Problemi italian prej 200 miliardë eurosh
1 Shkurt 2016Italia nuk është më problemi i Evropës, ajo i ka bërë detyrat e shtëpisë, tha Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi të premten (28.01.), pas një takimi me Kancelaren gjermane, Angela Merkel në Berlin. Por me siguri që me këtë ai nuk ka pasur parasysh tatëpjetën gjigande në të cilën ndodhen bankat italiane. Deri 40 përqind vlerë kanë humbur aksionet e bankave italiane që prej fillimit të vitit. Rreth 17 përqind e të gjitha kredive, sipas llogarive të Zyrës Mbikqyrëse të Bankave, EPA janë të këqia, kërcënojnë humbje në shumën 200 miliardë dollarë, ky është niveli më i lartë në 20 vitet e fundit.
Problemi prek jo vetëm sektorin bankar, por paralizon të gjithë ekonominë italiane, thotë Jörg Kramer, kryekonomist i Commerzbank. Edhe politika më e lirshme e parave e Bankës Qendrore Evropiane, në një situatë të tillë kalon pa efekt. "Kur bankat vetë kanë shumë kredi të pambuluara, atëherë ato as nuk u japin para sipërmarrjeve", i thotë Krämer DW.
Shumë Bad Banks
Për ta vënë nën kontroll problemin, Italia ra dakord pas negociatave të gjata me Komisionin Evropian që të ngrejë një Bad Bank. Më saktë: shumë Bad Banks - për çdo institut financiar me probleme të ngrihet një bankë të tillë. Në këto shoqëri ad hoc bankat mund të përcjellin kreditë e tyre të rrezikuara dhe t'i garantojnë ato nga shteti.
Pasi ky plan u bë i ditur të mërkurën, aksionet e bankave të Italisë humbën edhe më tej vlerë. Ky është një sinjal, se kjo zgjidhje nuk është biletë për të udhëtuar falas në kurriz të takspaguesve. Por mënyra si po veprohet, është përkundrazi "e bazuar fort në ekonominë e tregut", thotë Thomas Hartmann-Wendels, Drejtor i Institutit të Ekonomisë Bankare në Universitetin e Këlnit. "Kreditë nuk merren përsipër për t'u garantuar me çmimet fillestare, por me çmimet e tregut. Kjo është shumë më pak dhe bën që bankat t'i kuptojnë vetëm tani humbjet."
Jo dhuratë për bankat
Kësaj i shtohet edhe që bankat duhet t'i paguajnë shtetit një prim për riskun. "Pra nuk kemi të bëjmë me dhuratë bankave", thotë Hartmann-Wendels, "por bankat duhet të paguajnë për gabimet e tyre të së shkuarës. Ato dalin tani në pah dhe prandaj janë të frikësuara tregjet".
Bllokim i reformave
Por edhe nëse Bad Banks krijohen sipas planit në fund, problemet e Italisë nuk zgjidhen me to. "Me Bad Banks vërtet që heq qafe barrat e vjetra," thotë Hartmann-Wendels, "por vetëm kjo nuk garanton një të ardhme më të mirë". "Në Itali ka stanjacion në reformat ekonomike dhe politike, shpenzime shumë të larta për pagat, një produktivitet në stanjacion dhe një administratë publike shumë joefikase".
Vetëm me anë të reformave do të përmirësohet gjendja e sipërmarrjeve italiane, beson Krämer dhe do të pakësohet numri i kredive të këqia. Kryeministri Renzi e sheh veten si reformator të bindur. Por në Berlin ai kërkoi në drejtim të Komisionit Evropian më shumë zhdërvjelltësi ndaj deficitit buxhetor, sepse ai dëshiron të shpenzojë më shumë para se ç'qe planifikuar.