1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protestat në Beograd - energjia e pakënaqësisë

18 Janar 2024

Një pjesë e opozitës e mbledhur rreth aleancës “Serbia kundër dhunës” pas pushimit vijon të protestojë kundër vjedhjeve dhe manipulimeve zgjedhore. Debati në Parlamentin Europin për Serbinë shihet si inkurajim i madh.

https://p.dw.com/p/4bM6p
Protestat në Beograd me një flamur të BE-së në plan të parë
Prapë protesta në BeogradFotografi: Darko Vojinovic/ASSOCIATED PRESS/picture alliance

Protesta para Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (KZR) u mbajt në ditën e vrasjes së Oliver Ivanoviqit në vitin 2018 në Mitrovicë, para objektit të partisë së tij. Mijëra qytetarë morën pjesë në fjalimin e krerëve të opozitës, që u pasua me një marshim drejt kishës së Shën Markut, ku u ndezën qirinj.

Vrasja e liderit të Iniciativës Qytetare të PDSH-së, Oliver Ivanoviq, është ende e pazbardhur, ndërsa gjashtë vjet më vonë nuk ka asnjë progres. Lideri i Lëvizjes Kombëtare të Serbisë, Miroslav Aleksiq, tha se "regjimi i Aleksandar Vuçiqit padyshim nuk dëshiron që të dihen autorët dhe ekzekutorët e vrasjes”, dhe përkujtoi se "e vetmja gjë që ndodhi ishte se Bratislav Gashiqi në Parlament akuzoi Gjermaninë për fshehjen e vrasësve të Ivanoviqit, për të cilën Vuçiq më vonë kërkoi falje”.

Lidhja mes asaj ngjarjeje tragjike dhe ngjarjeve aktuale në Serbi është "vetë qeveria”, thekson gazetari Gjorgje Vlajiq për DW. "Ka mjaft prova që qeveria nuk bëri asgjë për zbardhjen e vrasjes”. E nga ana tjetër, qeveria është e lidhur edhe me atë që po protestohet, pra parregullsitë në zgjedhje. Regjimi i Vuçiqit është lidhja mes këtyre dy ngjarjeve, të cilat pasohen nga shumë të tjera që e bëjnë Serbinë jodemokratike - do të thosha e bëjnë një parashtet”, thotë Vlajiq.

Qytetarët e gatshëm për protesta të gjata

Protestues me një parullë në dorë ku në serbisht shkruan - nuk pranojmë!
Opozota pohon se nuk do të pranojë vjedhjen e votaveFotografi: Uros Arsic/NurPhoto/picture alliance

Protestat që pasuan zgjedhjet nuk kanë dhënë shumë rezultate deri më tani, e të krijohet përshtypja se autoriteteve nuk u intereson aspak, nëse janë disa mijëra apo 100 mijë njerëz në rrugë. KZR, siç u shpjegua tashmë, rezultatet përfundimtare i shpalli jashtëzakonisht shpejt dhe supozohet se qeveria e re do të formohet jashtëzakonisht shpejt. Nëse e shikoni nga këndvështrimi i autoriteteve, kështu do të jetë sepse ata po përpiqen të minimizojnë pakënaqësinë popullore, vëren Vlajiq.

"Në anën tjetër qytetarët, pavarësisht numrit të tyre, dërgojnë mesazh se ka një bërthamë njerëzish që nuk janë të kënaqur me atë që po ndodh në Serbi, dhe të cilët janë të gatshëm të këmbëngulin derisa të ndodhë diçka. Fakti që qeveria shfaq një lloj nervozizmi është edhe në favor të tyre. Prandaj nxitohet me formimin e qeverisë dhe për zgjedhjet e Beogradit. Nëse përsëriten do të thotë se nuk mund të formohet qeveria, e cila mohon çdo lloj vjedhje zgjedhore”, thotë bashkëbiseduesit jonë.

Mënyra ligjore - një mënyrë pa sukses?

Mesazhet e fundit nga administrata amerikane mund të interpretohen si një shenjë e keqe për opozitën serbe. Në to, opozita ftohet të vazhdojë luftën me mjete ligjore, pra përmes institucioneve dhe kjo është diçka që regjimi i Aleksandar Vuçiqit do ta pranojë me gjithë zemër. Sepse, siç u paralajmërua nga radhët e opozitës në mbledhjen e djeshme, është e vështirë të llogarisësh me ndonjë sukses kur, mbi të gjitha, policia ishte e përfshirë drejtpërdrejt në procesin zgjedhor dhe mbështetjen e njërës parti, mbështetjen e regjimit, dhe kur të gjitha institucionet e tjera janë nën kontrollin e rreptë të regjimit.

Gjorgje Vlajiq tërheq vëmendjen për faktin se "administrata demokratike (në Uashington) vëzhgon me njëfarë shqetësimi çdo dhunë dhe sulm ndaj institucioneve pas ngjarjeve në Kapitol. Në një farë mënyre këtë e panë para Kuvendit të Beogradit. E këtë mund ta lexojmë si një motiv për të bërë thirrje për zgjidhjen e problemeve në institucione. Një "problem i vogël" është se institucionet në Serbi nuk paraqesin mbështetje për asnjë procedurë demokratike. Në atë nivel, rekomandimet nga perëndimi nuk doli në shenjë”, thotë Vlajiq.

Qëndrimet e BE

Opozita e cilëson si inkurajim të madh diskutimin e Parlamentit Evropian për zgjedhjet në Serbi, i cili u mbajt të mërkurën, më 17 janar. Ajo pasoi disa kundërshtime nga Partia Popullore Evropiane, por, siç thotë Andreas Schider, udhëheqës i delegacionit të Partisë Socialdemokrate të Austrisë në PE, "edhe Vladimir Bilçik përfundimisht duhej të pranonte ekzistencën e shumë parregullsive".

Marinika Tepiq dhe dy opozitarë të tjerë, foto me portrete gjatë protestës
Marinika Tepiq flet për herë të parë në protestë pas grevës së urisëFotografi: Darko Vojinovic/AP/dpa/picture alliance

Prandaj, Marinika Tepiq, për të cilën protesta e djeshme ishte e para ku ajo mbajti një fjalim publik pas grevës së urisë, theksoi se "për këtë kemi qenë në grevë urie. Nuk po i drejtoheshim frikacakëve matanë rrugës, por Europës dhe botës. Sot i gjithë planeti e di që ne i kapëm duke vjedhur”, tha ajo.

Kryetari i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, Pavle Grboviq, me këtë rast deklaron se "shpresojmë që më në fund të vijnë veprime vendimtare nga ajo anë”. Na vjen mirë që forcat konservatore, të afërta me Aleksandar Vuçiqin, u mbivotuan edhe pse në krye me Vladimir Bilçikun e turpshëm u përpoqën me të gjitha forcat që të mos ndodhte ky diskutim. Ky është një lajm inkurajues, ndërsa fakti që lufta jonë në tre fronte është e ngadaltë, kërkon shumë durim, por ka efekte”, beson Grboviq.

"Duke gjykuar nga mënyra se si është futur në agjendën e Parlamentit Evropian, mendoj se është e qartë se Beogradi do të marrë kritika të ashpra. Pritet edhe raporti përfundimtar i OSBE-së për zgjedhjet dhe e gjithë kjo do të jetë një mesazh i pakëndshëm për Beogradin, i cili është në një rrugë shumë të rrëshqitshme sa i përket marrëdhënieve me Bashkimin Evropian”, ka theksuar Gjorgje Vlajiq.

Zgjidhni metodat më efektive

Protestat në rrugë, beteja ligjore, adresimi i përfaqësuesve ndërkombëtarë, këto janë mënyrat e luftës së opozitës tani për tani. A ka opozita diçka tjetër në dispozicion në këtë luftë?

"Opozita ka në dispozicion të gjitha metodat e luftës politike, parlamentare dhe joparlamentare", thekson Gjorgje Vlajiq.

"Ata nuk mund të marrin mandate, mund t'i marrin dhe t'i kthejnë, dhe në të njëjtën kohë të vazhdojnë me presionin e rrugës - tani është vetëm çështje vlerësimi dhe mençurie politike për të zgjedhur metodat më efektive. Në kuptimin që e ruajnë atë energji qytetare të pakënaqësisë me atë që po ndodh në Serbi”, përfundon Vlajiq për DW.