1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pronari i një fabrike ushqimesh në Belgjikë kërcënohet me vdekje sepse ka punësuar një grua msyslimane me ferexhe

Christopher Plass21 Prill 2005

Në rajonin belg Flamani, pronari i një fabrike ushqimesh merr që prej vitit të kaluar letra kërcënuese, sepse ai punëson gra myslimane dhe i lejon ato të mbajnë shami koke. Ndonëse përmbajtja e letrave është vërtet serioze, pronari vazhdon t´i lejojë gratë që të mbajnë ferexhe nëse dëshirojnë. Dhjetëra mijëra qytetarë kanë shfaqur ndërkohë solidaritetin e tyre me qëndrimin e këtij pronari. Gjatë muajit janar, mbreti belg Albert II e ftoi pronarin për një vizitë në Bruksel dhe të martën e kaluar mbreti shkoi personalisht për një vizitë në fabrikën e burrit me kaq shumë kurajo.

https://p.dw.com/p/AsI7

Sa herë që vjen mbreti në provincën e Flamanisë, gëzohen të gjithë qytetarët. Fëmijët lëkundin flamurët dhe e përshëndesin makinën e mbretit që kalon nëpër provincë. Por për një qytetar kjo vizitë është diçka shumë e veçantë. Alberti dhe gruaja e tij, mbretëresha Paula vizituan të martën fabrikën Remmery në qytetin Ledegem. Pronari i kësaj firme, Rik Vannieuvehuyse dhe monarku njihen prej kohësh. Përpara tre muajsh biznesmeni ishte ftuar për një audiencë në Bruksel. Vannieuvehuyse, i cili e quan veten edhe Remery, ishte shumë i lumtur mbi këtë takim:

"Kjo më lehtëson punën dhe më mbështet në vendimet e mia, ndonëse letrat kërcënuese vazhdojnë."

Ka kohë që të gjitha gazetat në Belgjikë shkruajnë mbi rastin e Rik Remmery. Ai kërcënohet me vdekje sepse ka punësuar një grua myslimane, e cila punon me shami në kokë. Një organizatë deri tani e panjohur me emrin "Flamania e re dhe e lirë", është përgjegjëse për 7 letra kërcënuese që ka marrë Remery. 250.000 eruo u ofruan njëherë për vrasjen e Remeryt, dhe një herë tjetër autori i letrës dërgoi dy plumba. Të dyja herët Remerit i bëhej thirrje që të hiqte nga puna Naima Amzilin.

Gruaja e re me prejardhje marokane, e cila ka nënshtetësinë belge, shkoi së bashku me pronarin e saj tek mbreti Albert II në Bruksel. Të martën e kaluar, mbreti e përshëndeti punëtoren në mënyrë demonstrative përpara kamerave. Naima e di shumë mirë se çfarë do të thotë vizita e saj në shtëpinë mbretërore në Bruksel:

"M´u bë shumë qejfi që mbreti na mbështet si mua ashtu edhe Rikun. Ndoshta ai do të jetë në gjendje të bëjë diçka që këto kërcënime të marrin fund njëherë e mirë."

Naima ndjehet fajtore për situatën e krijuar. Por shefi i saj nuk do ta heqë atë nga puna. Përpara pak kohësh, ajo mori pushime të gjata duke shpresuar kështu se gjendja do të qetësohej. Por dikur biznesmeni Remmery e morri atë sërish në punë. Remmery nuk e kupton këtë situatë. Ai thotë se të gjitha punëtoret e tij duhet të mbulojnë flokët kur punojnë:

"Naima nuk mban ferexhe në punë, por një rrjetë për flokët. Ku qëndron ndryshimi këtu? Të gjithë punëtorët e mi mbajnë një rrjetë të tillë për arsye higjenike. Kur Naima del në rrugë, nuk mban asnjëherë shami në kokë."

Deri tani policia nuk ka asnjë informacion konkret se kush mund t´i dërgojë letrat kërcënuese. Rreth 50 punëtorëve të fabrikës Remmery ju morrën gjurmët e gishtave, por pa sukses. Ndërkohë populli ka shfaqur solidaritet të hapur me Remmery: Dhjetëra mijëra vetë kanë firmosur një peticion për mbështetjen e biznesmenit.

Vizita e mbretit ishte gjithashtu një gjest inkurajues. Remmery dhe produktet e tij - karkaleca deti, midhje dhe specialitete të tjera - janë të njohura në të gjithë Belgjikën. Por ka disa njerëz që thonë se Remmery, i cili furnizon me artikuj ushqimorë edhe dy firmat e mëdha gjermane Aldi dhe Kaufhof, po e përdor situatën për t´i bërë reklamë fabrikës së tij.

Letrat kërcënuese kanë të bëjnë edhe me klimën politike në Flamani. Ka vite që partia nacionaliste "Vlaams Belnag" - "Çështjet e Flamanisë" po fiton gjithnjë e më shumë vota. Programi i kësaj partie është popullizëm, nacionalizëm dhe urrejtje ndaj të huajve.