1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Punëtorët e huaj në Kroaci - fituesit dhe humbësit?

Igor Lasić
9 Gusht 2024

Shteti shmang përcaktimin e kushteve më të mira në tregun kroat të punës, i cili po hapet gjithnjë e më shumë për punëtorët e huaj.

https://p.dw.com/p/4jCGg
Punëtorët e huaj në Kroaci
Punëtorët e huaj në KroaciFotografi: DENIS LOVROVIC/AFP

Numri i punëtorëve të huaj që vijnë në tregun kroat të punës është në rritje prej disa vitesh, kështu që mediat po merren me të dhëna për mbi 100 mijë persona që tashmë kanë ardhur, e disa presin dyfishimin e numrit për këtë vit.

Opinioni është i vetëdijshëm për kushtet jashtëzakonisht të vështira në të cilat ata jetojnë dhe punojnë në Kroaci. Ata janë lënë më shumë në mëshirën e agjencive ndërmjetësuese të punësimit, por edhe punëdhënësve, ndërkohë që shteti si rregullator mbetet kryesisht pasiv.

"Ligjet i mbrojnë keq punëtorët, madje edhe ato pak të drejta shpesh shkelen. Gjykatat janë të ngadalta, inspektimi nuk ekziston, problemet janë në rritje", thotë Jakov Kolak, një organizator në Unionin Rajonal Industrial (RIS) dhe studiues politik. Sipas njohurive të tij, ka pak punëtorë të huaj të organizuar në sindikata. Shumica dërrmuese e atyre që përpiqen të organizohen - hasin në rezistencë nga punëdhënësit.

Informacioni i përgjithshëm për të drejtat e punës dhe sindikatave është shumë i dobët, pozita e punëtorëve migrantë është edhe më e keqe. Sistemi u dha punëdhënësve praktikisht lirinë që të trajtojnë si të duan punëtorët migrantë.

Krijimi i qëllimshëm i konkurrencës së pandershme

Punëtorët e huaj në Kroaci
Punëtorët e huaj në KroaciFotografi: Antonio Bronic/REUTERS

"Në fillim duhet të marrin shumë borxhe që të mund të vijnë të punojnë këtu. Ata nuk kuptojnë se çfarë firmosin, lejet e qëndrimit dhe të punës janë të lidhura me punëdhënësin, nuk kanë kujt t'i drejtohen në gjuhën e tyre etj. Punëdhënësit e kërkuan këtë lloj liberalizimi dhe e morën. Ata nuk e përdorin këtë vetëm për të plotësuar vendet e lira të punës, por shumë prej tyre kanë bërë një model biznesi duke importuar njerëz dhe fuqi më të lirë pune. Një model që i ndihmon të fitojnë më lehtë, të mbajnë më të ulët koston e punës dhe që e bën më të lehtë parandalimin e çdo përpjekjeje për përmirësimin e kushteve të punës”, dëshmoi Kolak për DW.

Përfaqësuesit e RIS hasin situata në terren ku punëdhënësit përpiqen të përdorin punëtorë të huaj në mënyrë që të vështirësojnë luftën për punëtorët vendas për kushte më të mira pune. Për shembull, punëtorët kërkojnë rritje të pagave, e cila ndër të tjera mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemit të mungesës së punëtorëve. Por punëdhënësi preferon t'u drejtohet agjencive për të gjetur punëtorë nga jashtë që do të punojnë në kushte më të këqija.

"Një praktikë e tillë inkurajon intolerancën ndaj punëtorëve të huaj", paralajmëron organizatori nga RIS. "Ajo nuk është çështje morale, por strukturore. Punëdhënësit kanë përdorur gjithmonë punëtorë që janë në pozitë më të keqe për të minuar kërkesat për kushte më të mira pune dhe për t'i kthyer "kundër njëri-tjetrit."

"Duhet të pranojmë se shqetësimi i punëtorëve ekzistues në një sistem kaq të parregulluar të importimit të punëtorëve e ka bazën reale”, përfundoi Jakov Kolak. Prandaj ai beson se është më e rëndësishme të zvogëlohet fuqia që kanë punëdhënësit mbi punëtorët migrantë. Gjithashtu, duhet punuar që pozita e shtetasve vendas dhe të huaj të jetë sa më e barabartë.

Pritjet për një zgjidhje dhe vetëorganizim të punëtorëve të huaj janë të pabaza dhe duken naive. Mjafton të imagjinohet fillimisht pozicioni i një punëtori nga Azia, i cili duhej të paguante shtatë mijë euro për të ardhur për të punuar në Kroaci. Kur punëdhënësi e kërcënon se do ta pushojë nga puna nëse nuk sillet sipas udhëzimeve, rezultati është lehtë i parashikueshëm.

Raportet duhet të rregullohen

"Kur ai e kërcënon me shkarkim dhe dëbim të shpejtë, për shembull, nëse refuzon të punojë 12 orë në ditë, punëtori hesht dhe nuk i bie ndërmend për sindikatë”, pohon Kolak. Dhe kështu ndodh me shumë, ndërsa shteti nuk kujdeset.

Ndër pasojat e një situate të tillë është ulja drastike e çmimit të punës, veçanërisht në sektorin e shërbimeve, ku ka një lloj eksodi të punëtorëve vendorë.

Punëtorët e huaj në Kroaci kanë probleme me të drejtat e unës, punonjës nga vende aziatike duke parë dokumente
Punëtorët e huaj në Kroaci kanë probleme me të drejtatFotografi: DENIS LOVROVIC/AFP

Shtrohet pyetja nëse ka shpresë reale se diçka do të ndryshojë për mirë në një të ardhme të parashikueshme. Marko Grdeshiq, profesor i ekonomisë politike dhe sociologjisë politike në Fakultetin e Shkencave Politike në Zagreb, beson se fusha e emigrantëve, pavarësisht gjithçkaje, aktualisht është ende në një fazë ku mund të vihet në një themel më të mirë. "Për ta bërë këtë, do të ishte e nevojshme që të zhvillohet një politikë sistematike në të cilën nevojat e këtyre njerëzve adresohen drejtpërdrejt. Kjo do të thotë se ne kemi një qasje sistematike ndaj problemeve të strehimit dhe integrimit të asaj popullate”, thotë Grdeshiq.

"Tani për tani, këtyre njerëzve u intereson vetëm rroga”, vazhdoi ai, "por nuk duhet të presim që të jetë kështu përgjithmonë. Nëse qëndrojnë për një kohë më të gjatë, atëherë lindin nevoja të tjera. Me këtë do të lindin edhe probleme të reja, si për shembull, a mund të shkojnë fëmijët e tyre në kopshte në Kroaci?

Sindikatat sa më parë

Sindikatat deri tani nuk kanë arritur të formulojnë kërkesat. Grdeshiq thotë se gjërat tani dihen dhe se sindikatat duhet të pozicionohen ndaj kërkesave të migrantëve. Por sindikatat duhet të bëjnë gjëra që nuk i kanë bërë më parë. "Sindikatat tona janë të ngadalta dhe inerte, edhe pse disa prej tyre kanë burime për para dhe njerëz, madje edhe ekspertizë”. "Do të ishte në interesin e të gjithë punëtorëtve qe edhe të huajt të inkorporohen sa më parë në sindikata dhe në lëvizje. Por fatkeqësisht kjo nuk po ndodh akoma”, ka përfunduar Marko Grdeshiq.