Profil modern, parrulla të vjetra
15 Mars 2012"Ndryshimi midis Frontit Nacional në Francë dhe partive të tjera populiste të djathta në Europë?". Etienne François, historian në Qendrën franceze të Universitetit të Lirë të Berlinit qesh me sarkazëm: "Në asnjë nga vendet e tjera evropiane një parti e djathtë populiste nuk ka kaq shumë idhtarë sa në Francë- për fat të keq!"
Rreth 15 përqind e francezëve do të votojnë më 22 prill për Frontin Nacional, thonë sondazhet. Që prej fundit të viteve 80-të Fronti Nacional merr rregullisht në raundin e parë të zgjedhjeve kaq vota, por në balotazh kjo parti arriti vetëm në vitin 2002. Figura që ka dominuar partinë populiste të djathtë në Francë ka qenë për shumë kohë Jean-Marie Le Pen. Ai e krijoi 40 vjet më parë Frontin Nacional dhe u bë i njohur me shprehjet e tij raciste dhe antisemitiste.
Më moderne dhe më e moderuar
Në janar 2001 udhëheqjen e partisë e mori Marine Le Pen. Avokatja 43-vjeçare është më e vogla e tre bijave të Le-Pen-it. Nga pikëpamja tematike ajo është më fleksibël se i ati, mendon Florian Hartleb. Ai merret aktualisht me studime në Centre for European Studies (CES) në Bruksel. Fokusi i studimeve të tij është populizmi, partitë politike dhe ekstremizmi në Bashkimin Evropian. Në përgjithësi, mendon Hartleb, Marine Le Pen, përpiqet që të modernizojë partinë dhe t`i jap një kurs më të moderuar.
Megjithatë skepticizmi ndaj Europës, nacionalizmi dhe mbrojtja e sovranitetit të Francës janë tema të pandara në programin e Frontit Nacional. Objektiva të Marine Le Pens janë si dalja nga zona e euros, ashtu edhe dalja nga NATO. Një nga temat kryesore mbetet armiqësia ndaj të huajve. Fronti Nacional lufton kundër infiltrimit në Francë të të huajve, veçanërisht të emigrantëve myslimanë.
Pozicione të njëjta
"Kjo parti është parti proteste", përmbledh Etienne François. Pozicionet bazë kanë mbetur, edhe nëse Marine Le Pen nuk thotë shprehje raciste apo antisemitiste, mendon historiani: "Marine Le Pen stilizohet si mbrojtëse e laicizmit, pra ndarjes së shtetit nga kisha, dhe e vlerave të Republikës Franceze dhe si mbrojtëse e njerëzve të vegjël kundër bosave që ndodhen lart."
Tenori i fushatës së saj zgjedhore është i njëjtë. Ajo flet në fushatë kundër mishit të kafshëve që theren sipas ritualeve islamike. Ajo kërkon ruajtjen e vlerave republikane dhe respekt për dëshirat e popullit francez.
Në fakt ajo nxit ndër të tjera në videot që tregohen në faqen e saj të internetit, frikën nga zakonet e dëmshme të besimit mysliman: "Kush merret me rreziqet që i shfaqen atyre që konsumojnë mish hallall, pa e ditur?, pyet Le Pen e shqetësuar. Dhe më tej: "Konsumatori sakrifikohet për zakonet e besimit islam kur ha mish hallall. Ku kanë mbetur rregullat e Republikës, pse nuk bën kërkush diçka kundër, pse e durojnë këtë skandal si partitë e majta ashtu edhe ato të djathta?"
Zgjedhës nga të gjitha shtresat
Duke folur kështu Marine Le Penn i flet të gjitha shtresave të shoqërisë, jo vetëm atyre që janë të frustruar, të moshuarve dhe të varfërve, por edhe punëtorëve dhe punonjësve. Tipike për parti të tilla është t`i drejtohet njerëzve nga shtresa e mesme që kanë ressentiments kundër të huajve ose tremben për humbjen e mirëqënies, thotë studiuesi i populizmit Florian Hartleb. Edhe Etienne François thotë se: Gjithnjë e më shumë të ashtuquajtur të arsimuar dhe personalitete mendojnë se partia është shoqërisht e pranueshme."
Presidenti në post Nicolas Sarkozy kërkon po ashtu këta zgjedhës duke përdorur tema të ngjashme si Le Pen. Tema e "ritualit hallall" u përdor menjëherë nga Sarkozy, po ashtu si çështjet e migracionit. "Nëse brenda gjashtë muajve nuk arrihet mbrojtje më e mirë e kufijve të jashtëm të BE-së, atëherë Franca do e dorëzojë antarësinë në Shengen", deklaron Sarkozy në një takim të fushatës zgjedhore.
Karta nacionale
"Ai përdor kartën nacionale dhe nacionaliste," vëzhgon Florian Hartleb. Nëse Marine Le Pen, siç parashikohet do të dalë pas raundit të parë nga gara, atëhërë zgjedhësit e saj do të votojnë në balotazh më 6 maj për Nicolas Sarkozy, mendojnë vëzhguesit.
Dhe nëse Sarkozy i humbet zgjedhjet presidenciale të cilat i fiton kandidati socialist François Hollande, atëherë koncervatorët e moderuar mund të përpiqen që në zgjedhjet parlamentare në qershor të takohen me Frontin Nacional, mendon Etienne François nga Qendra Franceze në FU Berlin. Kjo mund ta bënte të djathtën në Francë edhe më shumë shoqërisht të pranueshme.
Autor: Daphne Grathwohl/ Aida Cama
Redaktoi: Esat Ahmeti