1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prokuroria kërkon që Navalny të burgoset për shumë vite

2 Shkurt 2021

Po të pyetet prokurori, kundërshtari i Presidentit rus Vladimir Putin duhet të zhduket nga skena për një kohë të gjatë.

https://p.dw.com/p/3ogrk
Russland Moskau Gerichtsanhörung für Nawalny per Video
Fotografi: ALEXANDER NEMENOV/AFP/Getty Images

Sipas avokatit të tij, kritikun rus të Kremlinit, Aleksej Navalny e kërcënojnë dy vjet e gjysmë burg. Këtë të martë, do të merret një vendim nga autoritetet penale (FSIN) për ta kthyer dënimin aktual me kusht në dënim me burg. Arsyeja e dhënë ishte se Navalny kishte shkelur kushtet e një vendimi të vitit 2014. Në atë kohë ai u dënua me tre vjet e gjysmë me kusht për akuzën e përvetësimit.

Tani dënimi me kusht do të tërhiqet. Meqenëse Navalny tashmë ka vuajtur një pjesë të dënimit nën arrest shtëpiak, kanë mbetur edhe dy vjet e gjysmë, tha avokati i tij. Menjëherë para seancës gjyqësore, prokurori deklaroi se kërkesa ishte "ligjore dhe e justifikuar".

44-vjeçari e arrestua menjëherë pas kthimit të tij nga Gjermania në mes të janarit. Ai më parë po shërohej në Republikën Federale nga pasojat e një helmimi në Siberi, për të cilën ai fajëson Presidentin rus Vladimir Putin. Autoritetet e akuzojnë atë se nuk është paraqitur në polici dy herë në muaj gjatë kësaj kohe.

Navalny e dënuan fillimisht me 30 ditë burg me procedurë të përshpejtuar. Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugë kundër arrestimit të tij gjatë fundjavëve të kaluara në të gjithë Rusinë. Policia ndërhyri me shumë ashpërsi dhe mori vetëm të dielën në paraburgim më shumë se 5100 pjesëmarrës të manifestimit, siç informoi portali i të drejtave të njeriut OWD-Info.

"As fasada nuk respektohet"

Ministrja gjermane e Drejtësisë, Christine Lambrecht i kritikoi ashpër veprimet e forcave të sigurisë. Arrestimet dhe dhuna e policisë kundër demonstruesve paqësorë janë një "shpërfillje e qartë e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutës Ruse", tha politikania e SPD. Udhëheqja shtetërore "nuk ruan më as pamjen e shtetit të së drejtës, lirisë së shprehjes dhe demokracisë". Në vend që të ndjekin më tej Navalnyn dhe mbështetësit e tij, "duhet të nisin më në fund hetime penale për të zbardhur helmimin e tij", kërkoi ministrja.

Zëdhënësi i politikës së jashtme për grupin parlamentar CDU/CSU, Jürgen Hardt, i tha Deutsche Welle-s se, në sfondin e imazheve nga qytetet kryesore ruse, është e vështirë të përfytyrohet që zgjedhjet parlamentare të planifikuara për në vjeshtë të jenë të lira dhe demokratike. Me sa duket, opozita "nuk ka se si të shprehet".

Rusia shkel "të gjitha rregullat e Këshillit të Evropës", anëtare e të cilit është vetë. Bashkimi Evropian tani duhet të veprojë i bashkuar, tha Hardt. Sidoqoftë, duhet të mbahet parasysh: "Ne nuk duam ta godasim popullin rus, për shembull me sanksione, ne duam që Putini dhe ekipi i tij drejtues në Kremlin të ndryshojnë sjelljen e tyre".

Russland Moskau Proteste gegen Nawalny-Verhaftung
Fotografi: NATALIA KOLESNIKOVA/AFP/Getty Images

"Asnjë bisedë me huliganët dhe provokatorët"

Megjithë arrestimet masive, i ngarkuari me Politikën e Jashtme të BE, Josep Borrell i përmbahet një vizite të planifikuar në Rusi. Në takimet e tij në Moskë në gjysmën e dytë të javës, Borrell gjithashtu donte të fliste për Navalnyn, tha një zëdhënës. Përveç kësaj, BE po përpiqet të takojë personalisht kritikun e ndaluar të Kremlinit. Borrell kishte dënuar më parë në Twitter "përdorimin joproporcional të forcës" kundër demonstruesve dhe gazetarëve.

Presidenti i Rusisë vazhdon të jetë i palëkundur dhe hedh poshtë çdo dialog me mbështetësit e Navalnyt. "Nuk mund të ketë bisedë me huliganë dhe provokatorë," u tha gazetarëve zëdhënësi i Putinit Dmitry Peskov. Përkundrazi, duhet reaguar me "ashpërsinë e plotë të ligjit".

Që nga e hëna, rrjetet sociale në Rusi kanë detyrimit të kërkojnë dhe bllokojnë informacione në lidhje me demonstrata të paautorizuara. Përmbajtjet në lidhje me sekretet shtetërore dhe terrorizmin gjithashtu nuk duhet të jenë të klikueshme, siç nuk duhet të jenë udhëzimet për prodhimin e drogave, materiali pornografik i fëmijëve, thirrjet për vetëvrasje dhe deklaratat që nuk respektojnë kushtetutën ruse.

 

 

jj/wa (dpa, afp, rtr, DW)