Protesta të dhunshme në Slloveni - Të paktën 15 të plagosur
1 Dhjetor 2012Një grup protestuesish hodhi të shtunën në mbrëmje (30.11.) gurë, fishekzjarre dhe mjete të tjera piroteknike në drejtim të policisë, ndërsa policia iu kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe pompa uji. Forcat e rendit arrestuan më pas 30 vetë. Mediat sllovene raportojnë se si pasojë e konfrontimit me demonstruesit në Lubjanë, u plagosën rreth 10 deri në 15 policë, dy prej të cilëve janë goditur me gurë, ndërkohë që një numër i konsiderueshëm i protestuesve është dërguar në spital.
E përditshmja e Mariborit "Večer", thekson se grupi i protestuesve, që ushtruan dhunë kishte ardhur i përgatitur në protesta i pajisur me maska dhe gaz lotësjellës. Shefi i policisë së Lubjanës Stanislav Veniger u tha gazetarëve se policia arrestoi një grup protestuesish të dhunshëm. Ai shtoi se në përgjithësi masa e protestuesve ishte e përgjegjshme dhe u distancua nga shkaktarët e përleshjeve. Ministri i Brendshëm slloven Vinko Gorenak përmes rrjetit social Twitter përgëzoi policinë për punën e saj.
Të dhëna të ndryshme për numrin e pjesëmarrësve në protesta
Në media u dhanë vlerësime të ndryshme për numrin e demonstruesve. Disa media njoftojnë për 5.000 pesjëmarrës, ndërsa të tjera flasin për më shumë se 10.000.
Protestat në Slloveni për shkak të përkeqësimit gjithnjë e më shumë të gjendjes social-ekonomike filluan në Maribor më 26 nëntor. Demonstratat në Lubjanë dhe në disa qytete të tjera sllovene janë organizuar përmes rrjetit social në internet "Facebook". Ndonëse ideja fillestare për organizimin e protestave kishte të bënte me krizën, pakënaqësia e qytetarëve u përforcua edhe me tej jre përdorimit të tepruar të forcës në protestën e Mariborit.
Protestuesit janë të pakënaqur edhe nga shumica e politikanëve dhe u kërkojnë atyre të japin dorëheqjen, duke përfshirë këtu edhe kryeministrin Janez Jansha.
Tensione në prag të zgjedhjeve
Në Slloveni, të dielën (2.12.) do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, në të cilin qytetarët do të zgjedhin mes kreut aktual të shtetit Danilo Turk dhe ish- kryeministrit Borut Pahor.
Sipas një sondazhi, rezultatet e të cilit janë publikuar të premten (30.11.2012) nga gazeta "Delo", Pahor mund të llogarisë deri me rreth 55 për qind të votave, ndërsa Turk me rreth 24 për qind. Pahor deklaroi (30.11.2012) për agjencinë e lajmeve Associated Press, se protestat janë një "sinjal i mungesës së besimit" të qytetarëve ndaj institucioneve qeveritare. "Është shumë e rëndësishme t'iu japim qytetarëve shpresë se të gjitha problemet mund të zgjidhen pa përdorimin e forcës ", tha ai.
Pahor (49) mbështet disa prej masave të qeverisë për reforma, ndryshe nga presidenti aktual Turk, i cili është kritik i i ashpër i tyre.