1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protestë kombëtare e opozitës në Tiranë

Ani Ruci'
8 Qershor 2019

Protesta e 8-të kombëtare anti-qeveritare e opozitës zhvillohet të shtunën në Tiranë (08.06) pas skandalit të përgjimeve të publikuara nga gazeta gjermane "Bild" së fundmi.

https://p.dw.com/p/3K4AU
Albanien, Tirana: Ausschreitungen bei Anti-Regierungsprotesten
Fotografi: DW/A. Ruci

Opozita dhe mbështetësit e saj synojnë që kjo protestë të realizojë largimin e kryeministrit Rama dhe rrëzimin e qeverisë së tij të akuzuar prej saj, se ka fituar mandatin e dytë qeverisës përmes shit-blerjes së votave dhe  lidhjeve me krimin. Në një konferencë për shtyp, të premten në mbrëmje, (7.06 ) Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike, (PD) dhe lider i opozitës, u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen dhe të marrin pjesë masivisht në protestën e sotme, për të bërë të mundur atë që ai e quajti, "çrrënjosje të  modelit  kriminal që ka instaluar Rama, pastrim të sistemit politik, largim njëherë e mirë të drejtimit kriminal të qeverisjes në Shqipëri”.

Në të gjitha protestat e deritanishme kombëtare anti-qeveritare të opozitës, Basha ka deklaruar, se secila prej tyre do të sillte rrëzimin e kryeministrit Rama. Por kjo nuk ka ndodhur. Në protestat e deritanishme kombëtare shumica dërrmuese e protestuesve kanë qenë mijëra mbështetës dhe militantë të PD nga gjithë vendi. Qytetarët pa përkatësi partiake kanë qenë më të pakët. Por protesta e sotme zhvillohet në një sfond tjetër: në atë të publikimit nga tabloidi gjerman "Bild” i përgjimeve të bisedave telefonike mes drejtuesve të grupit kriminal të Shijakut, të njohur si "Grupi Abdylaj” dhe zyrtarëve publikë në Durrës, mes tyre edhe  kryetari socialist i bashkisë, Vangjush Dako. Në bisedat e tyre flitet për shit-blerje votash në favor të kandidatëve të Partisë Socialiste, (PS) para zgjedhjeve parlamentare 2017, që i  dhanë PS dhe Ramës mandatin e dytë qeverisës.

Përgjimet – ende ka prokurorë që i shërbejnë politikës?

Përmbajtja e bisedave të përgjuara telefonike, të publikuara nga Bild, i përkasin dosjes hetimore 339, të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Tiranë, e hapur në dhjetor 2016. Donika Prela, kryetarja e kësaj Prokurorie, tha në një konferencë për shtyp të premten, (07.05) se po vijon hetimi për lidhjet mes grupeve kriminale dhe politikanëve socialistë dhe jo vetëm. ”Numri i personave që po hetohen për këtë ҫështje arrin në 74 vetë. Ata po hetohen për bashkëpunim në prodhim, shitje dhe trafikim narkotikësh dhe ndikim të paligjshëm në zgjedhje,” theksoi Kryetarja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela. Dosja përkatëse mbeti gjatë në sirtar. Hetimet ndaj personave që dolën në bisedat e përgjuara nuk u hapën, edhe pse Kryeprokuror i Shqipërisë, deri në fund të vitit 2017 ishte Adriatik Llalla, që erdhi në krye të organit të akuzës, kur në pushtet ishte PD dhe që tani po hetohet për pastrim parash në përmasa të mëdha dhe abuzim me detyrën.

Edi Rama
Fotografi: Getty Images/AFP/D. Dilkoff

Rama: Një segment i caktuar në Prokurori ka lidhje me politikën

Publikimi i përmbajtjes së bisedave të përgjuara në stinën e protestave të opozitës është konsideruar si shantazh politik nga kryeministri, Edi Rama. "Një segment i caktuar në Prokurori ka lidhje me politikën dhe ky është shpërdorim i detyrës përmes nxjerrjes së sekretit hetimor. Bisedat e përgjuara janë indicie dhe jo prova” reagoi kryeministri Rama, ditët e fundit, në një kanal televiziv kombëtar. Ai tha se "përballë drejtësisë secili duhet të provojë fajësinë ose pafajsësinë e vet dhe Vangush Dako është i hetueshëm dhe i gatshëm të hetohet. Shqiptarët e kanë shumë të qartë, se këtu ka një dimension që duhet zbardhur nga prokuroria”. 

Përmbajtja e bisedave u publikua dhe qytetarët janë tanimë të informuar. Skandali i përgjimeve solli kështu një dobi publike. Nëse ai do të ndikojë që protesta e sotme në Tiranë të jetë testi i pjesëmarrjes masive të qytetarëve për ndarjen e politikës nga krimi dhe drejtësi të pavarur mbetet të shihet.