Protesta në Greqi
27 Shtator 2012Shumë grekëve u kanë ardhur kursimet në majë të hundës. Në Athinë, Selanik dhe qytete të tjera në të gjithë vendin dolën në rrugë të mërkurën (26.09) dhjetëra-mijëra vetë për të protestuar kundër masave të reja të kursimit dhe mungesesë së perspektivës.
Disa protestues mbanin në krahë arkivole si simbol se shtetit social, kulturës, sigurimeve shëndetësore dhe pensioneve u ka ardhur fundi. Në protesta morën pjesë edhe priftërinj dhe oficerë të policisë, të ushtrisë dhe të forcave ajrore. Gjatë demonstratave pati edhe rebelime të grupeve autonome. Në Athinë qenë mobilizuar për të ruajtur rendin rreth 5.000 policë.
Të mërkurën në Greqi nuk lëviznin as tragetet, as trenat. Dhjetëra fluturime u anuluan dhe ka pasur vonesa në trafikun ajror për shkak të ndërprejres së punës nga kontrollorët e trafikut ajror. Në grevë qenë edhe punonjësit e shërbimit të mbledhjes së plehrave dhe të mbeturinave.
Mjekët trajtonin vetëm rastet e urgjencave. Farmacitë ishin në grevë. Në grevë u përfshinë edhe nëpunësit e të gjitha ministrive, si mësuesit. Sindikatat e sektorit shtetëror dhe privat u shprehën pasdite se greva qe e sukseshme. Sipas tyre në sektorin publik në grevë morën pjesë më shumë se 80 për qind e zyrtarëve.
Gjithësesi shanset që qeveria greke do t'i dëgjojë protestuesit janë vërtetë minimale. Masat e kursimit, që shkojnë në miliarda, duhen zbatuar dhe ky nuk është programi i parë i kursimeve, që rëndon mbi popullsinë dhe kërkon prej saj sakrifica masive.