1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pse është e rëndësishme vaksina kundër lisë së pyllit?

14 Maj 2023

Puçra që të kruhen janë karakteristika kryesore e lisë së pyllit apo të dhenve - një sëmundje shumë ngjitëse dhe në disa raste shumë e rrezikshme.

https://p.dw.com/p/4R733
Fëmijë me linë e pyllit
Fëmijë me linë e pyllitFotografi: Dave Thompson/PA Wire/picture alliance

Lija e pyllit apo lija e dhenve është e përhapur në gjithë botë dhe zë kryesisht fëmijët. Ajo shkaktohet nga virusi Varizella-Zoster (VZV), një virus herpesi dhe transmetohet nga infektimet me pikla. Që do të thotë virusi përhapet gjatë tështitjeve, kollitjeve ose gjatë të folurit, sepse ndodhet në rrugët tona të frymëmarrjes. Lija e pylllit është shumë ngjitëse.

Mbrojtja më e mirë është me anë të vaksinimit. Prej vaksinave numri i rasteve në botë ka rënë shumë. Kështu për shembull në vitin 2004, në Gjermani rreth 750 mijë fëmijë dhe të rritur u sëmurën me linë e pyllit ose të dhenve. Në vitin 2017, u regjistruan vetëm 22 mijë raste.

Si shfaqet lija e pyllit?

Simptomat e para që tregojnë për infektim të mundshëm me linë e pyllit ose të dhenve, janë dhimbje koke dhe dhimbje gjymtyrësh dhe lodhje e madhe. Disa njerëz kanë edhe temperaturë të lartë.

Sëmurja tipike e lëkurës zhvillohet më vonë. Kjo shfaqet me njolla të vogla të kuqe dhe puçra, të cilat kthehen më vonë në flluska, që mbushen me lëng. Ky lëng është në fillim i kthjellët, me kalimin e kohës bëhet i turbullt. Sëmurja e lëkurës shfaqet fillimisht në fytyrë dhe më vonë në shpatulla dhe bark, dhe me kalimin e kohës mund të përhapet në gjithë trupin.

Windpocken-Impfung
Fotografi: David Cheskin/PA Wire/empics/picture alliance

Pas disa ditësh flluskat zenë kore, që mbas pak kohe bien vetë. Është mirë të presësh që kjo të ndodhë. Sepse të kruash flluskat nuk është ide e mirë, ngaqë mund të shkaktosh infeksione dhe plagë. Lija e pyllit është shumë e pakëndshme, megjithatë tek fëmijët e shëndetshëm pasojat janë rrallë serioze.

Tek fëmijët sëmundja me linë e pyllit zgjat rreth dy javë. Kurse tek të rriturit sëmundja është më e rëndë dhe zgjat më shumë.

Si trajtohet lija e pyllit?

Kundër lisë së pyllit nuk ka medikamente të veçanta. Mundësia e vetme për të zbutur pasojat e sëmundjes janë pomadat kundër kruarjes së madhe. Po ashtu mund të përdoren kompresa të lagura, që freskojnë trupin dhe zbusin të paktën pjesërisht kruarjen. Tek fëmijët e vegjël duhen prerë thonjtë, në mënyrë që ata të mos kruajnë lëkurën dhe të infektohen.

Kush është më shumë i rrezikuar? 

Lija e pyllit zë kryesisht fëmijët në moshën nga dy deri në katër vjeç. Por edhe bebet mund ta marrin linë e pyllit.

Pjesa më e madhe e të rriturve janë imunë ndaj lisë së pyllit, sepse e kanë kaluar një herë infeksionin me virus ose janë vaksinuar kundër këtij virusi. Nëse gratë shtatzëna nuk e plotësojnë këtë kusht, dhe i zë lija e pyllit, kjo mund të jetë me rrezik për fëmijën në barkun e nënës. Me rrezik është sidomos kur nënat sëmuren 24 javët e para të shtatzanisë. Kjo mund të shkaktojë dështim ose dëmtim të fëmijës. Kjo ndodh gjatë të ashtuquajturës sindromi varizelle (CVS), gjatë të cilës ndodhin deformime të gjymtyrëve ose në raste më të rënda deri në dëmtime të trurit.

Windpocken
Fotografi: benedamiroslav/Panthermedia/imago images

Mbas javës së 24 të shtatzanisë nuk ka pse të kemi frikë nga pasojat e një infektimi. Kritike gjendja bëhet sërish pak para lindjes. Nëse nëna sëmuret gjatë kësaj kohe, në një të katërtën e rasteve sëmuret edhe bebja në bark. Gratë, që dëshirojnë të kenë fëmijë dhe bëjnë plane për këtë gjë, duhet të vaksionet tre muaj më parë. 

Si mund të parandalohet lija e pyllit?

Rruga më e mirë për t'u mbrojtur nga infeksioni është natyrisht me vaksinim gjatë fëmijërisë. Virusi i lisë së pyllit është tinzar, sepse ai vjen vërdallë në trupin e njeriut edhe mbas kalimit të infektimit dhe shërimit nga sëmundja.

Nëse ke bërë vaksinën, atëherë njeriu është imun ndaj lisë së pyllit, por nuk është imun ndaj shingelit, që shkaktohet nga virusi Herpes Zoster. Në këtë rast kemi të bëjmë me një të ashtuquajtur rezidiv endogen, një infeksion të ri. Ky mund të shfaqet mbas shumë vitesh e dekadash. Sëmurja me të është shumë më dramatike se me linë e pyllit apo të dhenve. Por kundër shingelit mund të vaksinohesh edhe në moshë të madhe.

Gudrun Heise Gazetare e DW e specializuar në tema mjekësore dhe shkencore.