Putin takon Kim Jong Un
19 Qershor 2024Bisedime në atmosferë miqësore ndërmjet presidentit rus Vladimir Putinit dhe kreut të shtetit në Korenë e Veriut Kim Jong Un, njoftohet se janë zhvilluar në Penjan. Sikurse njoton Kremlini, Putin mbërriti të martën (18.06) në mbrëmje në kryeqytetin koreanoverior, Penjan. Agjencitë ruse të lajmeve Ria Novosti dhe Interfaks njoftojnë, se kreu i shtetit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un e priti Putinin në aerport. Kjo është vizita e dytë e Putinit në vendin e izoluar gjatë mandatit të tij si president. Vizita e tij e fundit në Korenë e Veriut ka qenë përpara 24 vjetësh. Atëherë i sapo zgjedhur president i Rusisë, Putini u takua me të atin e Kim Jon Unit.
Ndër marrëveshjet që do të nënshkruhen gjatë vizitës dyditore, sipas vëzhguesve, jan edhe ato lidhur me furnizimet e mëtejshme nga Penjani me armë, që Moska do t'i përdorë në luftën kundër Ukrainës. Koreja e Veriut në këmbim mund të marrë mbështetje të mëtejshme ekonomike dhe teknologji nga Rusia, gjë që mund ta avancojë edhe më tej programin bërthamor koreanoverior.
Putin gjatë kësaj vizite shoqërohet nga zëvendëskryeministri Denis Mantrurov, ministri i ri i Mbrojtjes Andrej Belousov dhe ministri i Jashtëm Sergej Lavrov, sikurse vuri në dukje këshilltari i presidentit për politikën e jashtme Juri Ushakov. Sipas tij gjatë vizitës do të nënshkruhen disa marrëveshje, ndoshta edhe një për një partneritet të zgjeruar strategjik. Pjesa kryesore e vizitës zhvillohet të mërkurën (19.06). Dita fillon me një takim të dy krerëve të shtetit në sheshin Kim-Il-Sung, qendra urbane dhe simbolike e Penjanit. Më pas janë planifikuar bisedime të gjata, fillimisht mes dy krerëve të shtetit dhe më pas në rreth më të zgjeruar. Krahas disa banketeve të përbashkëta të dy krerëve është planifikuar edhe ndjekja e një koncerti.
Përpara vizitës Putin e pati falendëruar Penjanin për mbështetjen në luftën e Ukrainës. "Ne e vlerësojmë shumë, që Republika Demokratike Popullore e Koresë së Veriut e mbështet me vendosmëri operacionin special ushtarak në Ukrainë", shkruan Putin në një artikull të cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë së Veriut KCNA dhe të botuar në revistën "Rodong Sinmun". Udhëtimi do ta ngrejë "në një nivel më të lartë bashkëpunimin bilateral" dhe do të kontribuojë për "zhvillimin e një bashkëpunimi reciprok dhe nga pozita të barabarta" mes Rusisë dhe Koresë së Veriut, nënvizon Putin në artikull. Të dy vendet janë duke "e zhvilluar më tej partneritetin e shumëanshëm".
Perëndimi në mënyrë të përsëritur e akuzon Penjanin, se po mbështet Rusinë me furnizime armësh në ofensivën ushtarake në Ukrainë. Vendi komunist i sanksionuar ndërkombëtarisht për shkak të programit bërthamor, ka furnizuar Rusinë me municion artilerie dhe raketa, që ajo po i përdor kundër Ukrainës. Nga këndvështrimi i SHBA-së kjo përbën shkelje serioze të vendimeve për sanksione ndaj Koresë së Veriut nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.
ard/dpa