Promovimi i Shqipërisë turistike në ITB
6 Mars 2014
DW: Shqipëria ka disa vite që merr pjesë në ITB. Cilat janë të veçantat e pjesëmarrjes sivjet?
Gjermeni: Më vjen shumë mirë që Agjencia Kombëtare e Turizmit në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit këtë herë merr pjesë me një sërë operatorësh turistikë duke sjellë një frymë të re, pamje të re, publikime të reja dhe sigurisht edhe mundësi kontaktesh me operatorë turistikë gjermanë apo të vendeve të tjera, gazetarë dhe përfaqësues të medieve ndërkombëtare dhe investitorë potenciale gjermanë apo të vendeve të tjera. Gjatë këtyre ditëve krahas materialeve të reja promovuese dhe dhënies së mesazhit që Shqipëria është vërtet një vend që i mirëpret turistët, që ka potenciale turistike të mëdha, trashëgimi kulturore të pasur dhe që dallohet për mikpritjen, kemi në qendër të prezantimit edhe reformat që po ndërmarrim për ta kthyer turizmin në një sektor prioritar të zhvillimit të ekonomisë. Duam të promovojmë një imazh të ri të Shqipërisë për të tërhequr më shumë turistë, jo thjesht në numër, por edhe për rritjen e kohëqëndrimit të tyre në Shqipëri.
Së fundi Ministria juaj në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme ka iniciuar një strategji të re të promovimit të Shqipërisë turistike përmes përfaqësive diplomatike në botë. Cilat janë pikat kyçe të kësaj strategjie?
Ne si qeveri kemi nisur punën për promovimin e një imazhi të ri të Shqipërisë jo vetëm në fushën e turizmit, por edhe më gjerë. Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Jashtme dhe ajo e Integrimit Evropian po punojmë për krijimin e një "brand" të ri për Shqipërinë në tregun botëror. Në kuadër të përpjekjeve për promovimin e Shqipërisë turistike, apo për ta kthyer Shqipërinë në një destinacion të preferuar turistik, një nga aktivitetet është marrëveshja me Ministrinë e Jashtme, përmes së cilës ambasadat dhe përfaqësitë tona në botë të jenë promotore të marketingut për turizmin. Secila ambasadë apo përfaqësi do ketë një stendë me materiale për promovimin e turizmit në Shqipëri, të cilat ne si Ministri ua vëmë në dispozicion.
Pjesë e strategjisë është edhe pjesëmarrja në panaire për turizmin, jo vetëm tek ata tradicionalë si ITB apo panairi i Londrës, por edhe në vende me potencial për Shqipërinë. Nga ana tjetër pjesë e strategjisë sonë është gjithashtu ftesa për përfaqësues të medias ndërkombëtare në Shqipëri për të njohur dhe prezantuar potencialet turistike të Shqipërisë dhe për t'i promovuar në vendet respektive.
Do doja të theksoja edhe diçka: çdo shqiptar, qofshin këta në diasporë, apo artistë të famshëm shqiptarë mund të jetë një promotor i Shqipërisë turistike. Mos harrojmë se zhvillimi i turizmit është një faktor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të vendit për më shumë punësim, më shumë mirëqenie.
Promovimi është njëra anë e medaljes dhe ana tjetër është realiteti me të cilin një turist përballet kur vjen në Shqipëri. Megjithë interesin për natyrën e bukur shqiptare, ajo ende nuk hyn në vendet që janë destinacione tradicionale turistike si p.sh. Italia apo Greqia. Sezoni turistik tani është në prag. Si do ta gjejnë turistët këtë sezon Shqipërinë?
Është e vërtetë që kërkohet cilësi dhe standard shërbimi, aq më tepër kur në rajon kemi konkurrentë me traditë në sektorin e turizmit. Nga ana tjetër më vjen mirë të kujtoj që në janar New York Times e rendiste Shqipërinë dhe bregdetin e saj të kartëtën në botë si vend që duhet vizituar nga turistët. Ne duam që turistët që do të vijnë në Shqipëri, të qëndrojnë dhe të vlerësojnë potencialin që Shqipëria ofron. Kemi shumë punë për të bërë, por e kemi filluar me marketingun.
Paralelisht me të po marrim masa të tjera si në fushën e reformës legjislative. Po rishikojmë ligjin e turizmit, kërkesë kjo e vetë sipërmarrjes private, për të çertifikuar shërbimet turistike, për të bërë klasifikimin e tyre, liçensimin e operatorëve turistikë me qëllim që turizmi në Shqipëri të zhvillohet mbi bazën e një ligji që i afrohet standardeve ndërkombëtare dhe njëkohësisht i përgjigjet dinamikave të zhvillimit të turizmit në Shqipëri. Kemi marrë masa për trajnimin dhe çertifikimin e guidave të para turistike në Shqipëri. Hap tjetër është bashkëpunimi me pushtetin vendor dhe institucione të tjera përkatëse për përgatitjen e sezonit të ri turistik. Kemi rishikuar vendimin e Këshillit të Ministrave për masat e sigurisë në plazhe dhe cilësinë e shërbimit atje. Masa janë marrë për pastrimin e territorit, ku dua të vlerësoj në mënyrë të veçantë rolin e forcave të armatosura, por edhe aktorëve të tjerë që i janë bashkuar aksionit për një Shqipëri të pastër. Synimi është që turistët e këtij sezoni veror që fillon së shpejti të gjejnë një Shqipëri të pastër. Këtu bëjnë pjesë edhe pastrimet nga ndërtimet kaotike, pa leje, bërë në kundërshtim me ligjin dhe që kanë dëmtuar mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në Shqipëri.
Dua të nënvizoj se Qeveria Rama ka vetëm gjashtë muaj që ka nisur punën dhe jemi të vendosur të punojmë paralelisht si në fushën e promovimit ashtu edhe në atë të përmirësimit dhe zbatimit të kuadrit ligjor dhe gjithë masave të tjera për përgatitjen e vendit për sezonin e ardhshëm turistik. Jam e bindur se jemi në rrugën e duhur, por nuk duhet harruar se disa prej masave dhe reformave janë në proces dhe kërkojnë kohën e tyre.
Ndryshimi i imazhit dhe përmirësimi i standardeve në përputhje me imazhin e promovuar kërkon kohë. Por cili është objektivi afatshkurtë për sezonin në prag?
Cilësia e shërbimit, mjedisi i pastër janë ato që duam të arrijmë në këtë sezon veror në mënyrë që turistët që vijnë të mund ta shijojnë Shqipërinë. Në periudhë më afatgjatë sigurisht siç e thashë më lart krijimi i imazhit të ri, "brand" të ri për Shqipërinë.
A ka një bashkëpunim konkret me Gjermaninë në fushën e turizmit?
Gjatë qëndrimit tim këtu kemi pasur takime intensive me operatorë gjermanë të turizmit, investitorë potencialë dhe përfaqësues të shtypit. Kam pasur edhe takime me deputetë të Bundestagut. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë ekonomik me Gjermaninë prej vitesh tashmë si në infrastrukturë, në sektorin e energjisë dhe edhe të turizmit. Ministria që drejtoj ka një bashkëpunim shumë të mirë me GIZ në Shqipëri. Ne po punojmë intensivisht për thellimin dhe konkretizimin e bashkëpunimit me operatorë gjermanë të turizmit.
Zonja Ministre, Ju nënshkruat të mërkurën (05.03.) një marrëveshje bashkëpunimi me Organizatën Botërore të Turizmit. Çfarë ofron kjo marrëveshje në terma konkretë?
Më vjen shumë mirë që pas bisedimeve në janar të këtij viti arritëm të finalizojmë negociatat me nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi, e cila është dyvjeçare me mundësi zgjatjeje. Konkretisht kjo marrëveshje parashikon ndihmë dhe asistencë teknike për Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit në fushën e rishikimit të legjislacionit, në fushën e hartimit të strategjisë 2014-2020 për turizmin, ekspertizë nga kjo organizatë për mbledhjen e statistikave në fushën e turizmit dhe kryesorja promovimin dhe marketingun e Shqipërisë si destinacion i preferuar turistik. Dua të theksoj se bashkëpunimi do të jetë në terma shumë konkretë dhe me një plan pune shumë të detajuar. Në tetor sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit vjen në Shqipëri me ftesë të kryeministrit Rama dhe me këtë rast planifikojmë një seminar rajonal për turizmin gjithëvjetor në kuadër të objektivit që Shqipëria të bëhet një model i zhvillimit të disa llojeve të turizmit duke qenë se natyra e saj e ofron këtë potencial: diellin, bregdetin, turizmin malor dhe ekoturizmin.