1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

PS - LSI nisin konfigurimin e qeverisjes së re

Arben Muka28 Qershor 2013

Edi Rama do të jetë kryeministër dhe Ilir Meta kryetar i Kuvendit. Ky ka qenë vendimi i liderëve të PS dhe LSI pas fitores së zgjedhjeve. Ndërkohë PD lajmëroi nisjen e procedimit për zgjedhjen e kryesisë së re.

https://p.dw.com/p/18yBR
Fotografi: AFP/Getty Images

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe ai i Lëvizjes për Integrim, Ilir Meta, janë dakordësuar sot për nisjen e procedimit të hartimit të platformës qeverisëse për mandatin e ardhshëm. Pas fitores bindëse që arriti koalicioni "Aleanca për Shqipërinë Europiane" ku PS dhe LSI ishin protagonistët kryesorë është vendosur që Edi Rama të marrë postin e kryeministrit dhe Ilir Meta atë të kyretarit të Kuvendit. Një nga vendimet e para lidhet me ndarjen e mandatit të deputetëve me atë të ministrave, një formulë që për herë të parë do të aplikohet në Shqipëri kur të nisë nga puna qeveria e re e majtë brenda muajit shtator.

Albanien Wahl Auszählung
Fotografi: DW/Arben Muka

"U vlerësua se pikësëpari një grup i përbashkët pune nën drejtimin e Sekretarit të Programit të PS, Ilir Beqja, dhe anëtarin e kryesisë së LSI Edmond Haxhinasto, duhet të nisë menjëherë nga puna për planin e detajuar të punës së 300 ditëve të para që do t'i paraqitet publikut në muajin shtator", thuhej në një deklaratë që u lëshua të premten pasdite nga PS.

Dy drejtuesit kryesorë të koalicionit kanë shprehur shqetësimin që në këtë periudhë 2 mujore që do të adminstrohet nga qeveria e djathtë e kryeministrit në detyrë Sali Berisha të mos bëhen prokurime me fondet publike dhe të evitohen vendimarrjet për dhënie me koncesioneve të aseteve të pasurisë publike, ndërkohë që kërkojnë garanci që administrata siç janë shprehur ata "të mos përfshihet në veprime antiligjore apo joetike të orës së fundit me arkën e shtetit".

PD "kërkon" kryetarin e ri

Në një kohë që Rama e Meta nisën zyrtarisht të hedhin piketat për qeverisjen e re vetëm disa metra më tutje, po në kryeqytet, kryeministri në detyrë Sali Berisha ka drejtuar një mbledhje të kryesisë së PD. Pas dorëheqjes së tij 48 orë më parë nga të gjitha postet, z. Berisha iu tha anëtarëve të kryesisë se tashme nevojitet një fillim i ri. Por, sipas tij, ky fillim "do ishte i pamundur pa një lidership të ri. Ne kemi detyrën imediate të hapim procedurën e zgjedhjes së lidershipit të ri. Lideshipi i ri ka fatin të mos ketë historinë në shpinë, por trashëgiminë e PD, vizionin e saj, projektin, në këtë kontekst për këto shkaqe komplekse ai nuk mund të zgjidhet nga kongresi, por nga parimi një antar një votë."

Njësoj me qëndrimin që mbajti kur dha dorëheqjen nga të gjitha funksionet në parti, ish kryetari Sali Berisha nënvizoi se Partia Demokratike vërtet që ka humbur betejën, "por ka forca të mëdha për mbështetjen e alternativës për Shqipërinë, një vend i zhvilluar”.

Sali Berisha
Ish-kryetari i PD Sali Berisha, gjatë konferencës për shtyp ku deklaroi dorëheqjen nga funksionet në PDFotografi: picture-alliance/AP Photo

Pas votimeve parlamentare që u mbajtën të dielën koalicioni i majtë që kryesohej nga Edi Rama arrit të marrë 84 nga 140 vendet në Kuvendin e Shqipërisë. Kurse koalicioni i djathtë i drejtuar nga Sali Berisha arriti një rezultat zhgënjyes me vetëm 56 deputetë. Sipas Kushtetutës seanca e parë e parlamentit të ri pritet të konstituohet në ditët e para të muajit shtator, duke vijuar më pas me paraqitjen dhe votimin e kabinetit dhe programit të qeverisë së re për mandatin katër vjeçar.