1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Provokuesi letrar Günter Grass mbush 85 vjeç

Cornelia Rabitz / Elona Elezi17 Tetor 2012

Fitues i çmimit Nobel, poet dhe thyes tabushë, njeri që polarizon dhe provokon, ai është kritik, qytetar i lidhur ngushtë me politikën, por mbi të gjitha një autor i madh: Günter Grass mbushi 85 vjeç.

https://p.dw.com/p/16R33
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kjo jetë e mbushur me ulje dhe ngritje, momente magjike dhe mospranime, nisi në 16 tetor të vitit 1927.

Günter Grass vjen nga proverbi "fillime të përulura." Prindërit e tij zotëronin një dyqan në Gdansk, klientela e të cilit ishte e varfër, apartamenti i tyre ishte i vogël dhe zona e banimit katolike. "Një fëmijëri ndërmjet Frymës së Shenjtë dhe Hitlerit," shkruan biografi i Grassit, Michale Jürgs.

Në moshën 17-vjeçare, Grass ishte dëshmitar i mizorive të Luftës së Dytë Botërore, si një ndihmës i anti-avionëve në vitin 1944 dhe më vonë si anëtar i elitës Waffen SS. Vetëm dekada më vonë Grass do të zbulonte përfshirjen e tij në luftë, duke shkaktuar një skandal të pamatë. Shqetësimi i tij kryesor gjatë luftës ishte mbijetesa.

Zbulim ndërkombëtar

Në Gjermaninë e re të pasluftës, Grass nisi të merrej me punë artistike, duke studiuar skulpturë dhe grafikë, duke luajtur në një grup xhazi, duke udhëtuar dhe, në vitin 1956, ndaloi për pak kohë në Paris.

Jeta që Grass kaloi me gruan e parë ishte më tepër modeste se sa e famshme, por ishte kjo periudha në të cilën nisi karriera e tij yjore letrare. Fillimisht ai shkroi novelën e parë "Daullja prej teneqeje," e cila u botua në vitin 1959, duke bërë bujë në shoqërinë e rrëmujshme gjermane të asaj kohe.

Libri ishte një sukses ndërkombëtar, i përkthyer në shumë gjuhë dhe i përshtatur për film. Saktësisht 40 vite më vonë, krijuesi i saj do të fitonte çmimin Nobel në letërsi.

Krijimtari pjellore

Günter Grass ka shkruar drama dhe poema, por kryesisht prozë letrare.

Punët artistike të Grass janë të lidhura me marrëdhëniet politike dhe trazirat shoqërore, për shembull roli i intelektualëve në Kryengritjen e Republikës Demokratike Gjermane në vitin 1953, rebelimet studentore të vitit 1968, zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani, çështje që i përkasin së ardhmes, politikat Lindje-Perëndim, mbytja e një anijeje në Detin Balltik në vitin 1945, në bordin e së cilës ishin refugjatë. Pajtimi me Poloninë mbeti gjithashtu një çështje e lidhur ngushtë me zemrën e autorit të lindur në Gdansk.

Librat e tij të mëvonshëm nuk patën kurrë të njëjtin nivel entuziazmi me historinë e Oskar Matzerath, por ishin gjithashtu suksese dhe pika referimi për vendet letërsi-dashëse. Për disa, librat e tij ishin shumë të rëndë, me shumë polemikë dhe jo artistikisht të arrirë.

Moral dhe politikë

Gjithsesi, edhe sot Günter Grass ka mbetur një artist krijues dhe shumë dimensional. Një novelist, poet, artist grafike, skulptor dhe me raste edhe ilustrues librash. Ai gjithashtu ka tërhequr vëmendjen pikërisht me ndërhyrjet e tij politike. Prej një kohe të gjatë tashmë, ai njihet si një lloj "autoriteti moral" në Gjermani.

Që nga viti 1961 Grass ka qenë i përfshirë në Partinë Social-Demokratike në Gjermani (SPD), por pa u bërë kurrë anëtar i saj. Ai mbështeti fushatën elektorale të Will Brandt në vitin 1969 dhe më vonë iu bashkua partisë, vetëm për të hequr dorë nga anëtarësimi në parti, si notë proteste kundër reformave të ligjit për azilin.

Por Grass mbeti ai çka ka qenë gjithmonë: herë pas herë "shpërthyes", gjithmonë vëzhgues kritik bashkëkohor, një majtist i pavarur i cili me fuqinë e reputacionit të tij, me zërin e tij të fuqishëm dhe elokuent rreth opinioneve, bëri fushata kundër deportimit të Kurdëve, kundër tregut të punës së detyruar në regjimin nazist, për të drejtat e njeriut, për autorët e persekutuar, kundër luftërave dhe pro luftërave.

Më pas në vitin 2006 ai pranoi dështimet e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kur Grass pranoi anëtarësinë e tij në Waffen SS kur kishte qenë vetëm 17 vjeç, kjo çoi në një debat të hapur akuzues publik, brenda dhe jashtë Gjermanisë.

Hija e bashkëpunimit të heshtur vuri në dyshim reputacionin për integritetin e tij moral. Grass u prek. Shkrimtari, i cili kishte debatuar gjithmonë në kërkim të së drejtës së pakursyer rreth së shkuarës nacionalsocialiste në Gjermani, papritmas u konsiderua një hipokrit.

'Dinosaur shumë-fytyrësh'

Marrëdhëniet mes shkrimtarit të moshuar dhe publikut në përgjithësi ishin ftohur. Ishte e dukshme se Günter Grass, autoriteti moral, nuk ishte më i nevojshëm. Më pas në prill të vitit 2012, Grass publikoi lirikën e titulluar "Was gesagt werden muss" (Çfarë duhet thënë), duke shkaktuar një tjetër skandal i cili kapërceu të gjithë kufijtë në Gjermani.

Teksti, i servirur në formën e një poeme, ishte një kritikë oponente ndaj politikës izraelite. Grass paralajmëronte për një sulm bërthamor izraelit mbi Iran dhe etiketoi vendin, kapacitetet e tij bërthamore dhe politikat uzurpuese, si një kërcënim për paqen në botë. Poema provokoi zemëratë. Autori u shpall person non-grata. Nisën të qarkullonin akuza anti-Semitizmi.

Por Günter Grass mbetet një shembull, jo vetëm për kolegët e tij të rinj. Uwe Tellkamp e përshkruan atë si një prej "fuqive më të mëdha narrative të letërsisë gjermane." Ndërsa Moritz Rinke rastësisht e quajti atë "mbase dinosaurin më interesant shumë-fytyrësh."

Së fundmi Grass botoi librin me poezi të quajtur "Eintagsfliegen" (Mizat e majit). Dhe s´do të ishte një libër i Günter Grass nëse s´do të trajtonte tema politike. Por shkrimtari tashmë 85-vjeçar është i shqetësuar edhe për tema të tjera si mosha, humbja dhe vdekja.

Xhaz dhe cigare

Günter Grass është gjithashtu njeri me humor të mirë, mendjemprehtë, dhe një bashkëkohor i ndjeshëm, një fakt ky i ditur vetëm nga njerëzit që e njohin mirë dhe jashtë kontekstit letrar. Ai është ende i apasionuar pas xhazit, për shembull. Tre vite më parë, Grass dhe miku i tij, muzikanti Günter Baby Sommet, dhanë një performancë muzikore në skenën e Panairit të Librit në Frankfurt.

Njerëz të afërt me të, dinë gjithashtu se Grass-it i pëlqen të gatuajë, ka dobësi për verën e kuqe të cilësisë së mirë dhe në moshën 86-vjeçare refuzon të lërë duhanin. Atij i pëlqen të prezantohet si një patriark në mes të familjes së tij të madhe të zgjeruar. Siç pati shkruar Gëte: "Jam këtu o njeri, guxoj të jem këtu."