndërkombëtare, thotë Stanovaya. Ndërsa takimi i papritur me Macronin tregon se sa rëndësi i kushton ai çështjeve të tilla.

Vitet e fundit Putini ka qenë disa herë në Francë, por jo në takime bilatelare. Ai ishte në samitin e Normandisë dhe në Konferencën e Klimës në Paris. Takimi i tij i fundit bilateral me një president francez është mbajtur pesë vite më parë. Në qershor të vitit 2012 ishte takuar me Presidentin e sapozgjedhur François Hollande. Një takim tjetër të parashikuar për tetor të vitit 2016, Putini e pati anuluar pasi Hollande i dënoi sulmet ruse në Alepo dhe i klasifikoi ato si krime lufte. Qeveria e Macronit e ka kritikuar mungesën e dialogut me Rusinë. Macron ka thënë se veprimet e Rusisë në Ukrainë dhe Siri janë kundër së drejtës ndërkombëtare, por zgjidhjet mund të gjenden vetëm me dialog konstruktiv.

Nuk do të bisedohet për mbështetjen e Le Pen nga Rusia

Macroni nuk është i interesuar të flasë për temat kontradiktore, siç është mbështetja e Marin Le Pen nga Rusia, gjatë fushatës elektorale. Russia Today (RT) dhe Sputniku - të dyja të financuara nga Kremlini - i kanë mbështetur gjatë fushatës kundërshtarët e Macronit - François Fillon dhe Marin Le Pen. Le Penin e ka pritur madje edhe Putini, një muaj para zgjedhjeve.

Macroni me siguri që nuk është i lumtur për këtë. Në disa muajt e fundit ai ka ashpërsuar retorikën ndaj Rusisë. Ekspertët thonë se Macroni nuk do ta harrojë sjelljen e Moskës, por ai është i interesuar për dialog, sepse edhe Macron mund të përfitojë më shumë, nëse ka një raport konstruktiv me Putinin.