Të mitur, vetëm, në arrati
16 Nëntor 2014Landi jugor gjerman, Bavaria, do që refugjatët e mitur të pashoqëruar në të ardhmen t'i shpërndajë në gjithë Gjermaninë, ashtu si gjithë refugjatët e tjerë. Kështu duhet të lehtësohen qytetet e mëdha pranë kufirit, të cilat ndihen të mbingarkuara me kujdestarinë e të miturve për shkak të numrit në rritje të refugjatëve.
Nëse plani i Bavarisë që mbështetet edhe nga qytete të tjera të mëdha si Bremeni, do të triumfojë, nuk do të ishte më në plan të parë ajo që është mirë për fëmijët, druan Thomas Berthold nga Shoqata Federale për Refugjatët e Mitur të Pashoqëruar (B-UMF) në Gjermani: "Një ligj i tillë nuk duhet të miratohet me procedurë të përshpejtuar. Këtu po merren pasarysh masa të rendit përpara nevojave të fëmijëve".
Edhe Antonia Veramendi, drejtuese e shkollës "SchlaU", që kujdeset për refugjatë të mitur të pashoqëruar në Mynih, e sheh me sy kritik këtë plan: "Pikërisht në rastin e të rinjve të traumatizuar duhet të krijohet besimi dhe nuk duhet të ketë thyerje në kujdestari. Nëse të miturit direkt pas mbërritjes do të dërgohen gjetkë do të jetë e vështirë të krijohet një lidhje me ta."
Pjesa më e madhe e refugjatëve të pashoqëruar vijnë nga Siria, Eritrea apo Afganistani, nga vende ku sundojnë lufta dhe dhuna në jetën e përditshme. Shumë prej të rinjve janë të traumatizuar. Ata kanë pasur tashmë përjetime të tmerrshme në atdheun e tyre apo më e vonëta gjatë largimit kanë humbur një prej prindërve apo shokë.
Refugjatët e mitur gëzojnë mbështetje të veçantë
Për t'iu përgjigjur sa më mirë nevojave të tyre ekziston tashmë një sistem që funksionon shumë mirë i zyrave gjermane për të miturit: në qytetet pranë kufirit si Mynihu ka struktura të shumta që janë të specializuara për punën me refugjatë të mitur. Këtu të rinjtë marrin mbështetje nga një tutor, mësim special në shkolla dhe grupe të veçanta banimi.
"Ky koncept premton shumë sukses", thotë Antonia Veramendi në bisedë me Deutsche Welle: "Nëse të rinjtë do të shpërndaheshin nëpër Gjermani, ndoshta do të shkonin në qytete ku nuk ekziston asnjë infrastrukturë për edukimin dhe terapinë për ta." Puna me refugjatët e mitur është shumë speciale, plotëson ajo. "Në Bavari përveç Mynihut ekzistojnë vetëm në Nyrnberg dhe Augsburg struktura të cilat kanë personel të mjaftueshëm të kualifikuar për këtë. Nëse të rinjtë përfundojnë diku nëpër fshatra atje nuk ka struktura të përshtatshme."
Refugjatët e mitur të pashoqëruar gëzojnë në Gjermani mbrojtje të veçantë. Ata për shembull mund të qendrojnë në qytetin ku janë regjistruar për herë të parë. Për këtë arsye kujdestaria për ta ofrohet para së gjithash në qytetet në afërsi me kufirin.
Refugjatët në moshë madhore përkundrazi fillimisht dërgohen në një strehë mbledhëse. Pas vetëm pak javësh ose ditësh ata dërgohen në qytet tjetër. Ky mund të jetë edhe në skajin tjetër të landit. Kjo procedurë e ndërrimit të shpeshtë të vendit, e cila është e lidhur me shumë pasiguri për refugjatët, prej kohësh kritikohet nga organizatat për refugjatët.
Katër herë më shumë refugjatë të mitur të pashoqëruar nga një vit më parë
Por numri i refugjatëve rritet dhe qyteti i Mynihut është dukshëm i mbingarkuar: "Këtë vit kujdesemi ndërkohë për katër herë më shumë refugjatë të mitur të pashoqëruar në krahasim me 2013. Ky është niveli më i lartë deri tani", thotë drejtoresha e zyrës për të rinjtë në Mynih Maria Kurz-Adam në bisedë me DW. Çdo ditë vijnë deri në 140 të rinj në qytet: Teorikisht na duhet të hapim gjashtë deri shtatë streha të reja çdo javë." Deri në tetor 2014 qyteti ka marrë në kujdestarinë e tij 1900 refugjatë të mitur.
"Nuk kemi më vende në shkolla, nuk kemi më tutorë, mungojnë vendet në strehat për të rinjtë. Disa të rinj janë prej dy muajsh këtu dhe ende nuk dinë asnjë fjalë gjermanisht pasi nuk ka asnjë vend të lirë në kurset e gjermanishtes."
Hotele, restorante dhe shtëpi të tjera të zbrazëta janë marrë ndërkohë me qera nga enti për të rinjtë. Për ndërkohë mungon edhe personeli i kualifikuar: "Kemi mbërritur në kufijtë e sigurimit të personelit. Nëse fluksi i refugjatëve vazhdon me të njëjtin intensitet nuk do të arrijmë më ta përballojmë", thotë drejtoresha e entit Kreuz-Adam.
"Ndryshimi i ligjit mund të shkatërrojë struktura funksionuese"
Por problematika përqendrohet para së gjithash në qytete të mëdha pranë kufirit si Mynihu, thekson Thomas Berthold nga B-UMF: "Nëse ndryshimi i ligjit do të zbatohet në formën në të cilën po diskutohet aktualisht, do të kishte si pasojë një kaos absolut dhe do të shkatërronte struktura funksionuese." Duhet diskutuar në qetësi duke pasur në fokus të mirën e fëmijëve dhe jo shifrat dhe kostot, thotë Berthold.
Drejtoresha e entit për të rinjtë Kurz-Adam është e pavendosur: "Nga njëra anë jam përkrahëse e zjarrtë e ligjit për fëmijët dhe të rinjtë. Të rinjtë duhen ndihmuar atje ku mbërrijnë për herë të parë në Gjermani. Por nga ana tjetër kemi edhe një situatë të re e cila na shtyn të mendojmë se si mund ta formësojmë në tërësi ndihmën për të rinjtë."
Ligji është ende në diskutim. Deri në 11 dhjetor 2014 duhet të merret vendimi. Atëherë do të takohen kryeministrat e landeve me kancelaren Angela Merkel në një samit mbarëkombëtar për refugjatët.